Të gjithë ata, të cilët gjatë ditëve në vijim synojnë që t’i realizojnë pushimet e tyre verore në ndonjërin prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk duhet vetëm që të informohen rreth rregullave që ndërlidhen me koronavirusin në vendin ku duan të udhëtojnë, por edhe për rregulla krejtësisht tjera që janë duke u zbatuar nëpër aeroporte e edhe në vetë bordin e aeroplanëve.
Kjo, ngase pandemia e vazhdueshme e koronavirusit të ri ka krijuar nevojën për zbatimin e ndryshimeve të shumta në mbarë procesin e fluturimeve.
Në aeroport, e çfarë tash?
Kur udhëtarët që synojnë udhëtimin të mbërrijnë në aeroport, gjëja më e rëndësishme që duhet bërë është që të vendosin maskat mbrojtëse.
Udhëtarët në të gjitha aeroportet e Bashkimit Evropian duhet të bartin patjetër maska dhe atë qëkur e hedhin hapin e parë në aeroport e derisa të mos e braktisin aeroportin e qytetit ku kanë aterruar. Ky është një prej udhëzimeve që BE-ja ka publikuar dhe që do të zbatohet në të gjitha fluturimet, gjatë gjithë pandemisë së koronavirusit.
Prej këtij rregulli përjashtohen vetëm fëmijët nën gjashtë vjeç, të cilët për shkaqe shëndetësore nuk mund të bartin maska. Pos kësaj, udhëtarët duhet që t’i ndërrojnë maskat që i përdorin çdo katër orë, si dhe t’i lajnë e dezinfektojnë rregullisht duart.
Duke e pasur parasysh faktin se për identifikim, zbarkim në aeroplan dhe fluturim mund të nevojiten pritje të gjata, ndonjëherë edhe nga disa orë, udhëtarët duhet që në çantat e dorës të kenë edhe furnizime – nga të paktën një apo dy maska rezervë.
Çfarë krejt ka ndryshuar?
Kur bëhet fjalë për valixhet, në shumicën e aeroporteve gjermane tani vlen rregulli që secili udhëtar mund të marrë me vete në aeroplan vetëm një çantë dore.
Me këtë gjë do të duhej të zvogëlohej rreziku nga përhapja e virusit gjatë kontrolleve të sigurisë. Mirëpo, edhe gjatë procesit të identifikimit dhe kontrollimit vlen rregulli i mbajtjes së distancës prej të paktën një metër e gjysmë.
Në mënyrë që të zbatohet në përpikëri ky rregull, Asociacioni i Aeroporteve (ADV) ka këshilluar që të përshpejtohen proceset. Dhe për këtë pjesë, përgjegjëse janë aeroportet. DW