10 metodat më efektive për menaxhim më të mirë të parasë

Menaxhimi efektiv i parave është absolutisht thelbësor në jetën moderne në të cilën në jetojmë sot. Marrja nën kontroll e financave tuaja dhe rregullimi i jetës suaj financiare, më herët sesa më vonë, është shumë e rëndësishme. Unë besoj fuqimisht dhe sinqerisht se nëse keni financa të mira mund të jepni më shumë bamirësi, të kontribuoni më shumë në ummet dhe gjithashtu të bëni një jetë të mirë.

Si muslimanë, të gjithë duhet të përpiqemi të kemi një cilësi të mirë të jetës dhe të synojmë për më të mirën në gjithçka që bëjmë. Sigurisht që gjithçka ka të bëjë me një ekuilibër, por ne duhet të pranojmë se shumë shokë të nderuar ishin financiarisht të qëndrueshëm dhe kështu ishin në gjendje të ndihmonin umetin. Umeti ka nevojë të ketë njerëz afaristë, sipërmarrës të aftë dhe njerëz që kanë një bazë të mirë në financa.

Prandaj, duke pasur aftësi të mira financiare dhe duke qenë të mirë me paratë do të na lejojë të kemi kontroll mbi jetën tonë, do të na mundësojë që të kemi mundësi dhe gjithashtu të jetojmë një jetë ku ne mund të kontribojmë. Sidoqoftë administrimi i parave tuaja si çdo gjë kërkon kohë për tu kuptuar dhe përmirësuar.

Këtu janë 10 hapa themelorë për t’ju ndihmuar të menaxhoni paratë tuaja në mënyrën e duhur:

   1. Mendoni para se të shpenzoni

Paratë që kemi janë një amanet nga Allahu prandaj mos i shpenzoni ato pa nevojë. Jini të mençur me paratë tuaja dhe natyrisht shpenzoni për familjen tuaj pasi në këtë ka bereqet. Sidoqoftë kur përballeni me një nevojë ku kërkohet vendim për shpenzim, veçanërisht një vendim për një blerje të madhe, atëherë mos u mjaftoni vetëm duke supozuar se mund të përballoni këtë shpenzim. Konfirmoni që në fakt mund ta përballoni atë dhe se të njëjtat fonde nuk i keni ndarë ose planifikuar për një shpenzim tjetër. Kjo do të thotë të përdorni buxhetin tuaj dhe gjendjen në llogaritë tuaja të kursimit për të vendosur nëse mund të përballoni një blerje. Mos harroni se vetëm sepse paratë janë aty nuk do të thotë që ju mund të bëni blerjen. Ju gjithashtu duhet të merrni parasysh të gjitha faturat dhe shpenzimet tuaja që do të duhet të paguani para ditës tuaj të pagesës së rradhës. Është jetike që të mendoni para se të shpenzoni!

   2. Monitoroni shpenzimet dhe harxhimet tuaja

Blerjet e vogla këtu dhe atje shtohen shpejt dhe para se ta dini, ju e keni harxhuar buxhetin tuaj. Filloni të gjurmoni shpenzimet tuaja për të zbuluar vende ku ju pa e ditur jeni duke shpenzuar tepër . Ruani faturat tuaja dhe shkruani blerjet tuaja në një ditar shpenzimesh, duke i kategorizuar ato në mënyrë që të identifikoni fushat ku keni vështirësi për të mbajtur shpenzimet tuaja nën kontroll. Ka shumë aplikacione që mund t’ju ndihmojnë të gjurmoni shpenzimet tuaja.

   3. Mbani një buxhet komod

Shumë njerëz nuk bëjnë përmbledhje të shpenzimeve sepse nuk duan të kalojnë atë që ata mendojnë se do të jetë një proces i mërzitshëm i renditjes së shpenzimeve, mbledhjes së numrave dhe sigurimit që gjithçka të përputhet. Por nëse jeni keq me paratë, me të vërtetë nuk keni vend për justifikime me buxhetin. Nëse gjithçka që duhet të bëni për të vendosur shpenzimet tuaja në udhë janë disa orë ne muaj duke punuar në buxhet, pse nuk do ta bënit atë? Në vend që të përqendroheni në procesin e krijimit të një buxheti, përqendrohuni në vlerat që do të sjellë buxhetimi në jetën tuaj.

   4. Kontribuoni rregullisht në kursimet tuaja

Depozitimi i parave në një llogari kursimi çdo muaj mund t’ju ndihmojë të ndërtoni zakone të shëndetshme financiare. Mund ta vendosni edhe në mënyrë që paratë të transferohen automatikisht nga llogaria juaj e kreditit në llogarinë tuaj të kursimeve. Në atë mënyrë, nuk duhet të mbani mend të bëni transferimin. Të jesh i mirë me paratë kërkon praktikë. Në fillim, ju nuk mund të jeni mësuar të planifikoni përpara dhe të shtyni blerjet derisa të mund t’i përballoni ato. Sa më shumë që i bëni këto zakone pjesë të jetës tuaj të përditshme, aq më lehtë është të menaxhoni paratë tuaja dhe aq më mirë do të jenë financat tuaja. Filloni me kontribute të vogla në këtë drejtim dhe gradualisht kjo do të sjellë një ndryshim të madh!

   5. Kurseni për çdo blerje të madhe

Aftësia për të vonuar kënaqësitë momentale do të ndihmojë shumë që të jeni më mirë me paratë. Kur i shmangni blerjet e mëdha, në vend që të sakrifikoni gjërat më të rëndësishme ose të bëni blerjet nga një kartë krediti, i jepni kohë vetes për të vlerësuar nëse blerja është e nevojshme dhe madje edhe të krahasoni çmimet. Prandaj bëni gjithçka që keni mundësi për të kursyer më shumë për blerjet e mëdha pasi më vonë do të shihni se atëherë do ti vlerësoni më shumë.

   6. Vendosni një qëllim / objektiv kursimesh

Disa njerëz e kanë të vështirë të motivohen për të kursyer, por shpesh është shumë më lehtë nëse vendosni një qëllim.

Hapi juaj i parë duhet të jetë që të keni disa kursime emergjence (kjo nuk mund të negociohet) – duhet të keni para për t’u rikthyer nëse keni një urgjencë, siç është prishja e një bojleri ose nëse nuk mund të punoni për një kohë. Mundohuni të kurseni në vlerë të shpenzimeve për tre muaj në një llogari me qasje të lehtë ose të menjëhershme. Mos u shqetësoni nëse nuk mund të kurseni këtë vlerë menjëherë, por mbajeni atë si një objektiv për të synuar. Mënyra më e mirë për të kursyer para është të kurseni disa para në një llogari kursimi çdo muaj. Pasi të keni lënë mënjanë fondin tuaj të urgjencës, qëllimet e mundshme të kursimeve që duhet të merrni në konsideratë mund të përfshijnë: blerjen e një makine pa marrë hua, shkuarjen në Haxh, pushimet familjare pa u shqetësuar për faturat kur të ktheheni ose madje të keni disa para shtesë në llogari për të tërhequr ndërsa jeni në leje lindjeje ose atësie. Çfarëdo që të bëni, gjithmonë keni disa kursime për një ditë të vështira!

   7. Merrni ndihmë profesionale nëse problemet me borxhe bëhen serioze

Nëse tashmë i keni humbur kartat e kreditit ose pagesat e huasë ose nëse jeni prapa me të ashtuquajturat ‘borxhe prioritare’ siç janë qiraja juaj, hipoteka, faturat e energjisë, ose taksa të tjera, atëherë ju lutemi merrni këshilla menjëherë nga një kompani konsultuese rreth borxheve. Nëse nuk ndërmerrni masa të shpejta, gjërat mund të përshkallëzohen dhe situata mund të shpërthejë lehtësisht dhe t’i bëjë gjërat shumë më keq. Unë njoh shumë njerëz që kanë borxhe të mëdha dhe kjo mund të ishte shmangur lehtësisht nëse ata do të kërkonin këshilla dhe mbështetje.

   8. Mësoni t’i jepni përparësi financave tuaja

Pas shpenzimeve dhe të ardhurave tuaja, qëllimet tuaja ka të ngjarë të kenë ndikimin më të madh në mënyrën e shpërndarjes së kursimeve tuaja. Sigurohuni që të mbani mend qëllimet afatgjata pasi është e rëndësishme që planifikimi për pensionimin tuaj të mos zërë vendin e dytë apo tek nevojat afatshkurtra. Mësoni si të vendosni përparësi qëllimeve tuaja të kursimeve në mënyrë që të keni një ide të qartë se ku të filloni të kurseni. Për shembull, nëse e dini që do të duhet të zëvendësoni makinën tuaj në të ardhmen e afërt, mund të filloni të kurseni para për një që tani. Çfarëdo që bëni, mësoni të jetoni brenda mundësive tuaja!

   9. Investoni kursimet tuaja nëse keni mundësi!

Nëse kursimet tuaja fillojnë të rriten, ju në fakt mund të investoni një pjesë të kapitalit tuaj. Ashtë një mënyrë e shkëlqyeshme për t’u siguruar që do të jeni në gjendje të jetoni më rehat më vonë në jetë. Ju gjithashtu mund të bëni një plan investimi bazuar në qëllimet dhe afatet tuaja kohore. Ka mundësi hallall të disponueshme në ditët e sotme të tilla si Wahed Invest e cila është një platformë unike investimi hallall.

   10. Konsolidoni borxhin tuaj dhe përpiquni ta heqni qafe sa më shpejt që është e mundshme!

Nëse keni borxh, gjëja e parë që duhet të bëni është t’i vini të gjitha nën kontroll dhe të punoni për ta hequr qafe atë. Nëse keni borxhe të kartave të kreditit, hua studentore dhe borxhe të tjera; shikoni t’i konsolidoni ato sa më shpejt që të keni mundësi. Përsëri, gjithçka ka të bëjë me ndërmarrjen e hapave të duhur për të kontrolluar paratë tuaja. Ka sigurisht mundësi të ndryshme që ju lejojnë të kombinoni disa borxhe të pasigurta si kartat e kreditit, kreditë personale dhe ratat mujore, në një faturë në vend që t’i paguani ato individualisht. Nëse keni vetëm një borxh të vetëm të kartës së kreditit dhe keni një buxhet të ngushtë, provoni të paguani të paktën shumën minimale sa më shpejt që të merrni faturën e kartës së kreditit. Atëherë, nëse financat tuaja e lejojnë këtë dhe nëse fitoni ca para më shumë, përpiquni të bëni ndonjë pagesë shtesë disa javë më vonë. Provoni ta mbani këtë cikël pagese derisa borxhi juaj të shlyhet plotësisht. Nëse është e mundur, atëherë bëni një plan për të hequr qafe borxhin tuaj. Si myslimanë, ne duhet të jemi të fortë financiarisht dhe duhet të jemi në gjendje të menaxhojmë financat tona në mënyrë efektive!

Unë lutem që Zoti ynë të na mundësojë të gjithëve që të kemi shëndet të mirë financiar dhe që të jemi në gjendje të bëhemi të suksesshëm në të gjitha përpjekjet tona./ilmfeed/

Artikulli paraprakNjë Vështrim SHPIRTIT!
Artikulli tjetërTirana e treta më e shtrenjtë në Evropë për çmimet e banesave, Kosova më e lira në Ballkan