Një analizë për librin e John Bolton “Dhoma ku ndodhi –Memoare nga Shtëpia e Bardhë”, logjikën qeverisëse të presidentit Trump të koncentruar në ekonomi, (mos) kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe implikimet që mund të kenë poltikat Trumpiste në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 23 qershor 2020, John Bolton, ish Këshilltari për Siguri Kombëtare, publikoi memoaret e tij nga periudha 17 mujore e shërbimit në Shtëpinë e Bardhë. John Bolton është emër i njohur në Kosovë. Edhe atë jo për mirë. Pasi përfundoi mandatin si ambasador i SHBA në OKB dhe pak ditë para se Kosova të shpallte pavarësinë, John Bolton shkroi një opinion ku bënte thirrje që SHBA të mos njohin pavarësinë e Kosovës, ndër të tjera edhe për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe Rusisë.
Së fundmi, emisari special për Kosovën dhe Serbinë, Richard Grenell, e akuzoi Bolton si ideator të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë duke deklaruar se “Bolton shtynte përpara politikat e tij, e jo ato të Trump”. Më 24 gusht 2018, në një konferencë për media nga Kiev i Ukrainës, Bolton nuk e përjashtonte edhe opsionin e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse dy vendet pajtohen për këtë. Por kur Bolton deklaroi këtë, nuk pati reagim kundërshtues nga Administrata e Trump. Kjo u kundërshtua vetëm pas publikimit të memoareve të Bolton.
Në memoaret e tij, John Bolton nuk përmend askund Kosovën dhe Serbinë, apo Ballkanin në përgjithësi. Nëse i bëjmë një lexim statistikor librit të Bolton, Irani zë hapësirën më të madhe, pasuar nga Rusia, Korea Veriore, Siria, Kina, Venezuela, Ukraina, NATO.
Por, edhe pse Kosova nuk zë fare hapësirë në libër (dhe për atë as në Administratën e Trump gjatë periudhës sa shërbente Bolton), filozofia qeverisëse e Trump (ose më mirë më thënë mungesa e një filozofie), tregon shumë edhe për qasjen ndaj Kosovës.
- Ndërkohë që mësimet e nxjerra nga libri i Bolton për sjellet jo tipike të Trump janë si vijon:Angazhimi i SHBA në arenën ndërkombëtare duhet gjithnjë të kalojë përmes filtrit të interesave ekonomike:
Trump vlerëson marrëdhëniet tregtare me shtetet tjera ashtu sikurse dikush që shikon librat e kontabilitetit të një ndërmarrjeje: me ato vende që SHBA ka deficit, Trump vlerëson se janë duke mashtruar; kurse me ato vende ku ka bilanc pozitiv, SHBA është duke fituar. Sipas Bolton, për Trumpin është e pakuptueshme se përse SHBA vazhdon të ketë prezencë ushtarake jashtë kufijve. Për Trumpin, qëllimi i bazave ushtarake amerikane në Kore Jugore, Japoni, Gjermani, Afganistan, Irak, Siri e vende tjera është kryekëput për të mbrojtur këto vende, e jo si rrjedhojë e një arkitekture globale të sigurisë, e cila ka për qëllim që të parandalojë rrezikun për kufijtë e SHBA. Duke logjikuar kësisoj, Trump kërcënonte Japoninë, Korenë Jugore e Gjermaninë me tërheqje të trupave amerikane, nëse këto vende nuk paguajnë tërë koston vjetore të bazave ushtarake amerikane. Me këtë qëllim, Trump kishte ngarkuar Boltonin që të negociojë me qeveritë e Japonisë dhe Koresë Jugore për të mbuluar kostot vjetore të bazave ushtarake, të cilat arrijnë në 8 miliardë dollarë në vit, respektivisht 5 miliardë dollarë. Trump ishte në favor të mbështetjes të opozitës në Venezuele për të rrëzuar Maduron, me kusht që lideri i opozitës nuk harron që kontratat për shfrytëzim të naftës t’i jepen amerikanëve.
- Trump është kundër ndihmave amerikane në vendet tjera: Trump kishte kundërshtuar vendimin e ish-Sekretarit Rex Tillerson për të ndarë 200 milionë dollarë ndihmë financiare për rindërtimin e Sirisë dhe 500 milionë për Afrikën, duke thënë se “sa ndërtojmë vende të huaja, më mirë të ndërtojmë vendin tonë”. Trump po ashtu kishte bllokuar 250 milionë dollarë asistencë ushtarake për Ukrainën, duke kushtëzuar fillimin e hetimeve për djalin kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden. Liritë dhe të drejtat e njeriut nuk janë fare në radarin e Trump:
Duke mos dashur të irritojë liderët autokratë të Rusisë dhe Kinës, Trump nuk kishte lejuar që administrata të lëshojë një reagim kritikues me rastin e dhjetë vjetorit të aneksimit të një pjese të territorit të Gjeorgjisë nga Rusia, si dhe për përvjetorin e protestave demokratike në sheshin në Tiananmen në Kinë. Po ashtu, në një takim me presidentin kinez, Trump i kishte dhënë mbështetje atij për ngritjen e kampeve të përqëndrimit për Ujgurët në Xinjiang. Trump kishte kritikuar vartësit e tij për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si përgjigje ndaj helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Angli. Trump në vazhdimësi insistonte që Rusia të kthehej në takimet e G7, pas përjashtimit të saj për shkak të aneksimit të Krimesë. Trump kishte deklaruar se nuk i pëlqejnë fare Kurdët (për ate më vonë edhe i lë në mëshirën e sulmeve të Turqisë, ani pse kurdët ishin aleatet më të mëdhenj në luftimin e ISIS në Siri).
- Trump është i obsesionuar me liderët autokratë
Në një bisedë telefonike me presidentin turk Erdogan, Trump e kishte siguruar atë se do të ndalojë një hetim ndaj bankës turke Halkbank për shkelje të sanksioneve ndaj Iranit. Sipas Bolton, këtë premtim Trump e jepte duke u munduar që të tregohet po aq arbitrar sa Erdogan, i cili sa ishte kryetar i Stambollit kishte deklaruar se “demorkacia është si tramvaj, udhëton me të deri në cak, pastaj zbret”. Njësoj, duke e ditur se lideri kinez Xi ka mandat të pakufizuar, në një takim me të Trump kishte deklaruar se amerikënat po kërkojnë me ngulm që të hiqet kufizimi prej dy mandatesh në rastin e Trump. Trump kishte kërkuar një takim të tretë me diktatorin e Koresë Veriore, ashtu siç ishte i gatshëm të takohet me liderin autoritar të Venezuelës dhe me përfaqësuesit e Talebanëve.
- Trump është i padijshëm sa i përket historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare
Trumpi kishte pyetur këshilltarët e tij nëse Finlanda ka qenë pjesë e Rusisë dhe nëse është satelit i kësaj të fundit, ashtu si disa nga republikat e ish-BRSS. Sipas Bolton, Presidenti Amerikan në vazhdimësi e ngatërronte presidentin afgan Ashraf Ghani me paraardhësin e tij Hamid Karzai. Ai ishte befasuar kur kishte kuptuar se Britania është fuqi bërthamore. Për dallim nga paraardhësit e tij, të cilët pranonin çdo ditë raportet e intelegjencës, Trump i ka kufizuar ato në dy herë në javë dhe në vend se të dëgjojë raportimet ai më shumë flet vet.
- Trump e shpreh ashpër mos durimin e tij ndaj Bashkimit Evropian, sidomos ndaj Gjermanisë.
Së fundmi Trump ka tërhequr edhe një pjesë të trupave amerikane nga Gjermania. Sipas Bolton, në vazhdimësi Trump ka deklaruar se “BE është më e keqe se Kina, veç më e vogël”. Trump ka kërcënuar dhe vazhdon të kërcënoj largimin e SHBA nga NATO, pasi që NATO-n e sheh si mburojë për Evropën, e pa asnjë përfitim për SHBA.
- Më shumë se në analizë e strategji, qeverisjen e tij Trump më shumë e bazon në instinkte.
Me pompozitet e besimin e tij se mund të ndryshoj politikën globale vetëm nëse takohet me liderët e huaj sy më sy. Trump nuk ndjek në strategji të caktuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, apo një trajektore konstante, por ndjek logjikën e marrëveshjeve në fushën e patundshmërive. Në një rast Trump kishte shpërthyer duke deklaruar se “më mirë do të ishte t’i besoja instinkteve, se sa gjeneralëve”.
Fatkeqësisht, John Bolton e konfirmon edhe një herë atë që Ivan Krastev dhe Stephen Holmes e thonë në librin e tyre “The Light That Failed” (2019): Amerika e Trump nuk është fare e interesuar që të lobojë për modelin liberal të qeverisjes.
Sipas Krastev dhe Holmes, “Trump është presidenti i parë amerikan i cili në asnjë rrethanë nuk do t’i bëj jehonë fjalëve të presidentit Woodrow Wilson: ‘ju jeni amerikanë dhe duhet të bartni parimet e lirisë, drejtësisë dhe humanizmit ngado që shkoni’…”
“Për Trump-in normalizimi nënkupton rikthimin e Amerikës si një shtet egoist, në mesin e shteteve egoiste. Amerika mund të dalë në krye të shteteve vetëm nëse ndalon së angazhuari për parimet si demokracia dhe të drejtat e njeriut, të cilat kanë qëllim që t’i ndihmojnë popujve tjerë. Presidentët para Trump besonin në veçantinë Amerikane. Por për Trump kjo është naive: a ka budallallëk më të madh se sa SHBA të angazhohen me vetëmohim për të mbrojtur liritë e popujve tjerë?”
Kosova gjithmonë ka gëzuar mbështetje bipartizane në SHBA. Presidenca e Trumo në shumë mënyra duket si një qeverisje “jo-amerikane”. Kjo filozofi e qeverisjes së Trump, e cila nuk ndjek asnjë parim apo strategji, që nuk respekton aleancat e mëhershme, nuk angazhohet për të mbrojtur të drejtat e njeriut, e që ndëshkon më shumë aleatët se sa shtetet armiqësore, është lajm jo i mirë për Kosovën. Kosova është vend i lirë dhe i pavarur falë intervenimit të NATO-s dhe angazhimit të SHBA për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut.
Libri i Bolton është tregues se Administrata e Trump ka pak gjasa të investojë miliarda dollarë si shpërblim për marrëveshjen Kosovë-Serbi, ashtu siç shpresojnë disa në këto dy vende. Po ashtu, më shumë se sa një marrëveshje të qëndrueshme, Trump është i painteresuar që të ketë një fotografi suksesi para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020.
Kosova ka ende nevojë për mbështetjen e SHBA dhe Evropës, për t’i bërë ballë presionit serb i cili ka mbështetjen e Rusisë. E për Trump, ashtu sikurse avokonte edhe Bolton me kolumnen e tij më 2008, Kosova nuk është aq e rëndësishme për të shpenzuar kapitalin politik me Rusinë. /kallxo.com/