Të ndaluarat në shitblerje

Të ndaluarat në shitblerje

Të ndaluarat në kontratat e shitblerjes ndahen në dy lloje:

Të ndaluara në vetvete dhe të ndaluara për mënyrën e përfitimit.

Të ndaluarat në vetvete

Këtu hynë të gjitha ato përfitimi i të cilave është i ndaluar, si shitja e alkoolit, mishi i derrit, skulpturat, veglat muzikore, etj edhe nëse janë nga ato që lejohen në rast nevoje, si shitja e qenve.

Argument për këtë është hadithi i Profetit salallahu alejhi ue selem ku thotë: “Nëse Allahu ua ndalon ndonjë populli ngrënien e diçkaje ua ndalon dhe përfitimet prej tyre.” Ahmedi 1/247 dhe Ebu Daud 3488 e ka konsideruar të saktë këtë hadith Ibën Kajim.

Po ashtu Xhabir bin Abdulla transmeton se Profeti salallahu alejhi ue selam ka thënë: “Allahu e ka ndaluar shitblerjen e alkoolit, ngordhësirës (bagëtisë së ngordhur), mishin e derrit, dhe idhujt.” I thanë: O i dërguar i Allahut, po nëse e përdorim dhjamin e tyre për të lyer anijet, lëkurën, apo për ndriçim? “Jo ajo është e ndaluar” pastaj tha: “I vraftë Allahu çifutët! Vërtet Allahu ua ndaloi ngrënien e dhjamit, ndërsa ata e shitën atë e hëndën përfitimin e tyre”. Buhari 2121 dhe Muslimi 1581.

Të ndaluarat në vetvete ndahen në dy lloje:

Lloji i parë:Ajo që është e ndaluar në vetvete dhe përfitim në mënyrë të përgjithshme. Nuk lejohet shitblerja me këtë lloj në mënyrë kategorike, edhe pse përfitimi i saj mund të lejohet në disa raste të veçanta. Në këtë lloj hynë pesë grupe, katër prej tyre janë përmendura në hadith: Alkooli, mishi i derrit, ngordhësira, idhujt (edhe statujat) dhe e pesta qentë.

Rrethi i përfitimit ke këto grupe është më i gjerë se rrethi i shitblerjes, sepse qeni dhe e ngordhura ndodh që mund të përfitosh (të kesh dobi), megjithatë është e ndaluar shitblerja e tyre.

E përmendëm të gjithë këtë në mënyrë që të kuptohet se nëse diçka ndalohet të bëhet shitblerje me të, nuk do të thotë se përfitimi prej saj është gjithmonë haram. P.sh.: përmendëm më lartë se nuk lejohet shitblerja e bagëtisë së ngordhur, por kjo nuk do të thotë se njeriu nuk mund të përfitojë prej saj (jashtë shitblerjes) si përfitimi prej lëkurës (pas regjjes), leshit, dhjamit për ta bërë sapun (në mënyrë që të përfitojë ai personalisht e jo ti tregtojë), apo vaj për ndriçim e kështu me radhë. Atë që përmendëm më lartë e ka pohuar dhe imam Maliku –Allahu e mëshiroftë!-. (Për më tepër shiko librin “Zadu el-Mead” 5/664)

Lloji i dytë:Ajo që është e lejuar në vetvete në origjinë, porse që mund të ketë fitim të ndaluar. Ky lloj ndalohet tregtia me të nëse tregtohet për këtë lloj përfitimi.

Ibën Kajim el Xheuzije – Allahu e mëshiroftë!- kur flet për këto lloje thotë: “Lloji i dytë është ajo prej së cilës lejohet të përfitohet, me përjashtim të ngrënies si: lëkurat pasi të regjen (këtu e ka fjalën për lëkurat e të ngordhurave prej atyre që u hahet mishi), gomarët, mushkat etj, nga të cilat mund të përfitohet veç ngrënies. Kështu nëse dikush i shet ato me qëllim ngrënien e mishit të tyre, atëherë ajo është e ndaluar, në dallim me atë kur ato tregtohen për punë apo ngarkesë. Po kështu edhe ai i cili e shet rrushin për tu bërë alkool (raki, vërë, apo çdo lloj pije alkoolike tjetër) e ka të ndaluar përfitimin me të ardhurat e përfituara prej tij, duke bërë dallimin nga ai i cili e shet atë për ngrënie. Të njëjtën gjë mund të thuhet edhe për tregtinë e armëve, nëse u tregtohen atyre të cilët luftojnë me to muslimanët, po ashtu këtu hyjnë shitja e mëndafshit atij që e ka të ndaluar veshjen e tij, me përjashtim të atyre që lejohet ta veshin atë (si gratë, ata që janë të sëmurë me zgjebe).” ( E përmbledhur, shiko librin “Zadu el-Mead” 5/667)

Përgatiti: Bledar Haxhiu

Artikulli paraprakA është e lejuar në Islam të stduiohet dega e ekonomisë me kusht që pasi të mbaroj mos të punoj në bankë por në ndonjë vend tjetër
Artikulli tjetërÇ’ËSHTË TRAFIKIMI I QENIEVE NJERËZORE?!