Fabrikat
Kur jemi te fabrikat, duhet të bëjmë dallimin mes mjeteve apo makinave që prodhojnë, mes lëndës së parë, prej së cilës do të prodhohet produkti, dhe mes mallit që është prodhuar për të dalë në treg.
1. Për mjetet apo makinat që prodhojnë, nuk duhet dhënë zekat, sepse ato janë gjëra që posedohen dhe nuk shiten. E, për gjërat që përdoren dhe nuk janë për shitje, i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Muslimani nuk obligohet të japë zekat për kaline as për robin e tij.”(Buhariu, 1463 dhe Muslimi, 982)
Ka dhe mendim tjetër, sipas të cilit edhe për këto gjëra duhet të jepet zekati.
Mirëpo, mendimi i parë është më i saktë, për shkak të hadithit të sipërpërmendur dhe për faktin se këto nuk hyjnë në mallra që shiten apo që dalin në treg, porse janë vetëm gjëra të cilat përdoren, sikundërqë përdoren rrobat, veglat e shtëpisë etj.
2. Lënda e parë prej së cilës do të prodhohet produkti, siç është mielli në fabrikën e bukës, alumini në fabrikën e dritareve, druri në fabrikën e orendive etj.
Shumica e dijetarëve janë të mendimit se edhe për këto duhet dhënë zekat, sepse edhe këto janë mallra tregtare që do të shiten.
3. Malli i prodhuar. Edhe për këtë duhet të jepet zekati, sepse është mall tregtar i cili shitet.
Shembulli i parë: një fabrikë e bukës për çdo ditë prodhon bukë dhe produkte të tjera të grurit në vlerën që e arrin nisabin. Pronari, pas një viti, posedon gjithsej 3300 euro mall shitës, plus 3000 euro lëndë të parë (miell, vaj etj.).
Kështu, e llogarit shumën prej 3300 eurosh, plus 3000 euro të lëndës së parë dhe paratë e tjera të depozituara e që nuk i ka shpenzuar, ta zëmë, 2000 euro.
Pra, njehson: (3300+ 3000+ 2000): 40= 207.5 euro
Dhe del se vetëm 207.5 euro është shuma që duhet ta japë për zekat.
Shembulli i dytë: një person ka blerë një tokë në vlerë 50000 euro, me qëllim që ta shesë. Pas një viti vlera apo çmimi i tokës është ngritur, në 55000.
Atëherë, ky person duhet të japë për zekat: 55000: 40 = 1375 euro.
Gjerat të cilat nuk hyjnë këtu
Për mjetet të cilat tregtari i përdor në biznesin e tij, që nuk i ka në shitje, porse përdoren në biznes, siç janë: raftet, tavolinat, karriget, makinat e prodhimit, kompjuterët, mjetet e transportit, frigoriferët etj., nuk jepet zekat.
Po ashtu për mjetet që jepen me qira, siç janë: shtëpitë, banesat, lokalet, automjetet, veglat e punës etj., nuk jepet zekat, sepse në këtë rast nuk llogariten mall tregtar. Mirëpo, nëse paratë që fitohen prej kësaj qiraje e arrijnë nisabin,
atëherë obligohet për të dhënë zekatin e parave.
Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi