Gjetja e një pune që ju pëlqen është e rëndësishme për çdo punonjës që i dedikon punës së tij të paktën 40 orë në javë. Pavarësisht nëse punoni në një zyrë bashkë me kolegët e tjerë, apo në distancë nga shtëpia juaj me qenin pranë jush, puna dhe kultura e kompanisë ku bëni pjesë luajnë një rol të rëndësishëm në cilësinë e jetës suaj.
Megjithëse puna është në fund të fundit një mënyrë për të fituar para, ajo gjithashtu mund të jetë shumë më tepër se kaq. Puna juaj duhet t’ju bëjë të ndiheni të plotësuar dhe të sfiduar. Mund të jetë diçka që ju pëlqen ta bëni dhe ju emocionon. Kjo sepse, deri në fund të jetës suaj, do të keni shpenzuar diku te 90,000 orë në punë. Për këtë arsye, gjetja e një pune që është vërtet e përshtatshme për ju bëhet akoma më e rëndësishme.
Nëse keni ndër mend të bëni një ndryshim në karrierë, ose të largoheni nga kompania ku punoni, kini parasysh pesë këshillat e mëposhtme për të gjetur një punë që do t’ju pëlqejë.
- Konsideroni gjërat që ju kanë bërë të lumtur deri më tani
Shumë shpesh, njerëzit ngecin në një drejtim të karrierës, pa konsideruar faktin nëse ajo punë është gjëja që ata vërtet që duan të bëjnë. Nëse keni vite që punoni në pozicionin aktual, ose nëse sapo keni filluar kërkimin për të gjetur drejtimin e duhur të karrierës, është e rëndësishme të kuptoni se çfarë do t’ju mbajë të angazhuar dhe të interesuar.
Mund të filloni duke përdorur mjetet për vlerësimin personal. Këto vlerësime mund t’ju ndihmojnë të mësoni më shumë për pikat tuaja të forta, për dobësitë dhe pozicionet në një organizatë që do të ishin më të përshtatshme për ju. Nëse vazhdimisht keni vështirësi me disa aspekte specifike të punës suaj, atëherë mund të ketë një mospërputhje midis personalitetit dhe punës suaj.
Gjithashtu, mund të krijoni një ide më të mirë për punët që do të ishin më të përshtatshme për ju duke krijuar një listë të gjërave që ju kanë bërë të lumtur në të kaluarën. Për shembull, cilat janë gjërat që ju kanë pëlqyer më shumë kur mendoni për të gjitha përgjegjësitë që keni pasur në të kaluarën? Ju pëlqente kur bënit detyra organizative? Ju pëlqente të punonit me njerëz të tjerë, apo në projekte individuale?
- Bëni kërkime
Është e lehtë të tërhiqeni nga një përshkrim shumë i bukur pune ose nga përfitimet e perceptuara të një pozicioni të ri. Përpara se të filloni një punë të re, bëni një kërkim për kompaninë dhe verifikoni pretendimet e tyre.
Nëse keni njerëz të njohur që punojnë në këtë organizatë, pyesni punonjësit aktualë ose ish-punonjësit në lidhje me përvojën e tyre personale me kompaninë. Të gjithë do të kenë eksperienca të ndryshme, por nëse dalloni se shumica e tyre e donin kompaninë ose e urrenin atë, mund të kuptoni më mirë atë që ju pret.
- Bëni pyetje
Përpara se të shkoni në një intervistë, përgatitni disa pyetje. Ky është momenti juaj për të njohur organizatën dhe për të grumbulluar informacione rreth menaxherit tuaj të ardhshëm.
Pyetjet që mund të bëni janë:
- Si është balanca punë-jetë këtu?
- Cilat janë pritshmëritë tuaja për këtë rol?
- Si duhet të jetë një punonjës i suksesshëm në këtë pozicion?
- Si i ndihmoni punonjësit tuaj të rriten?
- Si do ta përshkruanit kulturën këtu?
- Pse është i lirë ky pozicion pune?
Pyetje të tilla gjatë procesit të intervistës do t’ju japin më shumë informacion për kompaninë dhe për pozicionin e punës, pa llogaritur faktin që do t’ju bëjnë të dukeni të përgatitur më mirë për intervistën.
- Kushtojini vëmendje përfitimeve dhe kulturës
Puna juaj duhet t’ju ofrojë më shumë sesa thjesht një pagë. Teksa krahasoni pozicione të ndryshme, kushtojini vëmendje përfitimeve që ofrohen dhe kulturës së kompanisë.
Për sa u përket përfitimeve, duhet të siguroheni që nevojat tuaja bazike do të plotësohen. Cila është politika e sigurimit shëndetësor? A ofron kompania mbështetje për pension privat? A kontribuojnë ata për llogarinë tuaj të kursimeve shëndetësore? Sa ditë pushimi dhe leje të paguar kur sëmureni ofrojnë ata? A ofrojnë punë fleksibël? A ju lejohet të punoni nga shtëpia?
Përtej shifrave, duhet të konsideroni kulturën dhe ndjesinë e kompanisë. Në shumë raste, lloji i kulturës me të cilën haseni në punë do të luajë një rol të rëndësishëm në gjendjen tuaj emocionale atje. Kërkoni një kulturë që përshtatet mirë me llojin e personalitetit tuaj dhe ambiciet tuaja të karrierës.
- Zgjidhni një vend që përputhet me vlerat tuaja
Së fundi, asgjë nuk do t’ju çojë në një “burnout” më shpejt se sa puna në një vend ku vlerat tuaja nuk përputhen me kompaninë. Përpara se të aplikoni për një vend të ri pune, merrni kohë për të verifikuar nëse organizata ka të njëjtat vlera me ju.
Nëse punoni në një vend që nuk ka të njëjtat vlera me ju, do të ndiheni vazhdimisht sikur nuk jeni të vërtetë me veten tuaj. Lumturia në punë nuk ka të bëjë vetëm me kënaqësinë e punës që bëni, por gjithashtu lidhet me aftësinë për të sjellë të gjithë personalitetin tuaj në punë çdo ditë.
Kur vlerat tuaja përputhen me ato të punëdhënësit tuaj, do të jeni të motivuar për të bërë më të mirën. Kjo gjithashtu do t’ju mundësojë të takoni persona në vendin e punës që ndajnë të njëjtat mendime me ju, duke sjellë kështu edhe ndjenjën e përmbushjes së marrëdhënieve njerëzore në ekipin tuaj. /The Ladders/