Strategjia e shëmbëlltyrës së lartë

“Dhe ishte për ju, i Dërguari i All-llahut shembulli më i mirë.” (Kur’an)

Ne i imitojmë të tjerët qysh prej fëmijërisë në mënyrë që të formojmë personalitetin tonë. Dhe personaliteti është: një grumbull sjelljesh, të cilat i përfiton njeriu dhe me të njëjtat sjellje ai ndien se dallon nga të tjerët.

Të parët prej të cilëve ne mësojmë dhe të parët që ne i kemi imituar në çdo gjë, qoftë në të shprehurit me fytyrë, qoftë lëvizjet trupore e që i kemi imituar edhe në vlera njerëzore dhe në ideologji e sjellje të ndryshme, janë prindërit tanë. Pastaj kemi përfituar disa sjellje, disa fjalë dhe disa fjali nga rrethi i ngushtë familjar, qoftë ajo nga vëllezërit ose motrat më të mëdhenj ose kemi marrë prej të afërmve të tjerë. Pastaj kemi mësuar fjalë dhe sjellje të tjera prej rrethit shoqëror, qoftë ajo nga shokët e lagjes ose nga shoferi i autobusit të shkollës etj. Pastaj kemi marrë sjellje n a shkolla, nga mësuesit e arsimtarët e pastaj edhe miqtë tanë të ngushtë. Dhe, së fundmi kemi marrë edhe sjellje te tjera nga mjetet mediatike, qofshin ato sjellje nga artistet ose moderatore te emisioneve.

Përgjatë këtij udhëtimi imituam sjellje, stile, mendime të botës së jashtme etj. Dhe e kemi bërë këtë në mënyrë që të formojmë personalitetin tonë, një personalitet të atillë që të na e mundësojë komunikimin me njerëz nga të gjitha shtresat njerëzore.

Dhe me strategjinë e shëmbëlltyrës nënkuptojmë që njeriu të formojë personalitetin e vet ose botëkuptimet e veta ashtu siç i ka shëmbëlltyra e tij, pra personi që për atë është shembulli më i mirë në ndonjë drejtim të përcaktuar. Pastaj të veprojmë me çdo gjë që për- ballet në atë mënyrë siç do të vepronte shëmbëlltyra e tij po të gjendej përballë së njëjtës gjë.

Tani më lejo të të pyes: a njeh ndonjë njeri që ti e respekton dhe e konsideron si shembullin më të mirë?

Personalisht, kur merresha me ping-pong, shembullin më të lartë në këtë drejtim kisha Xhamoskov-in, njëri prej legjendave të viteve ’60. Imagjinoja veten sikur të isha ai dhe ushtrohesha në tavolinën e ping- pongut në të njëjtën mënyrë siç bënte ai, saqë u aftësova shumë në lojën spirale në ping-pong (dredhjen e topit) ashtu siç ishte shëmbëlltyra ime. Më ndihmoi shumë kjo aftësi, saqë arrita të fitoj garat egjiptase më shumë se një herë.

Ndërsa në lëmin e hotelerisë, shembulli im më i mirë ishte Lanor Blando, i cili ka qenë prej më të mirëve në këtë drejtim.

Ndërsa për qetësinë psikike dhe për përballimin e sfidave me vetëpërmbajtje, kisha shembullin më të mirë shokun tim Rexhis Nado, kishte një vetëpërim bajtje të shkëlqyer në përballimin e sfidave të jetës.

Ndërsa në zhvillimin tim njerëzor kisha më shumë se një shëmbëlltyrë, nga ata shkrimtarin amerikan dr. Robert Shuler, i cili ndërtoi kristalin e katedrales nga asgjëja. Pastaj ishte edhe Oxho Mandino, i cili ishte i varfër, deri në atë gjendje saqë mblidhte ushqim nëpër shportat e rrugës. Fshihej nëpër zyra publike ose vende publike të Nju-Jorkut që të ruhej nga i ftohti. Një ditë kishte vendosur që të bënte diçka në jetën e tij dhe kishte shkruar një libër që e titulloi “Shitësi më i mirë në botë” dhe, me dëshirën e All-llahut të Madhërishëm, libri i tij u bë nga më të shiturit, ndërsa autori u bë nga njërëzit më me përvojë dhe nga njohësit më të mirë të zhvillimit njerëzor. Kam pasur edhe shumë shëmbëlltyra të tjera në lëmenj të ndryshëm.

Ndërsa shembulli im më i mirë, shëmbëlltyra që gjithmonë kam në çdo sferë të jetës sime, është i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Kur përballem me ndonjë sfidë ose kur jam përballë ndonjë problematike, sado e madhe të jetë ajo e pyes veten time: sikur të ishte i Dërguari [sal-lall llahu alejhi ve sel-lem] në gjendjen time a thua si do të vepronte?

Dhe për ketë arsye nuk veproj me ndjenja dhe emocione, por veproj më qetësi të plotë dhe në mënyrën më shpirtërore që më afron tek All-llahu i Madhërishëm.

Nga sfidat dhe problematikat e këtij lloji është edhe përvoja ime më një person që e konsideroja shumë besnik. Kisha besë tek ai dhe i dhashë hua një shumë të madhe parash që të ndihmonte ndonjë nevojtar, ndërsa ai e mori atë shumë të hollash dhe e mbajti për vete. Kur e kuptova këtë gjë u hidhërova shumë. Jo vetëm nga fakti që ai nuk e mbajti besën dhe emanetin e dhënë, por më hidhëroi edhe fakti se ai nuk brengosej për atë nevojtar për të cilin m’i kishte marrë të hollat. U prish lidhja jonë shoqërore për disa ditë. Një ditë kuptova nga njëri prej familjarëve të tij se policia po e kërkonte atë person. Po e kërkonte, ngase ai kishte marrë para edhe nga shumë njerëz të tjerë dhe i kishte mashtruar. E kishin kapur dhe e kishin gjykuar me dy vjet burg.

Kërkuan nga unë që ta ndihmoj të dalë nga burgu, nëse kisha mundësi ta bëj një gjë të tillë. U habita nga kjo kërkesë dhe e gjeta veten përballë një gjendjeje të sikletshme. Kishte mundësi që unë të gëzohesha që ai do të merrte dënimin e merituar. Mirëpo, unë e dija mirë se ai person ishte njeri i mirë dhe i ndihmonte njerëzit. Nuk arrita ta kuptoj se pse ai veproi në atë mënyrë.

Mendova me veten time: sikur të ishte Muhamedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në këtë gjendje, si do të vepronte?

Kështu që unë vendosa dhe iu paraqita ish-mikut tim, e pyeta për shumën e parave me të cilat do të lirohej nga gjykimi. Ma tregoi shumën, e pagova dhe ndjeva lumturi të plotë. Ndjeva lumturi të plotë, ngase unë praktikova fjalën e All-llahut të Madhërishëm në Kur’an: “…Ata që shtypin zemërimin dhe ua falin njerëzve, All-llahu i do bamirësit. ” (Ali Imran: 134)

Ishte ky veprim që rodhi nga shëmbëlltyra ime e lartë dhe veprova në këtë mënyrë falë  All-llahut të Madhërishëm, i Cili më mundësoi të mendoj shpirtërisht. Pikërisht ashtu sikurse do të vepronte shëmbëlltyra ime më e lartë – i Dërguari [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], sikur të ishte në gjendjen apo pozitën time.

Kaluan disa ditë dhe ky person ndryshoi, ndryshoi pozitivisht. Filloi t’ua kthejë borxhet njerëzve që ua kishte marrë dhe, përveç kësaj, filloi të ndërtojë një xhami. Kështu ai u kthye në gjendjen e mëparshme, u bë njeri i mirë dhe bamirës.

Ky është një shembull i mirë i përdorimit të stra- tegjisë së “shëmbëlltyrës së lartë” dhe se si ka mundësi që me përdorimin e kësaj strategjie ne të jemi të qetë shpirtërisht edhe atëherë kur ballafaqohemi me probleme dhe me vështirësi të jetës.

Tani le ta provojmë së bashku strategjinë e shëmbëlltyrës së lartë:

  1. Kujto një nga problemet me të cilin ballafaqohesh momentalisht në jetën tënde dhe kujdesu për atë që ti ke në mendje në lidhje me atë problem, kujdesu edhe për lëvizjet e trupit (gjesteve të veçanta gjatë ballafaqimit me atë problem), kujdesu edhe për frymëmarrjen tënde edhe ndjenjat tua dhe reagimeve gjatë ballafaqimit me atë problem.
  2. Tani kujtoje shembullin më të lartë të jetës tënde (atë që ti e ndjek ose që e ke shembull për veprimet e tua).
  3. Tani kujto dhe imagjino sikurse shëmbëlltyra jote që ti ndjek ose e merr për shembull të mirë, imagjinoje sikur ai të jetë në gjendjen tënde dhe sikur ai të ballafaqohet me problemin tënd dhe pastaj pyete veten tënde:
  • Si do të jetë mendimi i tij (shëmbëlltyrës) dhe gjendja e trupit të tij?
  • Si do të jenë ndjenjat e tij?
  • Si do të jetë vëmendja e tij (përqendrimi i tij përballë problemit)? A do të jetë material apo do të jetë shpirtëror?
  • Cili do të jetë qëllimi dhe caku i tij gjatë ballafaqimit me problemin? Dhe si do të jenë veprimet etij?
  1. Shkruaji ose kujtoji përgjigjet e këtyre pyetjeve të lartshënuara, pastaj futi në praktikën tënde dhe përmirësoji që të jenë të përshtatshme për ty nëse ka nevojë të përmirësohen ato përgjigje. Nëse jo, atëherë futi në praktikë ashtu siç janë.
  2. Kujtoje dhe imagjinoje veten tënde duke përdorur veprimet e shëmbëlltyrës tënde më të lartë dhe kujdesu për ndjenjat tua.
  3. Dhe tani imagjinoje veten tënde sikurse në të ardhmen je duke u ballafaquar me një problem si ky në të tashmen dhe imagjinoje si do të jetë kundërveprimi yt gjatë ballafaqimit me atë problem.

Do ta shohësh pas kësaj se si mendimi yt ka përfituar aftësi nga aftësitë e shëmbëlltyrës tënde më të lartë dhe e sheh se veprimet e tua janë bërë të ngjashme me veprimet e shëmbëlltyrës tënde, në fuqinë e tyre dhe në pozitivitetin e tyre (veprimeve).

Përdor këtë metodologji edhe në ballafaqimin me probleme të tjera, qofshin ato në të kaluarën tënde, qofshin ato të tanishme dhe vepro në të njëjtën mënyrë sikurse do të vepronte shëmbëlltyra jote më e lartë.

Në këtë mënyrë do të bëhesh më i aftë dhe më pozitiv gjatë zgjidhjeve të problemeve të tua.

Artikulli paraprakTë këqijat e punës nga shtëpia
Artikulli tjetërShkelja e ligjeve dhe rregulloreve