Vetëm një termocentral i ri mund të zëvendësojë Kosovën A

Kosova A nuk do të mbyllet në vitin 2017. Ky termocentral pritet të punojë deri në ditën kur të lëshohet në prodhim termocentrali i ri, të cilin qeveria e ka proklamuar tash e 11 vjet.

Madje qeveria e ka lënë si opsion mundësinë e rehabilitimit të Kosova A në mënyrë që ai të prodhojë edhe për 15 vjet të tjera.

Ajo që tashmë dihet është fakti se zvarritja e ndërtimit të termocentralit të ri do të thotë vazhdim i operimit të këtij termocentrali me të njëjtat kushte teknike.

Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve në KEK thotë se mbyllja e Kosovës A nuk është më opsion.

“Duke marr parasysh këtë, KEK në vazhdimësi ka ndërmarrë hapat e nevojshëm (duke përfshi edhe ato të natyrës mjedisore) për mbajtjen e njësive aktive të Kosovës A ne një gjendje optimale”, thotë Nulleshi.

Ai shton se kostoja e importit te energjisë që do të zëvendësonte prodhimin nga Kosova A është disa here ma e lartë se kostoja e rehabilitimit të këtij termocentrali, meqë siq thotë Nulleshi, Kosova A mbulon 35 për qind të konsumit vendor.

Mbyllja eventuale e termocentralit Kosova A para se të lëshohet në punë termocentrali i ri do të shkaktonte rritje të çmimit të tarifave të energjisë, pasi në rehabilitim duhet të shkojë edhe termocentrali Kosova B.

Drejtori i Shërbimeve në KEK, thotë se, për shkak te obligimeve mjedisore që kërkohen nga Komisioni Evropian, Kosova B duhet të shkojë në rehabilitim madhor gjatë viteve 2018/2019, me ç‘rast do të prodhojë me kapacitet të përgjysmuar gjatë kësaj periudhe.

“Si rrjedhojë, për shkak të mungesës se njësive vendore gjeneruese në dispozicion, Kosova nga vitit 2018/19 do të ballafaqohet me nevojën e importit të kushtueshëm të energjisë elektrike”, tha Nulleshi.

Në anën tjetër Daut Maloku, kryetar i Partisë së Gjelbër të Kosovës thotë se termocentrali Kosova A ka bërë shumë dëme në ambient dhe në shëndetin publik të qytetarëve.

“Nëse vazhdon puna vazhdon edhe dëmtimi i mëtutjeshëm i ambientit dhe shëndetit publik të qytetarëve të zonave përreth. Ky termocentral gjithmonë ka dëmtuar ambientin duke emetuar pluhur ne ajër, madje edhe dhjetëra herë mbi normat e lejuara mjedisore e ligjore”, thotë Maloku.

Sipas tij mbyllja e Kosovës A është zgjidhja e vetme e problemit.

“Nëse mbyllet Kosova A do ketë termocentral të ri dhe ndotja do jetë dukshëm me e vogël siç mund të dallohet një makine e re kundrejt të vjetrës”, thotë kryetari i të gjelbërve të Kosovës.

Banka Botërore është njëri nga partnerët kryesor të qeverisë në projektin e termocentralit të ri. Ky termocentral është i vetmi në botë që po përkrahet nga Banka Botërore.

Nevoja për mbylljen e termocentralit Kosova A dhe mungesa e burimeve të ripërtritshme është njëra nga arsyetimet kryesore të Bankës Botërore për përkrahjen e ndërtimit të një termocentrali të ri në Kosovë.

Në raportin e Bankës Botërore të vitit 2011 është thënë se ndërtimi i termocentralit të ri është një zgjidhje afatgjate për energji stabile ne vend, pasi që mungesa e kapaciteteve të reja energjetike po shkakton vështirësi për qytetarët.

Artikulli paraprakPresidenti i BERZH-it viziton Kosovën
Artikulli tjetërBota e biznesit: Turqia do të dalë më e fortë nga ky proces