Disa politikanë e kanë hedhur poshtë idenë se SHBA është aktualisht në recesion. Por, nëse shikoni përkufizimin e saktë, duket sikur nuk mund ta shmangim më përdorimin e këtij termi.
Një recesion përkufizohet si dy tremujorë radhazi me rënie të GDP-së reale. Dhe, GDP-ja reale në SHBA ka rënë me një normë vjetore prej 1.6% në tremujorin e parë, e ndjekur më pas nga një rënie prej 0.9% në tremujorin e dytë.
Recesionet janë rënie të zgjatura në kohë të aktivitetit ekonomik, të cilat zakonisht shoqërohen me një reduktim të shitjeve me pakicë, ulje të prodhimit industrial, rënie të pagave dhe rritje të papunësisë.
Lajmi i mirë? Këto situata ofrojnë gjithashtu shumë mundësi për njerëzit e thjeshtë që duan të krijojnë pasurinë e tyre.
Stoqet
Çdo investitor dëshiron të blejë me çmim të ulët dhe të shesë me çmim të lartë. Rënia e vlerës së tregut të aksioneve gjatë një recesioni mund të jetë momenti i duhur për të gjetur një ofertë të mirë.
Megjithëse tkurrja e GDP-së në tremujorin e parë dhe të dytë nuk ishte edhe aq e rëndë, vlera e stoqeve tashmë ka rënë ndjeshëm.
S&P 500 ka rënë me rreth 20% në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, duke shënuar performancën më të keqe në gjashtëmujorin e parë të vitit, që nga viti 1970.
Investitorët që synojnë të blejnë aksione me çmime të lira duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përqendrohen te kompanitë që mund të lulëzojnë gjatë një recesioni.
Warren Buffett, për shembull, bleu aksionet e kompanisë gjigante të ushqimeve, Kraft Foods (e cila më vonë u bashkua me Heinz për të krijuar Kraft Heinz) dhe të kompanisë së energjisë elektrike NRG Energy gjatë Recesionit të Madh të vitit 2008.
Sipas Hartford Funds, S&P 500 në fakt është rritur mesatarisht me 3.7% gjatë 13 recesioneve që kanë ndodhur që prej vitit 1945.
Ju nuk keni nevojë për shumë para për të filluar investimin tuaj. Disa aplikacione për investime ju mundësojnë që të blini fraksione të aksioneve, me aq para sa jeni të gatshëm të shpenzoni.
Pasuritë e paluajtshme
Pasuritë e paluajtshme ofrojnë një tjetër mundësi potencialisht fitimprurëse gjatë një recesioni.
Recesioni nuk do të thotë domosdoshmërisht që do të ketë rënie të çmimeve të pronave. Por, ka një faktor specifik që mund të pengojë vrullin e rritjes në tregun e pasurive të paluajtshme, dhe ato janë: normat e interesit.
Tani për tani, Fed po rrit në mënyrë agresive normat standarde të interesit për të zbutur inflacionin në rritje. Normat e larta të interesit janë një lajm i keq për pasuritë e paluajtshme.
Kur kostoja e huamarrjes është e lartë, kjo i bën njerëzit që të mendohen mirë përpara se të marrin kredi për të blerë një shtëpi.
Manjati i pasurive të paluajtshme, Sam Zell, bëri një pasuri të madhe nga blerja e pronave, në periudhën kur askush tjetër nuk dëshironte që të investonte në këtë sektor.
Në vitin 1973, kur ekonomia ra në recesion, tregu i pasurive të paluajtshme pësoi rënie, pasi shumë njerëz nuk po arrinin të paguanin kreditë e tyre hipotekore. Në këto rrethana, Zell ishte në gjendje të blinte një portofol pronash tepër të mira, me ҫmime shumë të ulëta.
Nëse keni qenë duke menduar për të investuar në tregun e pasurive të paluajtshme gjatë viteve të fundit, rënia e çmimeve për shkak të recesionit mund të ishte momenti ideal për të filluar.
Fillimi i biznesit tuaj
Jo të gjithë duan që të kenë biznesin e tyre. Por, sipas The Economist, 47% e milionerëve janë pronarë biznesesh.
Të qenët sipërmarrës nuk është diҫka e lehtë dhe ideja për të krijuar një biznes në mes të një recesioni, ndërkohë që bizneset e tjera mbyllen, mund të duket e frikshme. Por, nëse ecni në drejtimin e kundërt të rrymës, kjo sjell pa dyshim avantazhet e veta.
“Tani është koha për të përfituar nga fusha e hapur. Konkurrentët tuaj po tërhiqen, duke shpenzuar më pak para për marketing dhe reklama,” thotë Charles Gaudet, CEO i kompanisë së konsulencës për bizneset, Predictable Profits. “Disa prej tyre madje kanë filluar të pushojnë punonjës nga puna. Të tjerët janë duke u mbajtur fort dhe duke shpresuar për më të mirën.”
Kur ka më pak konkurrencë, ju keni më shumë mundësi për t’u pozicionuar më mirë në treg.
Sigurisht, nëse nuk jeni ende gati që të lini punën tuaj dhe të përmbushni një ide biznesi me kohë të plotë, atëherë mendoni fillimisht që ta filloni sipërmarrjen tuaj si një angazhim në kohën e lirë.
Nuk ka asnjë formulë magjike për t’u pasuruar shpejt. Pavarësisht nëse ndiqni rrugën e investimit në aksione, të pasurive të paluajtshme, ose nëse vendosni të hapni biznesin tuaj, është e rëndësishme që së pari të bëni kërkimet e duhura dhe të vlerësoni gjendjen tuaj financiare./Moneywise/