3 mënyra për të vendosur kufij në punë

Një nga përfitimet më të rëndësishme të vendosjes së kufijve të qëndrueshëm, është të pasurit hapësirë për të ndërtuar dhe mbajtur marrëdhënie cilësore jashtë punës.

Vendosja e kufijve duket se është një temë shumë e rëndësishme këto ditë, shoqëruar me rritje të tendencave si “quiet quitting”*.

Kjo tendencë përqendrohet në idenë e arritjes së ekuilibrit punë – jetë. Punonjësit ndihen sikur punëdhënësit presin më shumë prej tyre, kështu që shumë njerëz punojnë saktësisht deri në orën 5, pavarësisht nga rrethanat.

Një sondazh i Gallup i vitit 2022, zbuloi se quiet quitters, përbëjnë të paktën 50% të fuqisë punëtore në SHBA. Dhe sipas një sondazhi të FlexJobs, të kesh kufij të dobët punë – jetë, është një nga arsyet kryesore pse punonjësit lënë punën.

Nëse nuk keni vendosur kufij, mund të keni pasoja të rënda negative, të tilla si stresi dhe shtimi i burnout*, performanca e dobët e punës, humbja e ekuilibrit punë – jetë dhe probleme në marrëdhëniet shoqërore.

Në vazhdim shpjegohen tre strategji, që mund të zbatoni, për të krijuar kufij të shëndetshëm në punë.

Konsiderojeni çdo veprim si angazim “të shenjtë”

Shpesh, nuk arrijmë ta mbajmë fjalën për veten me aq rigorozitet, sa ua mbajmë fjalën të tjerëve. Për të mbrojtur kohën tuaj, duhet të punoni për vendosjen e kufijve në punë.

Krijoni një rutinë të përditshme pune dhe përcaktojeni qartë kohën kur jeni të disponueshëm.

Vendosni kohë specifike kur nuk jeni të disponueshëm për aktivitete që lidhen me punën, më pas njoftoni kolegët tuaj.

Mësoni kur ta sfidoni veten dhe kur të kërkoni ndihmë

Kur ndiheni të mbingarkuar, kërkoni ndihmë nga kolegët, menaxherët ose mentorët tuaj.

Të punuarit për një problem për një kohë të gjatë, mund të çojë në rraskapitje dhe burnout. Provoni t’i vendosni vetes kufi kohor, për të gjetur një zgjidhje, ose për të përfunduar një detyrë, përpara se të kërkoni ndihmë.

Gjithmonë mbani mend se ndonjëherë gjëja më e mirë, që mund të bëni për veten tuaj, është të bëni një pushim dhe t’i ktheheni problemit me këndvështrim të ri.

Gjithashtu, planifikoni takime të rregullta me menaxherin, për të diskutuar përparimin dhe çdo sfidë me të cilën po përballeni.

Kjo do t’ju japë një kohë të caktuar për të kërkuar ndihmë, nëse është e nevojshme.


Shprehuni qartë kur thoni jo

Mësoni t’u thoni jo detyrave ose projekteve, që nuk janë prioritet, ose nuk do të mund të mbani një ekuilibër të shëndetshëm punë – jetë.

Mund të përdorni fjali të tilla si “Unë nuk jam në gjendje të marr përsipër këtë projekt, pasi do të komprometojë aftësinë time për të përmbushur detyrimet e mia të tjera.” ose “Më duhet të përqendrohem në detyrat e mia dhe nuk do të jem në gjendje të merrem më punë të tjera në këtë çast.”

Duke i dhënë përparësi detyrave tuaja çdo ditë, do të kuptoni më mirë se çfarë mund të merrni dhe çfarë nuk mund të merrni përsipër.

Të gjithë njerëzit kanë kufij. Njohja e këtyre kufijve dhe aftësia për t’i komunikuar ata, do të jetë mënyra më e mirë për të mbajtur një ekuilibër të shëndetshëm punë – jetë.

Mund të jenë pak e vështirë në fillim, sidomos për ata që ende nuk e kanë praktikuar vendosjen e kufijve për veten e tyre, të cilët mund të mos ju kuptojnë.

Megjithatë, shëndeti, puna dhe jeta personale janë shumë të rëndësishme dhe ka shpresë për të gjetur ekuilibrin mes të treve. / Fast Company

* Termi “quiet quitting” i referohet kryerjes së detyrave dhe kërkesave minimale të punës, pa bërë më shumë përpjekje si dhe pa punuar jashtë orarit apo në shtëpi.

* Termi “burnout” është një gjendje lodhjeje emocionale, fizike dhe mendore, e shkaktuar nga stresi i tepruar dhe i zgjatur, kryesisht në punë. Ndodh kur ndiheni të mbingarkuar, emocionalisht të lodhur dhe të paaftë për të përmbushur kërkesat e vazhdueshme.

Artikulli paraprakForcimi i Lekut po dekurajon ardhjen e turistëve nga Kosova
Artikulli tjetërAftësia më e rëndësishme e drejtimit në kohë krize