Buletini mujor i Statistikave Vitale, Mars 2021
Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare[1] në baza mujore për Lindjet, Vdekjet , Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin Mars 2021. Këto të dhëna publikohen për herë të parë në këtë vit duke u bazuar në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltar për, Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet ,rastet regjistrohen në mënyrë obligative në regjistrat e lartë-cekur, në vendin në të cilin ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend apo në ndonjë vend tjetër.
Në muajin Mars janë regjistruar 2870 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës) ku krahasuar me muajin shkurt 2021 kemi rritje të numrit të lindjeve për 7.4%. Prej këtyre lindjeve të regjistruara në muajin mars, 1479 lindje janë meshkuj dhe 1391 lindje janë femra.
Ndërsa janë regjistruar gjithsej 1797 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës), ku krahasuar muajin mars me muajin shkurt 2021 kemi rritje për 19.1%. Prej vdekjeve të regjistruara 1016 raste janë meshkuj dhe 781 raste janë femra.
Në muajin mars 2021 janë regjistruar gjithsej 1430 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), ku krahasuar me muajin shkurt ka një rënie të numrit të çifteve të kurorëzuar për (17.1%).
Kurse krahasuar numrin e shkurorëzimeve të muajit mars me muajin shkurt 2021, del se ka një rënie për (30.1%). Gjithsej janë regjistruar 86 raste të çifteve të shkurorëzuara
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1,Vdekjet DEM-2 Kurorëzimet DEM-3 dhe Shkurorëzimet SHK-1, gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani.Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbej për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij Buletini është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).
[1] Shfrytëzuesit e të dhënave iu rekomandohet që këto të dhëna të merren si të dhëna preliminare dhe jo si të dhëna përfundimtare.