Nuk është sekret që nëse paguheni aq sa vleni, kjo do t’ju ndihmojë që ta doni edhe më shumë punën që bëni.
Megjithëse ky nuk është faktori i vetëm që ju bën të vlerësoni punën, kompensimi i duhur për aftësitë tuaja shpesh barazohet me kënaqësinë në punë. Megjithatë, negociimi i pagës mund të jetë i sikletshëm, sidomos nëse sapo keni marrë një ofertë pune.
Shumë persona mendojnë se mund ta humbasin mundësinë, ndërsa të tjerë ndihen të ndrojtur për të kërkuar një pagë më të lartë. Për fat të mirë, nuk ka arsye për t’u ndier kështu. Këtu janë disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë të gjeni besimin që ju nevojitet për t’u paguar për atë që vleni.
Bëni shumë kërkime
Përpara se të kërkoni një pagë më të lartë, duhet të bëni detyrën tuaj dhe të kërkoni informacione mbi pagën mesatare për pozicionin tuaj. Kjo nuk bëhet thjesht duke pyetur miqtë apo njerëzit e tjerë që punojnë në të njëjtën fushë; duhet të gjeni burime të besueshme, në mënyrë që të keni një bazë për atë që po kërkoni. Nëse nuk bëni kërkime, mund të përfundoni duke kërkuar një pagë që është nën standardin e industrisë.
Megjithatë, paga mesatare nuk duhet të jetë faktori i vetëm ku të bazoheni. Duhet të merrni parasysh gjithashtu vitet tuaja të eksperiencës, njohuritë që keni në atë fushë dhe aftësitë e tjera që mund të ofroni kur negocioni pagën tuaj.
Diskutoni për atë që mund të ofroni
Përveç kërkimeve mbi pagën mesatare, duhet gjithashtu të mendoni paraprakisht një argument për kompensimin që dëshironi. Kjo përfshin aftësitë, përvojat tuaja dhe atë që mund të ofroni, diҫka që ju dallon nga të tjerët dhe është unike për ju, në mënyrë që të gjitha këto të justifikojnë një pagë më të lartë.
Kini parasysh se punëdhënësve nuk u interesojnë faturat që duhet të paguani apo qëllimet tuaja personale; prandaj, duhet të keni një argument që nxjerr në pah se çfarë ata mund të përfitojnë nga punësimi juaj.
Negocioni me fakte, jo me emocione
Kur kërkoni një pagë më të lartë, duhet t’i lini faktet që të flasin për ju. Mos lejoni që emocionet tuaja të marrin kontrollin e bisedës. Asnjëherë mos i tregoni punëdhënësit të ardhshëm se keni nevojë për para. Kjo arsye ka shumë pak gjasa që t’ju ndihmojë dhe shpesh ju bën të dukeni joprofesional dhe të dëshpëruar.
Askush nuk duhet të japë këtë përshtypje. Kjo është arsyeja pse nuk duhet ta përfshini jetën tuaj personale gjatë negociatave për një pagë më të mirë.
Gjithmonë duhet të keni një plan rezervë
Le të jemi të sinqertë; jo gjithmonë do të merrni atë që dëshironi, edhe nëse keni bërë gjithçka që është në dorën tuaj. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe kur negocioni për pagën. Ndonjëherë, kompania nuk është në gjendje financiare që të ofrojë paga më të larta. Ose, mbase, ata kanë një shifër të caktuar për pagën e atij pozicioni dhe nuk kanë asnjë hapësirë për të manovruar. Kjo është arsyeja pse duhet të keni gjithmonë një plan rezervë për të arritur pagën që meritoni.
Për shembull, ju mund ta pranoni ofertën fillestare dhe të negocioni një rishikim të performancës pas një periudhe të caktuar. Nëse atyre u pëlqen performanca juaj, mund t’u kërkoni që t’ju rrisin pagën. Megjithatë, duhet të prisni dhe të siguroheni që të performoni mirë dhe të përmbushni premtimin që keni dhënë. Në të kundërt, mund të dukeni sikur keni shumë vetëbesim dhe aftësitë tuaja nuk përputhen me fjalët që keni thënë.
Merrni parasysh edhe përfitimet e tjera
Paga juaj është shumë më tepër se sa thjesht paratë. Duhet të konsideroni edhe përfitimet e tilla si sigurimi shëndetësor, pushimet e paguara, lejet në rast sëmundjeje, etj., të cilat mund t’i shtojnë më shumë vlerë ofertës suaj. Kjo është arsyeja pse duhet të merrni parasysh të gjithë paketën e kompensimit në tërësi përpara se të kërkoni një pagë më të lartë.
A keni mundësi që të punoni nga shtëpia në ditë të caktuara? A përfitoni pushime të paguara që në ditën tuaj të parë të punës? Kontrolloni benefitet që ju ofron kjo punë, të tilla si mundësia për të vendosur vetë orarin tuaj dhe për të pasur një ekuilibër të shkëlqyer punë-jetë. Mos mendoni vetëm për paratë që do të merrni, por sigurohuni që ato mund t’ju japin fleksibilitetin që dëshironi në jetë.
Mos u nxitoni
Kur merrni një ofertë pune, mos u ndjeni në presion për ta pranuar atë menjëherë. Nuk është nevoja që ta pranoni atë aq shpejt. Në vend të kësaj, ju mund të informoni menaxherin e punësimit se keni nevojë për pak kohë për të menduar në lidhje me ofertën. Ndonjëherë, nëse kërkoni më shumë kohë, mund të përfitoni një rritje të ofertës origjinale. Në raste të rralla, refuzimi i ofertës rrit shanset për të marrë një kompensim më të lartë.
Sidoqoftë, duhet të jeni të vetëdijshëm edhe për efektet negative të kësaj. Disa punëdhënës nuk preferojnë të presin dhe mund t’ia ofrojnë punën një kandidati tjetër. Ata mund ta pranojnë refuzimin e ofertës nga ana juaj dhe të punësojnë dikë tjetër. Pra, përpara se të vendosni për ofertën e punës, pyesni veten se për çfarë keni nevojë tani. Nëse paga nuk është e mjaftueshme për nevojat tuaja, negocioni, por kërkoni edhe për opsione të tjera./MakeUseOf/