Vazhdimësia e betejave

– Justinian Topulli

Shumë njerëz, nën ndikimin e pikëpamjeve të ndryshme mbi jetën, e shohin këtë të fundit me stacione përfundimtare, pas së cilave nuk ndryshon më asgjë. Nëse ti p.sh. arrin të bëhesh i pasur, kjo gjendje paramendohet se duhet të vazhdojë e tillë deri në vdekje. Njerëzit ëndërrojnë të arrijnë një stacion përfundimtar në jetë, të cilin e parapëlqejnë, e pas së cilit gjendja nuk do të ndryshojë më.

Por të gjithë e dimë se jeta nuk funksionon kështu, dhe se ajo ka të papritura dhe të tatëpjeta që askush nuk i parashikon dot, mirëpo mendësia stacionare finale, përmes së cilës e ëndërrojmë botën, ndikon thellësisht në aktivitetin e përditshëm dhe jetësor të njeriut, duke i krijuar atij strese dhe ankthe, kur sheh se shkallët e stacioneve që arrin apo ato që bën, nuk e sjellin atë përfundimisht në pozitën apo vendin që ai synon. Dhe këtë nuk e vuajnë vetëm individët, por edhe shoqëritë që jetojnë me të njëjtin konceptim mbi jetën.

Në fakt, një këndvështrim i tillë mbi jetën, thellë-thellë buron nga pjesa jonë e përtejme, nga shpirti, i cili nën joshjen e botës lëndore synon të arrijë stacionin përfundimtar që në këtë botë, duke harruar se kjo dynja është një stacion i përkohshëm, është hija e pemës ku çlodhet për pak kohë çdo udhëtar i saj.

Nëse çdokush prej nesh si njerëz, në veçanti besimtarët, që e dinë se pas kësaj bote ka një tjetër përfundimtare, e bëjnë pjesë të pandashme të të menduarit të përditshmërisë së tyre dhe të së ardhmes që ëndërrojnë, këtë koncept vazhdimësie dhe jo stacionar përfundimtar të kësaj jete, atëherë e kanë më se të qartë se betejat në këtë jetë nuk mund të ndalen asnjëherë dhe se për aq kohë sa jetojnë në këtë dynja, duhet të kuptojnë se kënaqësinë do ta gjejnë pikërisht te vazhdimësia e betejave dhe jo vetëm tek fundi i tyre.

Dhe pikërisht për këtë, Allahu thotë në Kuran: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë e sigurta (vdekja)”, sepse stacioni i vetëm i përkohshëm në këtë botë, para se të kalojmë në stacionin përfundimtar të asaj që ëndërrojmë, është vetëm vdekja, e cila duke qenë i vetmi stacion i sigurt dhe i pashmangshëm në jetën tonë, është njëkohësisht edhe rregullatori kryesor që na tregon se jeta është një proces i pandalshëm, një vazhdimësi betejash që kurrë nuk ndërpriten. I fituar dhe ngadhënjyes është ai që kalon nëpër të gjitha betejat e jetës, ndërsa kush u bën bisht atyre, ai është i humburi dhe i dështuari tek Zoti.

Sigurisht që ta fusësh veten apo të tjerët në beteja tepër të mëdha, që nuk na takojnë, është marrëzi, por edhe t’i shmangesh çdo beteje të ashpër, për shkak të mundimeve dhe lëndimeve që ato lënë pas, është burracakëri, është të braktisësh fushëbetejat e jetës ku korren edhe shpërblimet më të mëdha tek Zoti.

Ata që i trembin besimtarët nga pasojat e betejave të jetës dhe që qajnë e vajtojnë më pas rehatinë dhe pozitën e humbur, jo vetëm që janë në pozitën e atyre që kanë keqkuptuar se si funksionon kjo jetë, por janë frenuesit dhe dezertorët më të mëdhenj, që përdoren nga i Ligu për t’i larguar besimtarët sa të mundin nga mirësitë e Ahiretit. Dhe ka në mesin e besimtarëve, të tillë që ua vënë veshin atyre.
Kur Profeti (alejhi salatu ue selam) i ftonte njerëzit në Mekë në Islam dhe sfidonte idhujt dhe parinë mekase me të Vërtetën, besimtarët pa përkrahje filluan t’i vuanin pasojat fizike të sfidës, më tepër sesa i Dërguari i Allahut, që kishte mbrojtjen e të afërmve të tij, e përveç kësaj, atyre u duhej të përballonin edhe cytjet e shejtanëve që u kërkonin të tërhiqeshin nga ndjekja e Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe të mos vuanin më pasojat e saj, ndërkohë që ai nuk po vuante njëlloj si ata.

Kjo sprovë nuk u ndal as në Medinë, dhe rolin e idhujtarëve mekas e morën munafikët, të cilët para çdo beteje cytnin besimtarët që të tërhiqeshin prej tyre, duke u treguar atyre pasojat dhe humbjet në pasuri dhe në jetë, që pjesëmarrja në këto beteja do t’iu sillte. Mirëpo, ata besimtarë që e kuptuan qartë se rruga për tek Allahu dhe shpërblimi i Tij kalonte përmes monopateve të jetës dhe se qetësia dhe rehatia përfundimtare ishte në Xhenet, u bënë gurë themeli i këtij Umeti që kaploi botën.

Për aq sa ka njerëz kjo botë dhe besimtarë në të, betejat me të keqen, të padrejtën, amoralen dhe imoralen, nuk do të ndalen asnjëherë, sepse për t’u përballur me to jetojmë.

Artikulli paraprakFazat e menaxhimit të projektit
Artikulli tjetërKamata (pj.6) | Arsyet e Islamit për ndalimin e sistemit të kamatës