Si t’i përgjigjeni pyetjes “Pse duhet t’ju punësojmë?” në intervistat e punës

Ju mund të bëheni gati për një intervistë pune duke parashikuar pyetjet e mundshme dhe duke u përgatitur për to. Një nga pyetjet më të zakonshme dhe përgjithësisht një ndër më të papëlqerat për të intervistuarit, është “Pse duhet t’ju punësojmë?” ose “Pse jeni ju kandidati më i mirë për këtë pozicion?”

Nëse nuk përgatiteni për këtë pyetje, mund ta keni të vështirë që të përgjigjeni në një mënyrë koncize dhe të qartë, e cila do t’i linte një mbresë pozitive intervistuesit tuaj.

Megjithatë, duke menduar një përgjigje për pyetjen “Pse duhet t’ju punësojmë?” dhe duke e formuluar saktë atë, ju do të keni mundësi të jepni një përgjigje të menduar mirë që do të godasë në shenjë.

Arsyeja që intervistuesit bëjnë pyetjen “Pse duhet t’ju punësojmë?”

Përpara se të përgatiteni për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të ishte mirë të kuptonit arsyen pse intervistuesit e bëjnë atë ose një nga variantet e tjera të saj, si p.sh.

“Pse mendoni se jeni i përshtatshëm për këtë pozicion?” Ata e bëjnë këtë pyetje për të mësuar më shumë në lidhje me aftësitë tuaja, si dhe për të kuptuar nëse do të mund të përshtateshit mirë në atë pozicion.

Por, ka edhe arsye të tjera pse intervistuesit mund ta bëjnë këtë pyetje. Ata gjithashtu duan të shohin se sa mirë i kuptoni kërkesat e punës. Me fjalë të tjera, a jeni përgatitur për intervistën duke parë me kujdes kërkesat specifike për pozicionin?

Nëse mund të përgjigjeni duke evidentuar mënyrën se si kualifikimet, aftësitë ose personaliteti juaj përshtaten në mënyrë unike me pozicionin për të cilin po aplikoni, atëherë ju po demonstroni se e keni vendosur ekspertizën tuaj në kontekstin e kompanisë që po ju punëson.

Kur një intervistues shikon një kandidat që mund të artikulojë mënyrën se si aftësitë e tij ose karakteristikat e personalitetit përputhen me kompaninë dhe kulturën e saj, ky mund të ishte një ҫast vendimtar. Kështu, intervistuesi arrin të kuptojë se ju jeni të aftë në punën tuaj, si dhe të fokusuar te kompania.

Si t’i përgjigjeni pyetjes “Pse duhet t’ju punësojmë?”

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari, shkikoni me kujdes përshkrimin e punës. Ai do t’ju mundësojë që të kuptoni pikat kryesore të punës që përfshihen për pozicionin për të cilin po aplikoni. Pasi të shqyrtoni përshkrimin e punës, mund t’i përgjigjeni pyetjes nëpërmjet një prej mënyrave të mëposhtme:

Theksoni aftësitë e punës, trajnimin ose arsimimin tuaj

A keni ndonjë aftësi pune që lidhet ngushtësisht me pozicionin për të cilin po aplikoni? Nëse po, tregoni mënyrën se si këto aftësi do t’ju bënin kandidatin e duhur për këtë pozicion. Nëse keni certifikata ose arsimimin e duhur që do t’ju bënte një kandidat të mirë, shpalosini ato përpara intervistuesit, pastaj shprehini këto aftësi duke i demonstruar me sukseset e kaluara.

Nxirrni në pah tiparet tuaja personale

Disa punë kërkojnë një “lloj” specifik të personalitetit. Për shembull, ndoshta puna mund të jetë për një pozicion drejtues, ose mund të kërkohet vëmendje e përpiktë ndaj detajeve.

Nëse keni karakteristikat e kërkuara ose një personalitet që do t’ju bënte të përshtatshëm për punën, përmendini ato duke i vënë gjithashtu në kontekstin e një suksesi që keni patur në një kompani në të kaluarën.

Diskutoni për eksperiencat e kaluara

Përvojat e mëparshme të punës që janë të ngjashme me pozicionin për të cilin po aplikoni, janë një aspekt që duhet ta elaboroni sa më mirë. Kombinimi i aftësive të provuara me sukseset e kaluara sjell një përgjigje të përsosur; dhe mbështetja e pretendimeve të tipareve tuaja të personalitetit me sukseset që keni pasur në të kaluarën është gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë përshtypje intervistuesit.

Këshilla për t’u përgatitur për intervistën tuaj

Gjatë përgatitjes për intervistën, merrni kohë për të bërë këto gjëra:

Hulumtoni për kompaninë: Është e dobishme të dini sa më shumë për kompaninë për të cilën dëshironi të punoni. Cilat janë vlerat dhe misioni i tyre? Kjo gjë mund t’ju bëjë të ditur cilësitë që ata mund të kërkojnë te një kandidat.

Studioni përshkrimin e punës: Sigurohuni që i njihni mirë detyrat dhe kualifikimet që kërkon ky vend pune. Më pas, krijoni një lidhje mes aftësitë që keni dhe kërkesave të pozicionit. Këtë mund ta bëni duke lexuar postimin e punës dhe duke rishikuar CV-në tuaj.

Përdorni të dhëna sasiore: Gjatë përgjigjes tuaj, jepni shembuj konkretë se si i keni arritur rezultatet. Përdorni shifra, përqindje ose shuma parash për t’i treguar intervistuesit rezultatet reale që keni arritur për punëdhënësin tuaj të kaluar.

Demonstroni me fakte, jo me fjalë: Është normale që t’i flisni intervistuesit për aftësitë dhe cilësitë tuaja, por më pas duhet t’i mbështesni këto aftësi me shembuj konkret nga jeta reale. Kjo do t’u demonstrojë atyre mënyrën se si i keni vënë në praktikë këto aftësi në të kaluarën dhe si mund ta bëni përsëri këtë për shefin tuaj të ri.

Bëni disa prova përpara se të shkoni në intervistë: Praktika do t’ju ndihmojë të keni një performancë të përsosur në intervistë. Duke ia thënë gjërat vetes me zë, ju do të mund të përmirësoni përgjigjen tuaj. Kjo do t’ju bëjë që të mos ngatërroheni në përgjigjen tuaj gjatë intervistës.

Gjithashtu, praktika do t’ju ndihmojë që të flisni me më shumë besim në vetvete. /The Ladders/

Artikulli paraprakInflacioni trefish i rritur në Kosovë
Artikulli tjetërRipërdorja e softuerit