Pas 50 vitesh kërkesë hapet Xhamia në Ljubljanë

Ljubljanë: Xhamia e parë e Sllovenisë u hap në kryeqytetin Ljubljana të hënën pas tejkalimit të pengesave financiare dhe kundërshtimit të krahut të djathtë, kërkesa fillestare për ndërtim e Xhamisë ishte bërë 50 vite më parë.

Kundërshtarët e projektit – përfshirë edhe kritikat në financimin e saj nga Katari – vazhdimisht janë përpjekur ta ndalojnë atë, dhe objekti nuk u kursye nga sulmet edhe me koka derri dhe gjaku . Kreu i bashkësisë islame Nexhat Grabus tha që hapja e xhamisë ishte “një pikë kthese në jetën tonë”.

“Sllovenia është shteti i fundit ish-Jugosllav që ka ndërtuar një xhami, duke e bërë Ljubljanën një kryeqytet sesa një qytet provincial në skajin e botës,” tha para një konference për shtyp. Muslimanët në vendin me shumicë katolike fillimisht paraqitën një kërkesë për ndërtimin e një xhamie në fund të viteve 1960 ndërsa Sllovenia ishte ende pjesë e ish Jugosllavisë komuniste. Komuniteti më në fund mori leje 15 vjet më parë, por u kundërshtua nga politikanë dhe grupe të krahut të djathtë, si dhe pati probleme financiare.

Sipas Grabus ndërtimi, i cili filloi në vitin 2013, kushtoi rreth 34 milion €, nga të cilat 28 milion € ishin dhurime të Katarit.

E vendosur në një zonë gjysmë industriale të Ljubljanës, Xhamia, e cila mund të zë deri në 1.400 njerëz, përbën thelbin e Qendrës Kulturore Islame me gjashtë ndërtesa.

Qendra gjithashtu përfshin zyrat e komunitetit; një qendër arsimi, e cila përfshin një bibliotekë; një restorant; një fushë basketbolli; një dhomë për Imamin; dhe një minare të lartë 40 metra.

Të gjitha ndërtesat janë bërë nga betoni i bardhë i kombinuar me çelik, qelq dhe dru. Një kube e madhe e bërë me tekstile blu mbizotëron në brendësinë e xhamisë, duke iu referuar parajsës dhe të kujton xhamitë e famshme si Xhamia Blu e Stambollit.

“Ne kemi dashur të lidhim vlerat e arkitekturës tradicionale Islame me arkitekturën bashkëkohore,” i tha AFP arkitekti Matej Bevk duke shtuar se fasadat e qelqit të qendrës kishin për qëllim të tregojnë transparencën dhe hapjen e saj.

Deri më tani, muslimanët ishin duke u falur dhe mbajtur ceremoni në salla sportive ose ndërtesa me qira.

Ata përbëjnë 2.5 përqind të dy milion njerëzve të vendit, që përbëjnë grupin e dytë më të madh fetar, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002. Grabus vlerësoi se kishte rreth 80,000 muslimanë aktualisht.

Kundërshtarët e projektit janë përpjekur dy herë ta ndalojnë atë, një herë në 2004 dhe përsëri në 2009, duke kërkuar një referendum. Gjykata kushtetuese i mohoi të dyja kërkesat.

Kritikët pretendojnë se Katari është një nga financuesit kryesorë të terrorizmit.

Kokat e derrit dhe gjaku u hodhën gjithashtu në objekt në dy incidente në vitin 2016. Derrat konsiderohen të jenë të papastër dhe mishi derri dhe nënprodukte që vijnë nga to janë të ndaluara sipas Islamit.

Kryetari i bashkisë së qytetit të Ljubljanës, Zoran Jankoviç, ka mbështetur projektin.

Azra Lekoviç, një muslimane Sllovene në moshë afër 40, e përshkroi xhaminë si “vendimtare”, duke thënë se fëmijët e saj, 22 dhe 24 vjeç, ishin distancuar nga feja ndër vite.

“Shpresoj se do t’i bëj që fëmijët e mi të kontaktojnë përsëri me bashkësinë Islame, të takojnë njerëz përparimtarë dhe të gjejnë miq që e ndajnë besimin e tyre,” i tha AFP sipërmarrësja nga Sezana nga Slloveninë perëndimore. – AFP

Më poshtë një video e bërë në korrikun e vitit të kaluar ku tregon pamjen e Xhamisë

https://www.youtube.com/watch?v=_dkYU3mgv9g

Artikulli paraprakQasjet, veglat dhe mendimet e nevojshme për ndryshim pozitiv
Artikulli tjetërKontrollimi i dialogut të brendshëm – Cilësia e domosdoshme për sukses