Rritjet e çmimeve të konsumit po arrijnë nivele rekord të gati 40 viteve të fundit. Mungesa e fuqisë punëtore po përshkallëzohet. Ligjet e shteteve të ndryshme për transparencën e pagave po e bëjnë më të lehtë të kuptosh se cilat janë punët që paguhen më mirë.
Për më tepër, rifillimi i lëvizjes së punonjësve po i detyron punëdhënësit që të bëhen më të përgjegjshëm ndaj kërkesave të punonjësve të tyre.
Nëse ka pasur ndonjëherë një ҫast të përshtatshëm për të kërkuar një rritje page, atëherë ky moment është tani.
“Njerëzit nuk arrijnë ta perceptojnë fuqinë dhe mundësinë që kanë tani,” thotë Ben Cook, CEO i Riva, një startup për negocimet e pagave, i themeluar me ekspertë të Shkollës së Biznesit të Harvardit. “Tani është një kohë fenomenale për të shkuar dhe për të kërkuar një rritje të pagës.”
Megjithatë, pavarësisht kësaj vale të paprecedentë kushtesh të favorshme, ju mund ta keni të vështirë që t’i kërkoni shefit tuaj një pagë më të lartë. Për shumë njerëz, reklamimi i arritjeve të tyre – për të mos përmendur pastaj bisedat për paratë – i bën ata të ndihen në vështirësi.
Edhe pse ka një numër më të madh punonjësish që flasin hapur për pagat, negociatat priren të kenë një sasi të madhe asimetrie informacioni në rastin më të keq, pasi menaxherët zakonisht kanë më shumë të dhëna sesa punonjësit për pagat për ҫdo punë.
Megjithatë, ekzistojnë mënyrat për ta kryer këtë bisedë me më shumë besim – dhe për ta mbyllur bisedën me një rritje page, ose të paktën me diçka tjetër që doni të arrini. Më poshtë mund të gjeni hapat kryesorë që duhet të keni parasysh kur negocioni për pagën, si dhe çfarë duhet të bëni nëse përgjigjja është negative.
Prisni për të qenë të fituar
Gjetja e momentit të përshtatshëm është gjëja më e rëndësishme, veçanërisht kur kërkoni një rritje page. Nuk duhet të planifikoni që ta kërkoni këtë rritje kur shefi juaj është në ditën e vet më të ngarkuar, ose pasi keni bërë një gabim të caktuar. Zgjidhni momentin që pason një arritje të madhe tuajën ose një shitje të madhe që keni arritur, në mënyrë që të mund të pretendoni për një rritje. “Gjetja e kohës së përshtatshme për të kërkuar rritje page luan një rol të rëndësishëm,” thotë Kathleen Downs, menaxhere rekrutimi për Robert Half.
Nga ana tjetër, nuk duhet të prisni edhe shumë gjatë, pasi të jenë miratuar buxhetet e pagave dhe promovimet. Më shumë gjasa, diskutimi për rritjen e pagës do të jetë një proces që kërkon kohë. “Një bisedë për rritjen e pagës nuk zgjat një gjysmë ore kohë, brenda një dite,” thotë Katie Donovan, konsulente për negocimin e pagave në Boston.
Bëni kërkime për pagat në vende të tjera pune të ngjashme
Për të filluar, luani rolin e punëkërkuesit, duke parë jo vetëm pagat që ofron kompania juaj, por edhe ato që ofrojnë kompanitë e tjera për të punësuarit e rinj në pozicione të ngjashme.
Sipas ekspertëve, publikimi i intervalit të pagës në njoftimet e punës ka filluar të ndikojë tek informacionet e pagave që janë të aksesueshme publikisht. “Bëni një kërkim për punë të ngjashme – shikoni se çfarë pagash ofrojnë kompanitë e tjera për këto pozicione,” thotë Linda Babcock, profesore e ekonomisë në Universitetin Carnegie Mellon dhe autore e disa librave për negociatat dhe karrierën e grave. “Kjo mund t’ju ndihmojë të mendoni më mirë kërkesën tuaj.”
Tashmë që inflacioni është rritur dhe kompanitë e kanë më të vështirë të gjejnë punonjës, punëdhënësit druhen se transparenca e pagave për pozicionet e reja do të zbulojë pabarazitë që ekzistojnë mes pagave të punonjësve aktualë. Drejtuesit thonë se fenomeni i njohur si “ngjeshja e pagave” po ndodh më shpesh tani. Ky term i referohet faktit që punonjësit e rinj, me më pak përvojë, po paguhen në mënyrë të ngjashme me ata që kanë më shumë eksperiencë dhe aftësi. Një sondazh i kohëve të fundit nga Robert Half zbuloi se 56% e drejtuesve deklaronin se kishin vënë re një mospërputhje të pagave midis të punësuarve të rinj dhe personelit me më shumë eksperiencë gjatë vitit të kaluar.
Pyesni të tjerët se sa mendojnë ata që duhet të paguheni
Deri tani, ju dini që të bëni detyrat e shtëpisë përpara se të negocioni pagën. Shikoni pagat e publikuara në faqe të ndryshme në internet. Gjeni baza të dhënash për pagat që ofrohen në fushën tuaj. Ose kërkoni për të dhëna zyrtare nga institucionet mbi pagat mesatare.
Megjithatë, këto burime ndonjëherë mund të mos jenë të përditësuara dhe specifike; në këto raste, pyesni njerëz të ndryshëm që punojnë në fushën tuaj. Nëse ndiheni në vështirësi për të pyetur dikë se çfarë page ka, thotë Babcock, pyesni njerëzit të cilët mund të jenë supervizorët e punonjësve të tjerë që bëjnë të njëjtën punë si ajo e juaja, në mënyrë që të përfitoni nga ekspertiza e tyre. “Pyetini ata, ‘sa mendoni se duhet të paguhem për këtë pozicion?’ Ata mund të përdorin të gjithë informacionet që dinë dhe, kështu, ju do të merrni më shumë të dhëna.”
Ose, nëse do të pyesni një koleg që punon në një kompani tjetër, mos përdoni pyetjen e sikletshme “Sa e ke pagën?”, por tregoni pagën tuaj dhe pyetini ata “Sa mendoni se do të paguhej një pozicion i tillë në kompaninë tuaj?”, thoë Downs. “Ka shumë mënyra për të zbuluar se sa paguhen njerëzit e tjerë, pa qenë nevoja që ta bëni pyetjen shumë troç.”
Mendoni një shifër specifike — dhe jini të parët që ta thoni atë gjatë bisedës
Sipas shumë këshillave të negocimit, ju duhet të prisni që ofertën e parë ta bëjë personi tjetër. Por, përveҫ rastit kur nuk e keni fare idenë se sa duhet të jetë intervali i pagës për atë pozicion, studimet tregojnë se është më mirë të jeni ju të parët që ofroni një shifër. Duke bërë këtë, ju e “ankoroni” bisedën te shifra juaj
Jennifer Trzepacz, drejtuesja e burimeve njerëzve te SymphonyAI, thotë se pa një numër specifik, është e vështirë për menaxherët apo për profesionistët e burimeve njerëzore që ta dinë se si po e vlerësoni ju veten. “Kur punonjësit thonë ‘do të doja një rritje page’ dhe nuk thonë konkretisht se cila është shifra, ka raste kur ju i ofroni atyre rritjen dhe, më pas, ata duken sikur duan të thonë ‘por nuk ishte kjo ajo çfarë doja’.” Si rezultat, nuk e keni arritur atë që dëshironit.
Për sa i përket përdorjes së ofertave nga kompanitë e tjera, duhet të njihni kulturën e kompanisë tuaj
Duhet të tregoheni të kujdesshëm me përdorjen e ofertave nga kompanitë e tjera për të arritur një rritje page. “Kompani të ndryshme kanë kultura të ndryshme për këtë,” thotë Babcock. “Në disa kompani, nëse vini me një ofertë page nga një kompani tjetër, ata do t’ju thonë ‘më lejo të të ndihmoj të paketosh gjërat e tua dhe të ikësh’.”
“Në kompani të tjera, nuk merrni kurrë një rritje page nëse nuk keni një ofertë tjetër në dorë, gjë që do t’i jepte mundësinë supervizorit tuaj që të kërkonte një rritje page për ju. Por gjithesi, ju duhet të dini se si është kultura e organizatës.” Nëse nuk jeni të sigurt, pyesni kolegët te të cilët keni besim në lidhje me përvojat e tyre me paraqitjen e ofertave nga kompanitë e tjera dhe për mënyrën se si shihen këto oferta nga menaxherët e kompanisë tuaj.
Kthejeni “jo”-në në një kërkesë të sjellshme
Nëse gjithsesi ju nuk arrini ta merrni rritjen që dëshironi, pyesni se çfarë duhet të bëni për të marrë një rritje të tillë – dhe mos lejoni që biseda të mbyllet pa vendosur specifikime konkrete. “Ju duhet të pyesni: çfarë duhet të ndryshojë që të thoni ‘po’ herës tjetër?” thotë Donovan. Nëse këto ndryshime janë të realizueshme nga ju, atëherë bëjini ato dhe më pas kthehuni përsëri. Por, nëse menaxherët “vazhdojnë ta shtyjnë gjithmonë vijën e finishit duke shtuar kërkesa të tjera, atëherë të paktën e keni të qartë se nuk do të keni kurrë sukses në këtë kompani. Filloni të kërkoni për një punë tjetër.”
Ose, mendoni se çfarë tjetër mund të dëshironi. Nëse shefi ju thotë se nuk mund të rrisë pagën tuaj bazë, atëherë konsideroni pushimet shtesë, reduktimin e përgjegjësive që nuk do t’ju pengonin për të marrë një rritje page më vonë, apo edhe zotërimin e kuotave të kapitalit nëse keni të bëni me një kompani startup. “Ne i inkurajojmë klientët tanë që të jenë sa më fleksibël që është e mundur për sa i përket ‘monedhës’ në të cilën do të paguhen,” thotë Riva’s Cook. /Forbes/