Viti 2016, më i suksesshmi për Gjilanin në të hyrat buxhetore

“Bazuar në shifrat të cilat i ka Drejtoria për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, sa i përket të hyrave vetanake nga Tatimi në Pronë, por edhe nga të hyrat tjera në buxhetin e Komunës së Gjilanit, del se ky vit është viti më i suksesshëm buxhetor për Gjilanin që nga periudha e pas luftës”, ka thënë në konferencën për gazetarë, drejtori i Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi.
Në prezantimin e tij, drejtori Maliqi, tha se falë angazhimit të fuqishëm të stafit të drejtorisë dhe mbështetjes së kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, fokusin kryesorë e kanë pasur tek të hyrat vetanake, por edhe një disiplinë të fuqishme sa i përket shpenzimit të parasë publike.

“Drejtoria e Buxhetit është angazhuar gjatë gjithë kohës në gjenerimin e të hyrave vetanake, konform planit vjetor për vitin 2016. Falë këtij angazhimi deri në këtë fazë është arritur që të bëhet përmbushja e këtij planifikimi, e cila shprehur në numra, del të jetë mbi 96 për qind të planifikimit vjetor, apo 19 për qind tejkalim të planit për periudhën e kaluar të vitit.

Sa i përket të hyrave, për këtë periudhë kohore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është bërë tejkalim për mbi 62.5 për qind”, tha drejtori Maliqi, duke bërë të ditur se ky angazhim i stafit të Drejtorisë do të vazhdoj përherë me dinamikë edhe më të shtuar.

Ai më tej ka përmendur edhe përgatitjet që janë bërë gjatë këtij viti për planifikimin buxhetor së bashku me qytetarët, përmes dhjetra dëgjimeve publike, deri në përpilimin përfundimtarë të buxhetit të vitit 2017 dhe planifikimin e hershëm për periudhën 2018 – 2019.

Pos tjerash, i pari i Drejtorisë së Buxhetit, Zijadin Maliqi, ka dhënë edhe informacione shtesë sa i përket informimit të qytetarëve lidhur me rrjedhën e parasë publike, shpërndarjen me kohë të faturave të Tatimit në Pronë, por edhe për angazhimin e përditshëm të stafit në zotimin e lëndëve, shpenzimet, çertifikimin dhe arkivimin e lëndëve.

“Pos angazhimeve në bazë të ligjit, është impresionues për neve edhe raporti i Auditorit Gjeneral që përfshinë periudhën e 2015, ku pos tjerash Gjilani në aspektin e financave në këtë Drejtori, ka marrë vlerësime shumë pozitive, të cilat na obligojnë të jemi edhe më të përkushtuar dhe rezultatet po shihen në vitin 2016”, ka përfunduar Maliqi./InfoKomuna/

Artikulli paraprakNë seancën e ardhme Kuvendi voton Projektligjin për Obiliqin
Artikulli tjetërMjedra me Kancer