Në Berlin deri të dielën zhvillohet panairi më i madh në botë i udhëtimeve, ITB me më shumë se 10.000 ekspozues nga 188 vende. Industria e turizmit është në rritje në mbarë botën.
Në Berlin pas javësh me re, dëborë dhe shi, ndrin sërish dielli nga një qiell i ndritshëm blu. Atë e kemi sjellë ne, thotë ministrja e Turizmit nga Indonezia, dhe qesh. Republika e Azisë Juglindore, si vend partner në Bursën Ndërkombëtare të Turizmit (ITB), është e përfaqësuar këtë vit me 120 ekspozues në panair.
Ata duan të prezantohen si një destinacion ekologjik dhe t’u tregojnë gjermanëve, se vendi ka më shumë se sa vetëm ishullin Bali. Aty vazhdojnë të shkojnë dy të tretat e pushuesve gjermanë në Indonezi. Turizmi në Indonezi në vitin e kaluar ka pësuar një rritje prej 5.2 për qind.
Dega e turizmit shënon rritje
Vendi përfiton nga nga një prirje, që mund të vërehet në të gjithë botën. Organizata Botërore e Turizmit, UNWTO, njoftoi disa javë më parë, se në vitin 2012 ka patur për herë të parë më shumë se një miliardë udhëtarë me destinacion turizmin. Deri në vitin 2020 priten madje 1,6 miliardë udhëtarë. “Kjo natyrisht e vë infrastrukturën, politikën, por veçanërisht ne, industrinë, firmat në degë të ndryshme të industrisë, para sfidash të reja”, thotë Michael Frenzel, Kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit gjerman (BTW ) ..
Gjermanët mbeten kampionë botërorë në udhëtim
Me pushime fitohen të holla dhe këtu gjermanët vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm, sepse ata kanë shumë dëshirë të udhëtojnë. Vetëm një e treta e turistëve gjermanë mbetet në vendin e tyre, dy të tretat shkojnë në vende të largëta. Gati 64 miliardë euro kanë dhënë turistët gjermanë vitin e kaluar për udhëtime jashtë vendit, që janë të 2,2 miliardë euro shumë se një vit më parë.
Destinacionet më të njohura ishin Spanja, Italia dhe Turqia. Edhe këtë verë nuk do të ndryshojë ndoshta asgjë. Megjithatë, parashikon Jürgen Büchy, President i Shoqatës gjermane të Udhëtimit, do të ketë një rikthim për Greqinë. Vendi pas një rënieje të madhe të vizitorëve në vitin e kaluar po e rimerr veten dhe ka një rritje dyshifrore në shumë firma udhëtimesh.
“Kjo na gëzon jashtë mase, sepse Greqia është një nga destinacionet kryesore për industrinë e turizmit në Gjermani”, thotë Büchy. “Mikpritja e vazhdueshme dhe cilësia e produktit në zonat e pushimeve në ishujt, e meriton, që pushuesit të fitojnë përsëri besimin në këtë vend dhe të kthehen atje.”
Afrika e Veriut humbet përsëri
Një zhvillim, që u bë i dukshëm në vitin 2012, edhe në Tunizi dhe Egjipt. Në 2013 tashmë duket ndryshe. Deri tani, vendet e Afrikës Veriore nuk kanë qenë në gjendje, që të arrijnë shifrat e prenotimeve të vitit të kaluar. Rënie regjistrohen në Qipro, Maltë, Australi, si dhe në Afrikën Lindore dhe Jugore, sidomos në Kenia, Namibi dhe Afrikën e Jugut. Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj krizave. Nevoja e tyre për siguri është shumë e lartë. Për pushimet e tyre ata japin më shumë para, por pushimi duhet të jetë i përsosur.
Kështu që në segmentin e udhëtimeve luksoze ka një kërkesë në rritje dhe jo vetëm për destinacionet e veçanta, të njohura si të tilla si Maledive, Seychellet, Mauritius dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe në destinacionet tradicionale ofrojnë cilësi të lartë për konsumatorët, thotë Jürgen Büchy. “Ky segment është në rritje në të gjithë operatorët dhe destinacionet.”
Kjo bën që të mbushen arkat e agjencive të udhëtimit dhe organizatorëve. Pas një rritje të shitjeve prej 5.5 për qind në një rekord prej rreth 24,4 miliardë euro në vitin e kaluar, Shoqata gjermane e Udhëtimeve për vitin 2013 pret një rritje prej 3-4 për qind./dw