Fillimi i një pune të re ose një pune me shumë përgjegjësi është një ndjesi pozitive dhe entuziazmuese.
“U pëlqeva! Ata kanë besim tek unë! Do të kem mundësi të reja!” – janë mendimet e para. Menjëherë më pas vijnë dyshimet, stresi dhe frika se nuk do t’ia dalim mbanë shndërrohen në ankth. Vjen momenti kur puna jonë e vjetër përfundon.
Më pas duhet të përcaktojmë sërish kufirin mes punës dhe kohës së lirë dhe faza gjatë së cilës është e nevojshme për të kuptuar nëse puna e re është po aq e mirë sa dukej edhe në teori. Ndaj është e natyrshme të ndiejmë ankth kur përballemi me ndryshime të rëndësishme.
Më poshtë janë mendimet e disa punonjësve të Burimeve Njerëzore për të kuptuar se cila është mënyra më e mirë për t’u përballur me ankthin e një pune të re.
Procesi i “përshtatjes”
Richard Cummings, drejtues i shoqërisë së këshillimit për menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Kingston Smith, thotë: “Ne u ofrojmë këshilla kompanive, detyra e të cilave është ta bëjnë të ndihet mirë një person që në ditën e parë të punës. Është e rëndësishme të shfaqni siguri, për të kundërshtuar ndjesinë e pasigurisë në një mjedis të ri, shoqëruar me frikën se nuk jeni në lartësinë e duhur dhe se do të mbeteni pa punë. Ky është një moment ankthi edhe për ata që kanë fituar një vend pune pas një procesi të vështirë përzgjedhjeje, duke treguar se janë të aftë. Ata që nuk do të harrojnë këtë detaj të rëndësishëm, nuk do të kenë asgjë për t’u shqetësuar”.
Nicky Lidbetter, CEO i Anxiety UK: “Për ta bërë këtë hap më të lehtë është e rëndësishme që të organizoheni dhe t’i jepni vetes kohën e nevojshme për ta pasur situatën nën kontroll. Mund të jetë e nevojshme të përgatisni një listë të plotë të gjërave që duhet të bëni, në mënyrë që të përcaktoni përparësitë dhe kohën e nevojshme për kryerjen e çdo detyre”.
Jacqueline Hurst, psikolog i GQ: “Thellë-thellë, çdokush i di arsyet se pse është në gjendje të bëjë punën e tij, pasi mund të menaxhojë përgjegjësitë dhe presionin pa sforcime. Mjaft që të reflektoni tek arsyet konkrete dhe pozitive për të cilat u zgjodhët dhe nuk do të jetë e vështirë të gjeni motivimet e duhura. Ju duhet t’i hapni sytë përtej emocioneve. Thjesht rendisni gjërat që keni bërë kohët e fundit, shikoni se çfarë është realizuar dhe reflektoni për punën që keni bërë për të arritur te kjo përgjegjësi e re”.
Një ditë përpara emërimit të ri
Nicky Lidbetter: “Përpiquni që të flini në mënyrë që të ndiheni i çlodhur pas gjumit të natës dhe të nisni mëngjesin të relaksuar. Shmangni pajisjet e zakonshme elektronike për të mos e mbushur mendjen me bombardimin e panevojshëm të informacionit. Zgjidhni qetësinë dhe mendimin për të qëndruar me veten për të paktën dhjetë minuta: përqendrohuni”.
Richard Cummings: “Shumë njerëz qëndrojnë përpara pasqyrës me këmishën të hekurosur mirë me një mendim të vetëm, që të japin përshtypjen e duhur. Jini vetvetja. Nëse ditën e parë shfaqni atë ccka nuk keni, ditën e tretë njerëzit do të mendojnë se po punojnë papritur me një të huaj.
Dita e parë në zyrë
Jacqueline Hurst: “Gjëja e parë që duhet të kujtoni është se jeni pikërisht ju ai që keni fituar vendin e punës. Të tjerët kanë besuar te ju dhe tek aftësitë tuaja. Ju nuk keni gënjyer askënd për të arritur aty ku arritët. Shefi juaj apo kushdo që ju ka punësuar, me siguri nuk është një idiot. Mos dyshoni tek inteligjenca e atyre që ju kanë punësuar. Ata kanë bërë një zgjedhje të qëllimshme në bazë të përvojës dhe potencialit tuaj.
“Ju e meritoni punën për të cilën jeni përzgjedhur”
Nicky Lidbetter: “Është e rëndësishme të kuptoni që ankthi është i natyrshëm dhe kjo ndjesi do të kalojë shpejt. Është normale që të ndiheni nervoz ditën e parë të punës. Por ndoshta mund t’ju lehtësojë mendimi se dita e parë e një pune të re nuk është shumë e ngarkuar, dhe kjo mund të jetë e dobishme për të mbajtur ankthin nën kontroll. Megjithatë, nëse gjatë ditës së parë të punës ju kap ankthi, frymëmarrja e thellë mund t’ju ndihmojë”.
Richard Cummings: “Njohja e kolegëve të rinj është një hap i rëndësishëm. Nëse ndiheni rehat me ta, do të ndiheni i tillë dhe me ambientin e ri”.
Java e parë dhe muaji i parë
Richard Cummings: “Njihni njerëzit rreth jush. Gjeni dikë me të cilin mund të hani drekë. Njohja duhet të ndodhë dalëngadalë”.
Nicky Lidbetter: “Përpiquni të mësoni sa më shumë gjatë javëve dhe muajve të parë, por mos i bëni presion vetes me ankthin se dëshironi të dini gjithçka dhe menjëherë për rolin tuaj të ri. Do të ketë gjithnjë gjëra të reja për të mësuar dhe kjo mund të kërkojë kohë. Askush nuk pret prej jush që të dini gjithçka menjëherë. Mos kini frikë të bëni pyetje nëse ndiheni i pasigurt, pasi shpesh shqetësohemi për gjëra të parëndësishme dhe lehtësisht të zgjidhshme”.
Jacqueline Hurst: “Sindroma Imposter, bindja që pavarësisht suksesit që keni pasur në karrierën tuaj, jeni në njëfarë mënyre fals dhe se me siguri do të turpëroheni publikisht është një ndjesi e zakontë për shumë njerëz. Shumë sipërmarrës, personazhe të famshëm ndihen kështu. Askush nuk e pranon këtë ndjesi por diskuton për këtë gjë, duke pranuar se është i frikësuar. Sindroma Imposter ekziston dhe njerëzit që vuajnë prej saj ulen përballë nesh për shembull në autobus apo në një bar. Thjesht, askush nuk flet hapur për të”.
Vlerësimet dhe periudha e provës
Nicky Lidbetter: “Bëjini të ditur eprorit tuaj se si ndiheni dhe shfrytëzoni mbështetjen nga çfarëdo lloj shërbimi që punëdhënësit tuaj vënë në dispozicion të punonjësve që kanë nevojë për ndihmë. Shumë kompani kanë programe në ndihmë të punonjësve, duke ofruar një sërë shërbimesh për mirëqenien”.
Richard Cummings: “Ai që flet i pari, fiton. Nëse hyni dhe e dini se mund të shpëtoni nga ajo që ju jep ankth, duhet të jeni ju ai që duhet të flisni për të: si ju ka hyrë në mendje ky dyshim, si mendoni që të çliroheni prej tij, dhe si do të veproni në mënyrë që të shpëtoni prej tij njëherë e mirë”.
Jacqueline Hurst: “Mësoni të analizoni gabimet me qetësi, duke i parë si një pjesë e natyrshme e procesit tuaj të rritjes. Nuk do të ketë kurrë një “moment ideal” dhe puna juaj nuk do të jetë e përkryer asnjëherë 100%. Sa më shpejt ta pranoni këtë gjë, më mirë do të jetë. Më pëlqen të mendoj për jetën si të ishte karriera e një atleti, duhet të humbni që të mësoni të fitoni; gabimet shërbejnë që të përmirësoheni. Filloni të mendoni në këtë mënyrë dhe fjala dështim do të zhduket nga fjalori juaj”.
Çfarë t’i kërkoni kompanisë suaj
Nicky Lidbetter: “Është e rëndësishme që pjesëtari i ri i stafit t’i prezantohet pjesës tjetër të skuadrës dhe të ndihet i mirëpritur nga kolegët. Është e rëndësishme që skuadra t’i hapë kolegut të ri kohën e nevojshme për t’u përshtatur dhe të bëjë pyetje, duke e ndihmuar atë të kuptojë rolin e tij, duke e lehtësuar integrimin e tij në skuadër”.