150 Sihariqe nga njerëzit më të suksesshëm

  • 1. Veprat vlerësohen sipas qëllimeve. Prandaj, ki qëllim të mirë në çdo punë e aktivitet, ofro të dobishmen dhe mënjano të keqen.
  • 2. Mos e merr kundër teje ndeshjen me krizat e rrjedhshme. Sepse krizat në fakt, kullojnë mendjen, zbutin shpirtin dhe ndezin ambiciet.
  • 3. Orvatja, puna dhe zellshmëria është rruga e vetme që të udhëzon drejt lavdisë. Ajo është balsam për plagë, ilaç për sëmundje. Madje, është thesari yt!
  • 4. Vlera e çdo njeriu matet sipas asaj që ai paraqet. I papuni është një vetëm zero, dështaku është një i tmerruar dhe karakteri i ngurtë shitet e blehet lirë.
  • 5. Orientoje interesimin tënd në një punë të vetme. Përqendrohu thellë në të, dashuroje, digju për të, derisa ta përvetësosh atë dhe ta përkryesh.
  • 6. Fillo nga më e rëndësishmja dhe merri gjërat me radhë. Bëj kujdes nga hapërdarja e energjisë dhe pjesëmarrja në shumë aktivitete; kjo të ndjell stres dhe huti.
  • 7. Disiplina është rruga e suksesit vëllai im, të vendoset çdo gjë në vendin e vet është kërkesë për suksesdashësit. Kurse sa i përket rrëmujës, ajo është traditë pa lëvdatë.
  • 8. Nuk kundërmon misku me aromën e tij të këndshme pa u thërrmuar e bërë pluhur, dhe as misku Aud’ nuk e jep aromën e tij të mrekullueshme pa u djegur. Ngjashëm
    veprojnë fatkeqësitë me ty. Në thelb, ato paraqesin mirësinë dhe begatinë tënde!
  • 9. Simbolit të suksesit dëshirat nuk i’a shuajnë dritën e intelektit e as nuk i’a humbin toruan. As motivet epshore s’e poshtërojnë dhe as gjërat e pavlera nuk e okupojnë.
  • 10. Të bësh gjithmonë kujdes nga thyerja dhe zbehja e entuziazmit, sepse këto nuk të kurorëzojnë me aureolën e lavdisë, andaj, qëndro i durueshëm dhe i ngulmët!
  • 11. Kush punon me zell e vjel të mirën, kush kërkon gjen, kush mbjell korr dhe kush tregohet guximtar e tejkalon sfidën.
  • 12. Milingona e përsërit tatëpjetën një mijë herë, bleta me gumëzhimat e saj kalon nga lulja në lule, po kështu dhe ujku lë anash bredhjet argëtuese për të zënë gjahun e tij.
  • 13. Shpata të pret kur lëviz. Vetëtima ndriçon kur shkrepëtin. Kush shfaq modestinë lartësohet. Uji që rrjedh është i pijshëm.
  • 14. Përtacët janë të pavlerë. Endacaku është i hutuar. Përtaci nuk të siguron ndonjë gjë të dobishme. Njeriu i shpresave të rrejshme është i falimentuar.
  • 15. Ai që nuk digjet në fillimet e tij, nuk do të shndërrisë në fundin e tij; kush përpiqet në rininë e tij, triumfon në pleqëri.
  • 16. Vëndoja veshin vëlla se në Kuranin famëlartë janë këto porosi: “garoni…”, “shpejtoni…, “përpiquni…”, “duroni dhe bëhuni të vendosur!”
  • 17. Në retorikën profetike i gjejmë këto perla: “Kujdesu për atë gjë që të sjell dobi!”, “Ndërmerrni iniciativa!”, “Dy begati janë të humbura tek shumica e njerëzve: ‘shëndeti dhe koha e lirë’ “.
  • 18. Ebu Bekri (r.a.) ishte shoqëruesi i profetit a.s. Ai shpenzoi tërë pasurinë në rrugën e Islamit. Falë besimit të tij, ai ishte rezistues i vendosur para të gjithëve. Ja pse ftesa për në parajsë i’u bë nga të tetë portat e saj.
  • 19. Nga Omeri (r.a.) iknin demonët dhe më shumë se një herë fjalët dhe veprimet e tij i miratoi Shpallja Qiellore.
  • 20. Othman ibn Affani u përlesh me një ushtri të vështirë, zgjidhi krizën e ujit në Medine. Ishte lexues i zjarrtë i Kuranit dhe ashik i tij.
  • 21. Aliu (r.a.) u spikat në betejën e Bedrit. Në luftën e Hajberit ai shkuli i vetëm portën kryesore të kështjellës. Goditi për vdekje heroin e famshëm të arabëve Murhibanë dhe e mbyti Omer ibn Vedunë'( kalorës i shquar në mesin e arabëve të etapës së i jorancës) në ditën e Hendekut.
  • 22. Halid ibn Velidi marshoi në qindra beteja. Ndërsa vetëm në luftën e Jermukut me dorën e tij shpartalloi shumë armiq. Aq sa në dyluftime theu nëntë shpata.
  • 23. Zūbejr ibn Avâmi u plagos në çdo pjesë të trupit të tij ndërkohë vazhdonte shpatën ta mbante në mbrojtje të të Dërguarit, gjersa në parajsën e bukur u bë shoqërues i tij.
  • 24.Talha ibn Zubejr u godit rëndë dhe i’u paralizua dora.
  • 25. Handheleja ra martir duke qenë në gjendje xhunublleku dhe trupin e tij e pastruan engjëjt.
  • 26. Arshi madhështor i Allahut të Pafundëm u dridh për shkak të vdekjes së Se’ad ibn Mu’âdhit (r.a.)
  • 27. Ubej ibn Ke’abie përmbledhi Kuranin dhe këndimin e tij e bënte me një gjuhë të kulluar; atë e përmendi Allahu në Transedencën e Tij të lartësuar dhe e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t’ia lexonte kaptinën el-Beijineh.
  • 28. Ibn Aüfi dha lëmoshë për të varfërit njëmijë deve të cilat qenë me barrë, ndërsa Ebu Talha (r.a.) e fali gjithë arën e tij për hir të Zotit të Gjithmëshirshëm.
  • 29. Ebü Hurejreja, sahabiu i shkëlqyer i të Dërguarit a.s., e memorizoi pjesën më të madhe të dijes profetike; ai e ndante natën në tri pjesë për tri aktivitete: namaz, shtjellim të diturisë dhe gjumë.
  • 30. Ahmed ibn Hanbeli eci në këmbë plot njëmijë milje në kërkim të dijes profetike. Memorizoi mijëra trashegimi profetike ndërsa “Musnedin” e tij të përmendur e la plot me katërdhjetë mijë hadīthe.
  • 31. Xhâbir ibn Abdullahu për një hadith të vetëm udhëtoi një muaj gjer në Egjipt.
  • 32. Ibn Musejibij për hir të një çështjeje shkencore/islame bëri tri ditë udhë në këmbë.
  • 33. Ibn Hibânie përcolli hadīthin nga një mijë dijetarë kolosal. E koleksionoi “Sahihun” aq sa u bë vetë mrekullia, u thellua nëpër arte gjersa u bë figurë unike e kohës së vet.
  • 34. Muzniu e përsëriti veprën e famshme të imam Shafiut pesëqind herë, kurse eruditi i Andalusisë e përsëriti “Buhariun” shtatëqind herë.
  • 35, Ebu Is’hak Esh-Shiraziue përsëriste leksionin e tij njëqind herë, kurse çdo analogjie i rikthehej deri në njëmijë herë dhe kështu arriti të përpilonte gjithsej njëqind vëllime.
  • 36. Ibn Akili i koleksionoi artet në tetëqind vëllime, hante susamin e bukës për me qenë në disponim para leximit të pesëdhjetë ajeteve kuranore.
  • 37. Ibn Tejmija për një ditë shkruante katër fletore, kurse me një të ulur shkruante një libër. Ja, dhe për të u shkrua nga më shumë se njëmijë biografë.
  • 38. Ibn Xheriri shkruante njëqindmijë faqe në ditë.
  • 39. Ibn Xheuzīu sistemoi një mijë koleksione shkencash.
  • 40. Ibn Enbàrīju pllakosi në kujtesë katërqind tefsire (interpretime kuranore).
  • 41. ‘Ata ibn ebi Rebâha qëndroi në Xhaminë e Shenjtë tridhjetë vite në kërkim të diturisë së bekueshme qiellore.
  • 42. E’amâshiut nuk i iku tekbiri i ihrâmit për gjashtëdhjetë vite me radhë.
  • 43. Ibn Idrīsi e bëri hatme Kuranin në shtëpinë e tij gjithsej katërmijë herë, Shâfiu gjatë muajit të Ramazanit e bënte hatme Kuranin gjashtëdhjetë herë, Buhâriu tridhjetë here, kurse Imâm Ahmedi në një ditë të vetme i falte treqind rekate.
  • 44. Ebū Hurejreja bënte dymbëdhjetë mijë tesbihe (madhërim i Zotit) në ditë, ndërsa Halid ibn Mervâni bënte njëqindmijë tesbihe në ditë.
  • 45. Në kohën tonë pati të tillë që lexuan kaptinën “Ihlâs njëmijë herë në ditë, po edhe të tillë që e bënin çdo ditë Kuranin hatme; pati edhe të tjerë që bënin pesëmbëdhjetëmijë tesbihe – dhikër në ditë.
  • 46. Sibevejhi ishte vetëm tridhjetë vjeç kur shkroi librin e njohur të gramatikës arabe, kurse imam Neveviu vdiq në moshën katërdhjetë vjeçare duke lënë pas vetes një trashëgimi gjigante të diturive të bujshme islame.
  • 47. Tarfete ibn el-Abd njëri nga krijuesit e lirikës poetike “el-Mualikat” kur u vra ishte 16 vjeçar, ndërsa Muhamed ibn Kasim udhëhiqte ushtrinë në moshën 17 vjeçare.
  • 48. Hassani – nipi i profetit a.s. transmetoi hadithe nga gjyshi i tij (bekimet qofshin mbi të) që në moshën 5 vjeçare.
  • 49. Ibn Abasi memorizonte hadīthet e profetit Muhamed a.s. që në moshën tetë vjeçare.
  • 50. Ibn Tejmija përgjigjej për çështje islame që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.
  • 51. Ibn Haxher Askalaniu e shkroi librin e tij të famshëm “Fet’hul bari’ë” në moshën tridhjetë e dy vjeçare.
  • 52. Ebi Abid el-Kâsim shkroi librin “el-Garib” në moshën 40 vjeçare, ndërkaq Esfahaniu librin e titulluar “el-Aganij” e shkroi në moshën pesëdhjetë vjeçare.
  • 53. Kur Mesruku kryente haxhin nuk bënte gjumë veçse kur binte në sexhde.
  • 54. Esved ibn Jezīdi agjëronte derisa trupi i merrte ngjyrë të gjelbërt.
  • 55. Jezīd ibn Hârüni nga mallëngjimi i thellë për Zotin qante derisa i treteshin sytë.
  • 56. Ebu Musa el-Eshariut i plasnin këmbët nga të ecurit e shumtë në kërkim të diturisë.
  • 57. Imam Buhariu ka thënë: “Nuk nxora nga goja asnjë gënjeshtër që prej kur kam ëndërruar”.
  • 58. Imam Shâfiu thoshte: “S’u betova në Allahun kurrë; as në të vërtetë e as në rrenë’’.
  • 59. Nuk shkëlqen ai që s’luan dot nga vendi, poashtu nuk dështon ai që reziston. Kush piqet në rininë e tij e fiton pushtetin ndaj impotencës energjike në pleqëri.
  • 60. Uji i ndenjur prishet, bilbili i burgosur ngordh, luani kur prangoset i nxihet faqja nga turpi!
  • 61. Ushqimi më i lezetshëm është pas urisë, uji më i shijshëm është pas etjes, gjumi më i lezetshëm është pas lodhjes dhe suksesi më i bukur është pas flijimit.
  • 62. Librat t’i sjellin ndërmend urtësitë, por ato nuk diplomojnë të urtët; po kështu edhe shpata e tregon veten veçse kur bie në pëllëmbën e trimit!
  • 63. Noti nuk mësohet në fletore por në ujë, sporti nuk skalitet nëpërmjet ekranit por në fushë.
  • 64. Dynjaja kapet përmes ndërmarrjeve, pazari i lavdisë për klientët ofron çmime të shtrenjta, jeta është plot dyndje dhe medalja fitohet mbas luftës sypatrembur.
  • 65. Ai i cili ka ambicie të flaktë, Un të paepur, aktivitet të dendur, durim te vazhdueshëm, në të vërtetë është njeri unik.
  • 66. Ebu Muslim Horosaniti thanë “Çke kështu o i urtë që nuk po bën gjumë”? U përgjigj: “Për shkak të ambicies së trazuar, vendosmërisë së vrulltë dhe Unit që nuk ankohet”.
  • 67. Kuajt më të shpejtë i kalërojnë mbretërit. Gomerëve të ngathët e pasivë i’u grahin skllevërit. Luani përpirës me guximin e tij e zotëron xhunglën.
  • 68. Nuk të fut tmerrin shpata pa vizëlluar në shpejtësi, e as nuk të trishton bubullima pa lëshuar ushtimën e saj; nuk ik askush nga korenti derisa t’i kërcasin dhëmbët!
  • 69. Thomas Edisoni thuhet, se bëri dhjetë mijë eksperimente dhe me të gjitha i’a huqi por vazhdoi derisa në fund i’a qëlloi dhe tregoi sukses si novator e gjenial.
  • 70. Albert Ainshtajni e ofroi tërë jetën e tij në shërbim të Teorisë së Relativitetit.
  • 71. Ibn Xheuzīut i’a dogjën të gjitha lapsat për të ngrohur ujin me të cilin do ta lanin kufomën e tij.
  • 72. Nga pluhuri i çallmës së Salahüdin Ejubit u bë një tullë e vogël të cilën e vënduan nën kokën e tij brenda në var.
  • 73. Bartja e thasëve dhe torbave të rënda me ushqim natën për skamnorët la gjurmë dhe damkë në trupin e Alij ibn Huseinit.
  • 74. Në Kuran janë këto citate: “Nuk ka për njeriun fitim tjetër, vetëm për atë çfarë është orvatur. Pa dyshim se orvatja e tij ka per t’u parë, pastaj do të shpërblehet me shpërblim të vërtetë” (Nexhm: 39/41)
  • 75. Tingujt më të ëmbël i bëjnë këmbanat e veprimtarëve. Kokat më të bekuara janë kokat e thinjura. Kotja më shembullore është kotja e punëtorëve dhe gjaku më i pastër është gjaku i martirëve!
  • 76. Ai i cili e sundon egon e vet është më i madh se ai që e çliron një qytet. Ai i cili u bën ballë tundimeve është më i pastër se ai i cili lufton me një ushtri.
  • 77. I suksesshëm është ai që punon vazhdimisht, dobia e së cilës e ndjek edhe pas vdekjes, kurse dështaku ndjek pasionin e vet dhe vazhdon të ketë shpresë nga Allahu për t’i dhënë siguri.
  • 78. Ebü Talha el-Ensârīu katërdhjet vite bëri agjërim pandërprerë.
  • 79. Ibn Musejibi kreu haxhin për gjashtëdhjetë herë.
  • 80. Imâm Ahmed ibn Hanbeli dha përgjigje me argumente për gjashtëdhjetë mijë çështje fetare!
  • 81. Ibn Batūta i ra qark botës në moshën tridhjetë
    vjeçare. Në udhëtimet e tij grumbulloi çudira dhe urtësi aq sa u bë temë diskutimi i zamanit të tij!
  • 82. Ibn Halduni u izolua në kështjellën e tij dhe aty shkroi historinë e jetës, e ngjyrosi dhe e shenjëzoi atë duke u bërë argument për vizitorët pasionantë.
  • 83. Ibn Asâkir el-Hâfidh e shkroi historinë e Damaskut në moshën gjashtëdhjetë vjeçare. Nuk la dijetar, letrar, poet, urtar e rrëfimtar të Damaskut pa e shënuar në punimin e vet.
  • 84. Kur Ibn Tejmijes i vështirësohej një çështje bënte istigfar njëmijë herë. Ndërsa nxënësit e Hatib el-Bagdadit duke qenë në udhëtim i thanë- “Na fol diç!” I’u tha: -“Le të fillojmë me Kuranin”; e lexoi atë nga fillimi deri në fund dhe më pas i’u mbajti fjalim.
  • 85. Fisnikët e tu të përjetshëm janë librat. Ulu me to, bisedo me to, konsultohu me to, dialogo me to. Zemra jote do të shkriftohet, forca jote do të lartësohet dhe dita jote do të përmirësohet.
  • 86. Ebi Tahir Es-Selefiuti thanë: “Prej nga e ke të gjithë këtë dituri?”- Ai tha: “Duke ndenjur me libra në shtëpinë time plot shtatë dhjetë vjet”.
  • 87. Nata është koha e të dashuruarve. Përkujto: Zoti ditën apo natën e ngjiti të dashurin e Tij, Muhamed, afër Vetes?
  • 88. Vëllai im, përmbaju ecjes në këmbë, sportit, pastërtisë, elegancës, miskut, dukjes së bukur. Sepse të suksesshmit janë të fuqishëm dhe të shëndetshëm në trup dhe të ndriçuem në pamje.
  • 89. Shtëpia pa bibliotekë, si një shkretëtirë shterpë.
  • 90. “E bekoftë Allahu umetin tim në mëngjesin e tij” – thotë hadithi profetik. Po deshe punë, zgjohu herët në mëngjes sepse ato janë çastet më të lumtura dhe më të bekuara!
  • 91. Mos ndalo, se engjëjt shkruajnë, jeta është e kurdisur, ajo bën tik-tak, vdekja po vjen, e çdo shpirt që del nga kjo botë, nuk rikthehet më në të!
  • 92. Kush në jetën e tij mbjell fjalën “pastaj”, tek ai do të mbijë psherëtima “ah sikur. Të gjitha këto do të kenë shijen e pendimit dhe keqardhjes!
  • 93. I këshilloj miqtë e mi që të lexojnë biografitë e njerëzve të mëdhenj dhe kokave gjeniale, derisa të influencohen prej tyre fuqishëm! Pasi biografitë dhe historitë e tyre janë “ushtri nga ushtria e Zotit të madhërishëm.”
  • 94. Bashkëvepro me njerëzit me anë të kësaj kulture: Kush të bëri mirë – falënderoje; Kujt i hyre në hak shprehi keqardhje; Kush të shau – thuaji paqë e selam.
  • 95. Kur të gdhish, mos e prit mbrëmjen, por kape mundësinë! Bëj kujdes nga e papritura, ruaju hamendësimi te prolongimit dhe kur të marrësh vendimin, mbështetu në të Gjithëdijshmin!
  • 96. Dituria rritet me kërkim, mendja me përvojë, feja me adhurim, pasuria me mesatari, shoku me edukatë, armiku me kryelartësi, sëmundjet me ushqim të pamatur, zemrës i shtohet forca me dhembje, përmendja jote për të mirë derdhet me përmirësimin e të brendshmes sate.
  • 97. Po të mos iu kishte thënë Jakubi a.s. bijëve të tij: “Jo se kam frikë për Jusufin të mos e hajë ujku!” ata nuk do të trillonin që e ka ngrënë ujku. Por Jakubi a.s. ua kujtoi atyre e ata e kuptuan se çka e plagos më shumë babain e tyre. Si shpërblim për atë se ai nuk i puth ata aq sa e puth Jusufin.
  • 98. Novacioni shpërthen atëherë kur takon ekspertizmin tënd, kur puthitet dhuntia jote me punën që bën: “secili grup e dinte tashmë vendin ku të pinte ujë”. (Bekareh: 68) “Secili (popull) ka një anë të cilës ai i kthehet” (Bekareh: 148)
  • 99. Të suksesshmit nuk dëmtohen nga fjalët e të rrëzuarve që kukurrisin nga poshtë, ngaqë ata rrinë lartë në maje të thepisura, siç ka thënë poeti gjenial Mutenebbiu: “Kur Allahu do që ta shpërndajë një virtyt,
    Ndaj tij e disponon llafosjen e ziliqarit. “
  • 100. Kritika e të padrejtit është forca e suksesit, reklamë falas dhe vlerësim për të suksesshmin. Ide kreative për të bërë bujë shkëlqesia e tij. Mutenebbiu poashtu vargëzon:
    “Kur rrebesh më vijnë kritikat nga gjysmaku,
    Ajo është dëshmi se unë jam i plotësuar.”
  • 101. I suksesshmi prezanton projekte para të cilave dorëzohet edhe imagjinata, mbeten me sy hapur njerëzit e mëdhenj. Nga madhështia e tyre shpirti dehet i mahnitur.
  • 102. I suksesshmi nuk jeton për ngjarje shterpë, të thata dhe pa jetë; nuk është zero i pavlerë, e as një numër tepër mbi koren e tokës!
  • 103. Kur të të kryqëzojnë problemet, kujtoje Zotin. Thuaj gjithmonë: “falënderuar qoftë Zoti”. Anijen e Titanikut e ndërtuan njëqind njerëz, kurse anijen e Nuhut a.s. vetëm një njeri. E para fundosi plot, kurse e dyta shpëtoi plot.
    Ne nuk jemi autoktonë në këtë nënqiell. Shpresoj më parajsën, atje në fillesë ku babai ynë jetoi. Ai është vendi ynë.
  • 104. Jeta është e bukur, por më e bukur se ajo, je ti me besimin tënd. Largohu nga thashethemet ngase ti ke vepra sa kodrat për të bërë. Luftoje egon tënde për përudhje ndaj të Vërtetit, ngase ajo është e predispozuar të anojë nga e keqja. Bleje me ca denarë lutjen e të varfërve dhe të gjorëve.
  • 105. Kush vardiset pas dëshirave dhe dalldive shpejt rrëzohet, i zbulohet gënjeshtra, i shfaqet e meta dhe turpësia.
  • 106. Në Xhaminë e Shenjtë takova një plak i cili i kishte kapërcyer tëtetëdhjetat, e kishte memorizuar komplet Kuranin si kaptinën Fatiha. E lexonte atë ulur dhe shtrirë. Gjatë bisedës tha: “Miqësimi me këtë libër, më ka bërë të harroj këtë botë dhe çka në të.”
  • 107. Kush i shërben të drejtës, atij do t’i shërbejë foltorja, kush lidhet pas librave dhe leximit, të mëdhenjtë do ta dekorojnë dhe homazhe nderi do t’i bëjnë.
  • 108. Xhamia është tregu i ahiretit, libri shoku i jetës, vepra jote shoqërues në varr, morali i bukur kurorë nderi dhe dinjiteti rroba më e bukur.
  • 109. Merre asketizmin stil të jetës dhe do të gjesh rehati nga lodhja e mundimet që ndërlidhen me këtë botë!
  • 110. Nëse je burrë do ta kesh një grua, nëse je mashkull do ta kesh një femër, nëse je mbret do ta kesh një mbretëresha, nëse je princ do ta kesh një princeshë, nëse je asgjë do të kesh vetëm asgjë.
  • 111. Gjysma e bukurisë së njeriut është gjuha. Andaj, flisni ëmbël!
  • 112. Morali i të suksesshmit përbëhet nga optimizmi dhe entuziazmi, aftësia për t’i shlyer gabimet dhe për të dalë nga vështirësitë dhe dhuntia për t’i kthyer humbjet në fitore.
  • 113. Pikël pas pikle bëhet lumi, dinar pas dinari ngrihet kapitali, fletë pas flete bëhet libri, nga ora në orë përbëhet jeta!
  • 114. Ti nuk je i vetëm në bibliotekën tënde, me ty janë mijëra dijetarë, poetë dhe urtarë. Çke që rri me barbarët, ndërkohë i shpërfill dijetarët, poetët dhe urtarët?
  • 115. E djeshmja iku, e sotshmja është në udhëtim, e ardhmja akoma nuk ka lindur, ti i dashuri im, shfrytëzoje çastin tënd që ke në dorë sepse ajo është ajka e begatisë!
  • 116. Poetët më të mëdhenj botëror janë pesë:
    a. Muhamed Ikbâl
    b. Mevlâna Xhelâludin Rūmi
    c. Se’ad Shirazi
    d. William Shakespeare
    e. Rabindranath Tagore
  • 117. Besimtari nuk është pa mendje që analizon, pa shikim që vrojton, pa një gjuhë që Zotin e kujton, pa një zemër që gjithnjë është mirënjohese. Ai kur e gjen punën me durim e përfundon!
  • 118. Në një minutë të vetme mund të bësh njëqind tesbihe, mund të lexosh një faqe nga Kurani, mund t’i lexosh tre faqe mesatare nga një libër, mund t’i shkruash një letër të ngrohtë mikut dhe mund ta lexosh kaptinën Ihlas tre herë.
  • 119. Në çdo kohë dhe vend ke për të gjetur re errësire që do zbresin mbi jetën tënde. Nuk të mbetet tjetër gjë për të bërë veç ta ndezësh llampën që ke në zemër.
  • 120. Njeriu analfabet është si i çmenduri që logjikën e ka humbur apo si foshnja që nga mitra e nënës posa ka dal dhe s’di asgjë.
  • 121. Më ka mësuar jeta se ai i cili kujdeset për shenjtërinë e fjalës së Zotit, Zoti do të kujdeset për mbrojtjen e tij. Ai i cili kujdeset për të jashtmen e tij trupore dhe të brendshmen e tij shpirtërore, Zoti do të kujdeset për mbrojtjen e tij. Ai i cili e ruan ndershmërinë e asaj që ka në mes këmbëve dhe asaj që ka në mes dy buzëve, Zoti do të kujdeset për mbrojtjen e tij. Ai i cili e kujton Zotin në kohëra të vështira, Ai do ta kujtojë atë (siç i takon Atij) në kohëra të mira. Ai i cili e respekton pafundësinë e Zotit në rininë etij, Zoti do të kujdeset për të në pleqërinë e tij. “Në të vërtetë Allahu është Ruajtësi më i mirë” (Jüsuf, 64)
  • 122. Ndërtimi është shumë i vështirë, kurse rrënimi është shumë i lehtë. Qytetet, fshatrat, rrugët, kështjellat, godinat, vilat e shtëpitë luksoze që janë ndërtuar ndër qindra vite mund të rrënohen për disa çaste. Morali, vlerat, edukata, qytetërimi dhe ideali që janë ndërtuar ndër shekuj mund të rrënohen për disa ditë dhe net. Ç’mendim keni ju të dashurit e mi: Nëse janë njëmijë ndërtues dhe mbrapa tyre rri një rrënues a do të ngritet godina? Assesi nuk mund të ngritet! Por çka nëse është një ndërtues dhe mbrapa tij rrinë njëmijë rrënues?! Shih: mjetet e informimit në të shumtën e rasteve rrënojnë, shoqëria dhe shkollat poashtu, ndërkohë që ndërtuesit janë të paktë, nëse krahasohen me rrënuesit. Por ja: e vërteta lartësohet dhe gënjeshtra përtoket.
  • 123. Nisaburi e përsëriti së lexuari “Sahihun e Muslimit” njëqind herë, Ibn Sina librin e Farábiut e këqyri katërdhjetë herë kurse të tjerë e lexuan “el-Mugniun”me dhjetëra herë.
  • 124. Ibn Hazmiut i’a dogjën të gjitha librat, ai filloi ti rishkruante ato nga kujtesa e vet! Katadeja memorizonte duke qëndruar mbi deve, ndërsa Sh’abiu thoshte: “Nuk kam shkruar diçka të zezë mbi të bardhë, që të mos e kem shënuar në kujtesë”.
  • 125. Sufjan Theurīu falej gjithë natën derisa dilte agimi, Ibn Mubâreku duke ndenjur në këmbë e studionte hadithin profetik deri në mëngjes, Emin Shenkīti vetëm për një çështje akademike kalonte një ditë dhe një natë duke e shqyrtuar deri në hollësi.
  • 126. Jahja ibn Muini shkruante fjalët e të Dërguarit të Zotit me mijëra herë, mbase e shkruante një hadith profetik pesëdhjetë herë me radhë, ndërsa Sh’abiu kolosal thoshte: “Më e pakta që kam regjistruar në kujtesën time janë poezitë që i kam memorizuar, po deshët u’a recitoj vargas për një muaj të plotë!”
  • 127. Të suksesshmin e nderojnë edhe fëmijët e qytetit të tij, kurse me dështakun tallet çdonjëri edhe nëse i kërkojnë rishtazi njëmijë herë ndjesë atij!
  • 128. Kush për hir të dijes zgjohet herët siç zgjohet korbi, duron me durimin e gomarit, insiston me ngulmin e luanit dhe i vërsulet gjahut me shpejtësinë e ujkut, ai ka për të tubuar dije me bollëk.
  • 129. Përtaci është i privuar nga mirësitë, i papuni është i penduar, me punë e lëvizje zbret bekimi.
  • 130. Rruga e suksesit është e vështirë. Në atë rrugë qau Nuhu a.s., u therr Jahja a.s., u ekzekutua Omeri r.a., kulloi në gjak Othmani r.a., u vra Aliu r.a. dhe u torturuan shumë dijetarë.
  • 131. Imami i ndriçuar el-Buhariu e përpunoi disa herë “Sahihun” e tij, për çdo hadith merrte abdes dhe falte dy rekate namaz vullnetar. Këtë e bënte për frymëzim dhe pastrim të mendjes.
  • 132. Ti ke për të jetuar mbi dheun e kësaj toke vetëm një herë. Prandaj kur të gabosh kërko ndjesë, kur të përmallohesh fol, kur të biesh në dashuri shprehe atë. Mos rri i heshtur! Bëje që kush të të sheh të urojë me qenë si ti. Kush të njeh të lutet për të mirën tënde. Kush dëgjon për ty të dëshirojë të të takojë. Kush parfumoset me moralin e tij nuk do të ndalojë aroma e tij edhe kur te jetë shtrirë nën tokë.
  • 133. Ahmed ibn Hanbeli ishte i vendosur për hir të diturisë, Ebu Hanifja shiti gjësende të shtëpisë së tij për përfitim të diturisë; Sufjan Theuriu u përball me urinë tre ditë duke kërkuar dijeninë e bekueme muhamedane.
  • 134. Imam Neveviu lexonte dhe përpilonte, memorizonte, falej dhe Zotin e madhëronte; kur kotej, merrte një sy gjumë duke qenë ulur. Sheukaniu predikonte dymbëdhjetë mësime akademike në ditë. Ibn Sīnâ për një ditë të vetme shkruante njëzet e pesë faqe që buronin nga intelekti i tij i ndriçuar.
  • 135. Profeti Idris a.s ka qenë rrobaqepës, Davudi a.s farkëtar, Musai a.s bari; Ibn Musejibi shiste vaj, Ebū Hanifja shiste basa (lloj teshash).
  • 136. Iniciativë, iniciativë, o ju të gjallë; përpara se të kalojë jeta dhe të paloset fletorja që shënon gjurmët, sepse ditët dhe netët nuk e sigurojnë përjetësinë. Ato ikin dhe s’vijnë më përsëri.
  • 137. Na ruajt Zoti nga shterja e ambicies, nga ngushëllimi në iluzione, nga të krenuarit me qëllime të kota, nga mendje trashësia dhe nga pakujdesia!
  • 138. Aliu r.a. kërkonte shehidllëkun në Bedr por nuk e gjeti. I thanë “Eja në Uhud!” U tha: “Mbase mund të jetë në Hendek”, vajti atje, nuk e gjeti. I thanë: “Lype në Haiber”, kur vajti i thanë: “Vonë!”. Në fund tha: “Sa i bukur që është shehidllëku në xhami!”
  • 139. Dituria ruhet duke punuar me të, duke u’a mësuar të tjerëve dhe duke e shkruar atë. Kush e memorizon, e përsërit, e përkujton, e mëson dhe e shpërndan atë, ajo i ngulitet në gjoks atij përgjithmonë!
  • 140. I suksesshmi patjetër duhet të jetë vigjilent, gjithnjë në kërkim, ta ruajë dhe vlerësojë kohën, të jetë i varur nga të soditurit e vazhdueshëm dhe aspirues i majave më të larta.
  • 141. Ibn Abasi tha: “U shkriva duke kërkuar, u krenova duke u kërkuar”.
  • 142. Muxhahidi ka thënë: “Nuk i ngjiten dijes nga mbrapa dy lloj njerëz: i ndrojturi dhe mendjemadhi”.
  • 143. I suksesshmi nuk e duron dot mburrjen egoiste. Në kohën e lumturisë ai është i rrëmbyer nga puna, ndërsa në kohën e punës është i rrëmbyer nga lumturia.
  • 144. Zbrazëtia është shkatërruese, gjërat e shtrenjta janë të zaptuara ndërkohë shumica e njerëzve ecin zvarrë. Shih një djalosh të ri por të trembur si një veturë para përplasjes.
  • 145. Halil ibn Ahmed shtatëdhjetë vite ka jetuar me bukë e vaj, po aq vite kaloi edhe Sufjan Theuriu duke u ushqyer vetëm me bukë të elbit. Këtë e bënë për shkak të vëmendjes së tyre të rafinuar ndaj botës akademike e shpirtërore.
  • 146. Me njeriun e suksesshëm është i kënaqur Zoti i tij për shkak të besimit që ka në zemër, familja e tij për shkak të afërsisë dhe dashurisë që buron nga ai, njerëzit përreth për shkak të moralit të bukur të tij. Ndërsa shoqëria shkaku i dobisë që kanë prej tij.
  • 147. Ebu Bekr Besniku, ngriti dhe udhëheqi dy vite hilafetin dhe shembi të pafetë zullumqarë. Po aq vite udhëhoqi Omer ibn Abdulazīzi dhe në kohën e tij lulëzoi drejtësia, u shkul padrejtësia dhe u ringjall retorika islame.
    Ibn ebi Xhe’adiu i’u rrekë për dy vite diturisë dhe u bë referencë në qytetin e tij.
  • 148. Ibn Tejmije u burgos dhe doli nga burgu me
    fetvatë e tij tridhjetë vëllimshe. Ibn Ethirij u paralizua dhe e shkroi “Xhâmi’ael-Usül”, punim ky që përbëhet poashtu prej tridhjetë vëllimeve akademike. Imâm Serhâsīuu burgos nga sulltani i zemëruar dhe gjatë asaj kohe ai shkroi librin e fik’hut (jurispudencës islame) “el-Mebsüt” i përbëre nga tridhjetë vëllime.
  • 149. Çdo mendim që i shkrepte në mendje Ibn Xheuziut, ai e shkruante menjëherë; ndërsa librin e Fet’h ibn Hakânit e mbante në xhep gjithnjë dhe e lexonte në çdo kohë. Hatīb el-Bagdâdi lexonte edhe atëherë kur ecte.
  • 150. Omer ibn Abdulazīzi tha: “Unë kam një shpirt ambicioz, uroja të bëhesha princ i Medines dhe u bëra, më pas desha të martohesha me vajzën e Velid ibn Abdul Melikut dhe u martova, më vonë uroja të merrja postin e halifes dhe këtë e arrita”.

 

Dr. Aid el Karni | Çelësi i Suksesit

Artikulli paraprak10 arsye pse duhet të mbështesni bizneset në pronësi të muslimanëve
Artikulli tjetërTre këshilla të fuqishme për të tejkaluar frikën