Si mund të bëheni një menaxher projektesh?

Dëshironi të bëheni një menaxher projektesh (MP)? Kjo është një zgjedhje e shkëlqyer për karrierën tuaj, me shumë mundësi për rritje. Por, përpara se të bëheni një menaxher projektesh, duhet të ndërmerrni disa hapa specifikë.

Këtu do të shohim mënyrën se si mund të bëheni një menaxher projektesh, si dhe aftësitë që ju nevojiten për të pasur sukses. Do të ofrojmë gjithashtu disa këshilla për të filluar këtë rrugë, si dhe këshilla për të përmirësuar potencialin tuaj nëse jeni tashmë në rrugën për t’u bërë menaxher projektesh.

Pra, nëse sapo po filloni ose nëse jeni gati për ta çuar karrierën tuaj në nivelin tjetër, lexoni të gjithë informacionin që ju nevojitet.

Çfarë është Menaxhimi i Projektit?

Menaxhimi i projektit është procesi i planifikimit, ekzekutimit dhe monitorimit të një projekti për të siguruar përfundimin e tij me sukses – një  përkufizim kaq i thjeshtë për një punë me një ombrellë tepër të madhe përgjegjësish. Menaxhimi i projektit nuk i delegohet vetëm një industrie apo pozicioni specifik, por ai mund të gjendet në çdo biznes, nga fusha e teknologjisë e deri te kujdesi shëndetësor.

Menaxhimi i projektit ka nevojë për menaxherët e projekteve (MP), të cilët drejtojnë dhe organizojnë projekte të brendshme apo të jashtme, nga fillimi deri në fund. Një menaxher projekti i caktuar dhe i aftë, i cili punon me një kompani, siguron që projektet të jenë në rrugën e duhur dhe të përmbushin objektivat dhe qëllimet e tyre.

Çfarë aftësish duhen për t’u bërë menaxher projektesh?

Nëse jeni të interesuar për t’u bërë MP, por keni frikë se nuk dini nga t’ia filloni, ose nëse keni aftësitë e duhura për të qenë të suksesshëm – mos u shqetësoni. Menaxherët e suksesshëm të projekteve kanë një gamë të ndryshme aftësish dhe përvojash, si dhe veprojnë në mënyra të ndryshme. Sidoqoftë, ka disa aftësi soft që duhet t’i kenë të gjithë menaxherët e suksesshëm të projekteve. Ato janë:

  1. Aftësi të shkëlqyera komunikimi

Menaxherët e projekteve duhet të komunikojnë në mënyrë efektive me ekipin e tyre, me klientët dhe me palët e tjera të interesuara. Ata duhet të jenë në gjendje të artikulojnë qartë qëllimet e projektit, si dhe të ofrojnë përditësime mbi progresin e tij.

  1. Aftësi të forta organizative

Menaxherët e projekteve duhet të jenë në gjendje të koordinojnë dhe të ndjekin një numër të madh detyrash dhe afatesh në të njëjtën kohë. Ata duhet të jenë në gjendje të krijojnë plane dhe skedule të qarta, të cilat do të mundësojnë që gjithҫka rreth projektit të jetë nën kontroll.

  1. Aftësia për të ndërmarrë nisma

Menaxherët e projekteve duhet të jenë në gjendje të ndërmarrin nisma dhe të marrin vendime kur është e nevojshme. Ata duhet të jenë proaktivë në zgjidhjen e problemeve dhe në identifikimin e rreziqeve të mundshme.

Rolet dhe përgjegjësitë e një menaxheri projektesh

Rolet dhe përgjegjësitë e një menaxheri projektesh mund të ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe të qëllimit të projektit dhe të industrisë. Megjithatë, ashtu si aftësitë soft të identifikuara më sipër, menaxherët e suksesshëm të projekteve duhet të jenë gjithashtu në gjendje që të kryejnë detyrat e mëposhtme. Megjithëse roli i saktë i një MP ndryshon në varësi të industrisë, shumica e MP-ve duhet të jenë përgjegjës për sa vijon:

-Krijimi i planeve të projektit

-Identifikimi i rreziqeve dhe problemeve të mundshme

-Caktimi i detyrave për anëtarët e ekipit

-Monitorimi i progresit dhe sigurimi i respektimit të afateve

-Komunikimi me klientët dhe palët e tjera të interesuara

-Sigurimi i përditësimeve lidhur me ecurinë e projektit

5 hapat për t’u bërë një menaxher projektesh

Ka shumë rrugë të ndryshme që mund të ndiqni për t’u bërë një menaxher projektesh, dhe të gjitha ato do të ndryshojnë në varësi të përvojës dhe të kualifikimeve tuaja. Nëse nuk dini se nga të filloni ose nëse po kërkoni të përmirësoni aftësitë tuaja, këtu janë disa këshilla të përgjithshme që mund të ndiqni për t’u bërë një menaxher projektesh:

  1. Fitoni përvojë

Nëse jeni në fillimet e karrierës tuaj, mënyra më e mirë për t’u bërë menaxher projektesh është që të fitoni përvojë. Kjo mund të përfshijë punën në projekte të vogla brenda organizatës suaj ose edhe punën vullnetatare. Ka gjithashtu shumë burime në internet që mund t’ju ndihmojnë të mësoni më shumë rreth menaxhimit të projekteve.

  1. Merrni certifikimet e duhura

Pasi të keni fituar përvojë, mund të konsideroni marrjen e një certifikimi si menaxher projektesh. Certifikimi më i njohur për këtë fushë është certifikimi Project Management Professional (PMP) nga Instituti i Menaxhimit të Projekteve (PMI). Për t’u certifikuar, do t’ju duhet të plotësoni një sërë kushtesh specifike, si dhe të kaloni një provim.

  1. Plotësoni një program për menaxhimin e projekteve

Një tjetër mundësi është që të përfundoni një program për menaxhimin e projekteve në një kolegj ose në universitet. Kjo do t’ju mundësojë që të mësoni më shumë rreth teorisë dhe praktikës së menaxhimit të projekteve. Ajo gjithashtu mund t’ju ndihmojë të ndërtoni një rrjet kontaktesh në industri.

  1. Bëhuni ekspert në një fushë të caktuar

Nëse dëshironi të jeni një menaxher projektesh, është e rëndësishme të bëheni ekspert në një fushë të caktuar. Kjo mund të përfshijë përfundimin e trajnimeve ose edukimeve shtesë, ose thjesht fitimin e një përvoje më të madhe në këtë fushë. Duke u bërë një ekspert, do të jeni në gjendje të ofroni vlerë të shtuar në organizatën tuaj dhe të dalloheni nga kandidatët e tjerë.

  1. Mësoni platformat që përdoren për menaxhimin e projekteve

Nëse mësoni platformat e softuerëve për menaxhimin e projekteve, kjo mund t’ju ndihmojë të bëni një hap përpara kur bëheni menaxher projektesh. Njohuritë për të përdorur detajet e softuerit specifik do t’ju ndihmojnë për të menaxhuar ekipin tuaj. Nëse dini se si të përdorni mjetet që mund t’ju ndihmojnë të bëheni më të organizuar dhe të planifikoni punën, kjo do t’ju bëjë shumë më të aftë në punën tuaj si menaxher projektesh./monitor/

Artikulli paraprakGuru Financiar: si të arrini paqen financiare
Artikulli tjetërShumë nxehtë për të punuar? Çfarë thonë ligjet në BE për punën në temperatura ekstreme