Bledar Tefik Haxhiu
Shpesh herë politika (sidomos qeveritë), përmendin dhe venë në dukje thuajse në çdo takim me ndërkombëtarët dhe jo vetëm, tolerancën dhe bashkëjetesën mes feve. Padyshim që kjo është një gjë shumë e mirë, është nga ato pak të vërteta dhe vlera që ekzistojnë pa stimulime, sepse është frymë e përgjithshme që karakterizon popullin tonë me shumicë muslimane.Megjithatë këta politikanë që krenohen me diçka e cila nuk është e tyre dhe që shpesh nuk kanë gisht në të, po e çojnë shoqërinë tonë në një lloj ndarje dhe ndasije e cila është për tu patur frikë.Për shkaqe të caktuara -herë ekonomike, e herë interesi-, njerëzit janë rreshtuar në taborë, në militantë të cilët duket se u është bërë formatim në bazë të parametrave që do partia. Nëse bën atë që thotë partia, je i mirë, përfiton benefite dhe arrin të përmbushësh synimet (edhe nëse të tjerët janë më të aftë dhe më meritorë se ty). Por nëse bën vaki dhe kritikon qeverinë (madje ndonjëherë edhe parti jo qeveritare), je i destinuar të bëhesh armik, i pa dëshirueshëm, ëdhe nëse je i sinqertë dhe i shveshur nga ngjyrat partiake.Politika po mbjell frymën: o me ne o kundra nesh. Nëse nuk je me ta, je qytetar i dorës së dytë, pa privilegje e që shpesh bëhesh pjesë e sarkazmës së tyre. Në këtë mënyrë politika (e shtembur e pa vlera), po krijon ndasi dhe urrejtje, të cilën po e shton dita-ditës në mesin e shoqërisë. A nuk ka ardhur koha që politika t’i vej gishtin kokës, e të mendojë qoftë dhe njëherë të vetme për vendin dhe jo për xhepat e tyre, për qytetarët dhe jo për luksin që s’ia kursejnë vetës?! A nuk ka ardhur koha që të bëhen seriozë, e të mos e çojnë shoqërinë drejt kacafytjes; a nuk ka ardhur momenti që për hir të dobive të vendit dhe të qytetarëve të mos ia plotësojnë ca teka vetes. Ka ardhur koha që kleri t’i bëj thirrje politikës për tolerancë dhe bashkëjetesë.