Themeluesi i Huawei shpreson për një të ardhme më të mirë

Gjiganti kinez Huawei është pozicionuar në vend të pestë për prodhimin e smartphone, duke rënë kështu me dy pozicione për vetëm një vit. Themeluesi i Huawei Ren Zhengfei u shpreh gjatë një interviste se shpreson në një të ardhme më të mirë.

Ai po ashtu beson se SHBA do ketë një tjetër qasje kundrejt gjigantit kinez të telekomunikacionit. Edhe pse pranon se është ‘shumë e vështirë’ për Shtetet e Bashkuara që të ndërpresin sanksionet që kanë dëmtuar biznesin e smartphonëve, Zhengfei shpreson se administrata e re e SHBA do të ketë “politika më të hapura”.

Zhengfei, i cili nuk është paraqitur në media që nga marsi i vitit të kaluar, beson që administrata e Presidentit Joe Biden do të ketë parasysh interesat e biznesit amerikan. Sipas tij, bashkëpunimi me kompanitë kineze është edhe në “favor” të performancës financiare të kompanive amerikane.

“Huawei pati rritje pozitive si për të ardhurat e vitit 2020 ashtu edhe për fitimin neto,” tha Zhengfei, duke shtuar se besimi i klientëve po ashtu është rritur në mënyrë të konsiderueshme.

Huawei, prodhuesi kryesor i pajisjeve telekomunikuese të Kinës, u klasifikua në listën e zezë të tregtisë amerikane në maj 2019 nga administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ky i fundit theksoi se Huawei përbën shqetësim për sigurinë kombëtare, ndërkohë kompania ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat.

Kjo ndaloi në mënyrë efektive kompanitë me bazë në SHBA që të kishin Huawei si ofrues për teknologjinë.

Që nga muaji gusht i vitit të kaluar, ndalimi u shtri edhe te kompanitë e huaja me biznes në Amerikë.

Zhengfei  beson se është akoma “shumë e vështirë” që Huawei të hiqet nga lista e zezë e njësive amerikane, por theksoi se vazhdon të shpresojë në blerjen e “volumeve të mëdha” të pajisjeve dhe materialeve amerikane nëse administrata e Biden do ta lejojë.

Mbijetesa

Zhengfei u shpreh i sigurt në aftësinë e kompanisë për t’ia dalë mbanë edhe pse biznesi i smartphonëve është akoma në vështirësi.

Sipas tij, vendosja e kompanisë në teknologjinë e minierave, aeroportet inteligjente dhe zonat e tjera do të kompensojnë të ardhurat e humbura nga biznesi i smartphone gjatë një viti. Biznesi i konsumatorëve të Huawei-t përbënte 54.4% të të ardhurave të kompanisë në vitin 2019.

Zhengfei tha se kompania nuk do të shesë pajisjet inteligjente të biznesit të tyre dhe se nuk do të ketë ndryshime në drejtimin e saj.

Muajin e kaluar Reuters njoftoi se Huawei është në fazat e para të bisedimeve për të shitur markat e saj të smartphone. Sipas tyre, kompania kishte filluar të shikonte mundësinë e shitjes së tyre që në shtator. Huawei mohoi se do të kishte  shitje të tilla.

Artikulli paraprakGjallërimi i motivimit të brendshëm
Artikulli tjetërKe restorant, piceri apo fast food?! Redukto kostot, rrit fitimet, inovo