Turqi – 2,5 miliardë dollarë investime në komunikimin elektronik

Kompanitë private të telekomunikacionit dhe ofruesit e internetit gjatë vitit 2016 kanë investuar 7.4 miliardë lira turke (rreth 2.45 miliardë dollarë) në infrastrukturë e komunikacionit elektronik, përfshirë këtu edhe punimet për kërkimin dhe zhvillim.

Ministri i Transportit, Detarisë dhe Telekomunikacionit, Ahmet Arslan publikoi raportin 3-mujor lidhur me “Të Dhënat e Sektorit të Komunikacionit Elektronik të Turqisë”, i përgatitur nga Autoriteti i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (BKT) për tremujorin e fundit të vitit 2016.

Sipas ministrit të ardhurat e operatorëve në çerekun e fundit të vitit 2016-të, kanë qenë rreth 12.2 miliardë lira (4.04 miliardë dollarë), ndërsa totali i vitit ka qenë 15.03 miliardë dollarë.

“Të ardhurat e kompanive janë rritur për 14.7 për qind, krahasuar me vitin e mëparshëm”, tha Arsllan, ndërsa shtoi se numri i përdoruesve të telefonave celularë në vitin 2016 është rritur në 75.1 milionë nga 68.8 milionë sa ka pasur në vitin 2015.

“Turqia është në majën e listës së vendeve evropiane për përdorimin e telefonit celular, me një mesatare mujore prej 426 minuta”, tha ministri Arsllan.

Ai ka folur edhe për rritjen e përdoruesve të shërbimeve 4.5G, të cilët sipas tij, në tremujorin e fundit të vitit 2016 kanë qenë 19.2 milionë nga 16.4, sa ka pasur në vitin 2015-të.

Arsllan tha më tej se Turqia është duke përparuar edhe në fushën e rrjetit fibër-optik të internetit. Në fund të vitit 2016 Turqia ka instaluar 291.000 kilometra kabëll fibër-optik.

“Ne besojmë se Turqia do të jetë një nga vendet e para që do të kalojë në përdorimin e teknologjisë në 5G. Qëllimi ynë është që kësaj t’ia arrijmë duke përdorur materiale të prodhuara në vend”, tha ai.

Artikulli paraprakAKP-ja diskuton për Trepçën e Pallatin e Rinisë
Artikulli tjetërAsetet e jashtme të Turqisë rriten në 217,2 miliardë dollarë