Në lidhje me thënien se arsyeja e shtesës është përballë shtyries së kohës së pagesës dhe kjo shtesë i ngjason kamatës e cila merret gjatë vonimit të borxhit, ata kanë thënë se kjo analogji nuk është e saktë, pasi gjatë kamatës së vonesës shtesa ndodh në shumen e borxhit, i cili është i vërtetuar mbi borxhliun, përballë shtyrjes së kohës së pagesës, ndërsa këtu kemi të bëjmë me marrëveshje shitblerjeje, në të cilën mallit i shtohet vlera (dhe jo borxhit), përballë vonimit të pagesës. Me fjalë të tjera, ata kanë thënë se shtimi kamatar i ndaluar ndodh në mes të dy gjërave të njejta, parave me para, p.sh. 100 euro borxh të shtohet në 120 euro përball shtyrjes së afatit. Kurse këtu bëhet rritja e vlerës se mallit të caktuar dhe kjo rritje nuk është kamatar pavarësisht per çfarë arsye shtohet.
Kjo për faktin se caktimi i vlerës së mallit në Islam është e drejtë e pronarit të mallit dhe rrethanave ekonomike që shkaktojnë uljen, respektivisht rritjen e çmimeve, prandaj pronari mund ta ofertojë mallin me shumën që dëshiron ta shesë dhe jo ti imponohet çmimi, përderisa gjatë vënies së çmimeve ai u largohet mashtrımeve e tradhtive.
Imam Shevkani ka thënë: “Njerëzit janë pronarët legjitimë të pasurive të tyre dhe caktimi i çmimeve me imponim është cenim i të drejtave të tyre”. Dhe në fund ka thënë: “Detyrimi i pronarit te mallit, që ta shesë atë me një çmim që nuk do, kundërshton fjalen e Allahut të Lartësuar:
“…përveç kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm”
Prandaj fakti se shitësi i vendos dy apo më shumë çmime një malli gjatë shitjes, i nënshtrohet rrethanave dhe ofertës që ai e bënë gjatë aktivitetit tregtar të tij. Kështu, ai mund ta shes mallin me disa çmime, varësisht prej personave, mënyrës së pagesës dhe rrethana tjera, si p.sh. njërit t’ia shes me një çmim se e ka myshteri të rregullt, të dytit me çmim tjetër se e ka të afërm, dikujt tjetër me çmim ndryshe se do ta vonoj pagesën dhe kështu me radhë. Ndërsa pohimi i tyre se koha nuk ka vlerë dhe nuk duhet të paguhet gjatë tregtisë çdo herë, nuk është i saktë, pasi ata nuk bëjnë dallim ndërmjet marrëveshjeve të tregtisë dhe marrëveshjeve të huamarrjes. Kjo për faktin se borxhi në Islam në tërësi është mirësi dhe nuk lejohet që njeriu nëpërmes dhënies së tij të përtitoj nga huamarrësi ndonjë dobi, në asnjë formë. Për dallim nga tregtia, e cila synimin kryesor e ka përfitimin dhe nuk ka dyshim që koha luan rol të rëndësishëm në tregti dhe varësisht prej saj edhe realizohen fitimet. Prandaj, pretendimi se rritja e çmimit për shkak të vonimit të pagesës gjatë tregtisë nuk lejohet është i padrejtë.
Në vazhdim do të përmendim disa citate te juristeve islam, të cilet janë shumë të qartë se dispozicioni i kohës luan rol në rritjen e çmimit të mallrave:
Kasani, nga dijetarët hanefi, ka thënë: “Nuk është e njëjtë e gatshmja (keshi) dhe ajo e vonuara, pasi pasuria konkrete është më e mirë se ajo borxh dhe pagesa e hershme është më e vlefshme se pagesa e prolonguar.
Zejleiu, nga dijetarët hanefi, ka thënë: “I shtohet vlera mallit për shkak të prolongimit të pagesës.
Shatibiu, nga dijetarët maliki, ka thënë: “Vonimi i dorëzimit të njërit nga dy mallrat që tregtohen e bën që ti ritet (vlera mallit)”.
Imam Shafiu ka thënë: “Ushqimi që shitet me pagesë në një afat më të afert, ka çmimin më të lartë se ushqimi që shitet me pagesë, në nje afat më të gjatë”.
Ibën Tejmije, nga dijetarët hanbeli, ka thënë: “Vërtet prolongimi i pagesës merr edhe një sasi të vlerës së çmimit”.
Nga këto citate kuptojmë se fukahatë theksojnë se gjatë tregtise, më qartë gjatë vendosjes së çmimit të një malli, mënyra e pagesës ndërlidhet drejt edhe në rritjen e vlerës së mallit. Prandaj rritja e vlerës së mallit këtu është i drejtë dhe nuk nënkupton shtim kamatar në asnjë formë.
Sidoqoftë, nuk do të zgjërohemi më shumë në refuzimin e qasjes së atyre që e kanë ndaluar këtë shtesë dhe si rezultat i kësaj, ndaluan edhe tregtinë me këste, për arsye se kemi shumë shqyrtime të dijetarëve të hershëm por edhe bashkëkohorë që e lejojnë këtë, madje disa shprehen se për këtë çështje ka konsensus (ixhma).
Alaudin Abazi