Si do të ndikojë revolucioni i ardhshëm industrial në të ardhmen tonë?

Industria 4.0 do të jetë një pikë kthese për të gjithë botën

Nëse ka një fjalë që ka gjetur përdorim shumë të madh në pothuajse çdo industri këto ditë, ajo është “qëndrueshmëria”. Fakti që kjo falë po bëhet kaq e përdorur në çdo fushë tregon rëndësinë e saj – por, edhe kur jemi të njohur me këtë term, koncepti i tij shpesh nuk vlerësohet aq sa duhet.

Tradicionalisht, bisedat tona rreth qëndrueshmërisë janë fokusuar te dy shqetësime: përballimi i ngrohjes globale dhe ruajtja e burimeve natyrore. Këto janë realisht dy sfida serioze të cilat duhen adresuar në shkallë globale, por qëndrueshmëria e vërtetë shkon përtej diskutimeve të thjeshta të ambientalizmit.

Nëse shikoni 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, shqetësimet që lidhen me mjedisin përbëjnë vetëm një pjesë të asaj që është në të vërtetë kuptimi i qëndrueshmërisë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimet klimatike; në fakt, ka të bëjë me shoqërinë, me mundësitë e barabarta për të gjithë, me shëndetin, arsimin dhe krijimin e ekonomive të shëndetshme.

Një e ardhme e qëndrueshme është ajo në të cilën mallrat dhe shërbimet janë më të lira dhe më të aksesueshme për një numër më të madh njerëzish. Qëndrueshmëria lidhet me një të ardhme që rrit standardin tonë të përbashkët të jetesës dhe që i jep mundësinë brezave të ardhshëm të bëjnë të njëjtën gjë.

Nëse narrativa vazhdon të fokusohet vetëm te ngrohja globale dhe te burimet alternative të energjisë, ne praktikisht do të vështirësojmë bashkëpunimin duke e politizuar çështjen dhe duke penguar mundësinë tonë për të ngritur njerëzimin në një nivel tjetër.

Diskutimet në lidhje me qëndrueshmërinë duhet të jenë rreth përmirësimit të efikasitetit dhe rritjes së standardeve të jetesës përmes përdorimit me mençuri të teknologjive që po zhvillohen në vazhdën e Industrisë 4.0. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të ndalojmë zhvillimin apo përdorimin e burimeve natyrore. Kjo do të thotë se duhet të zhvillohemi duke mbështetur jetën e njeriut në planin afatgjatë dhe duke përdorur burimet që kanë ndikimin minimal në mjedis.

Miqësor me progresin

Revolucionet Industriale në të kaluarën kanë sjellë përparime që tani na japin mundësinë të bëjmë një jetë më të shëndetshme, më të gjatë dhe më të rehatshme. Revolucioni i Parë Industrial na dha motorët me avull dhe përdorimin e makinerive për të zëvendësuar prodhimin me dorë, duke transformuar kështu përgjithmonë fuqinë punëtore, ekonominë dhe jetën tonë.

Revolucioni i Dytë njihet si Revolucioni Teknologjik, i cili na dha lirinë për transport dhe komunikim nëpërmjet disa mënyrave që nuk i kishim imagjinuar kurrë më parë, përmes krijimit të hekurudhave dhe të rrjeteve telegrafike. Revolucioni i Tretë, i njohur si Revolucioni Dixhital, solli kompjuterët që mund të programohen, duke na mundësuar eksplorimin e hapësirës, ​​zhvillimin e bioteknologjisë dhe kryerjen e kërkimeve më të zgjeruara në çdo fushë.

Tani, ne jemi në pikun e një Revolucioni Industrial, të njohur si Industria 4.0. Profesori Klaus Schwab, themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, e përkufizon atë si “teknologji të reja që kombinojnë botën fizike, dixhitale dhe biologjike, duke ndikuar në të gjitha disiplinat, ekonomitë dhe industritë”.

Çdo ditë, ne kemi mundësi të përdorim teknologji që dikur ekzistonin vetëm në romanet fantashkencë. Nëpërmjet përparimeve në inteligjencën artificiale, teknologjinë cloud, Internetin e Gjërave (Internet of Things) dhe në sistemet kibernetike, proceset tona do të thjeshtohen dhe njerëzit do të jenë më të lidhur me njëri-tjetrin se kurrë më parë.

Por, teksa po hedhim hapin e radhës për evolucionin e njerëzimit, me sa duket e kemi të vështirë të kuptojmë konceptin se çfarë do të thotë Industria 4.0 për njerëzimin. Mund të arrijmë një qasje më transformuese, nëse fillojmë përpjekjet tona për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm si pjesë integrale e kalimit tonë në Industrinë 4.0.

Qëndrueshmëria duhet t’i trajtojë këto përparime përmes lentes se si ato mund të na ndihmojnë të punojmë në mënyrë më efikase, të mbrojnë klimën dhe të mundësojnë jetën moderne duke rritur vazhdimisht standardin e jetesës për personat në nevojë. Kështu, ne do të shohim se si ky lloj zhvillimi i qëndrueshëm do të shfaqet në të gjithë botën, në të shumtën e rasteve si pasojë e rritjes së fuqisë kompjuterike dhe të virtualizimit.

Përtej burimeve fizike, përparimet dixhitale mund të na ndihmojnë të kursejmë kohë dhe para për zhvillimin e sistemeve dhe të proceseve. Në vend që të rrezikojmë të përballemi me efektet e botës reale të një procesi të ri ose të paprovuar, ne mund ta simulojmë atë duke përdorur inteligjencën artificiale dhe të planifikojmë sipas rezultateve të simulimit. Në këtë mënyrë, vendimmarrja jonë bëhet më e qëndrueshme për shkak të kostove më të ulëta dhe ndikimit më të vogël mjedisor që vijnë si rezultat i modelimit virtual. /entrepreuner/

Artikulli paraprakEkonomisti me renome botërore paralajmëron rritje të lartë të çmimeve
Artikulli tjetërMirëbërja në tregti arrihet në gjashtë situata-Sipas Imam Gazaliut