Shqipëria, ndër 6 vendet me rritjen më të ulët të çmimeve në Europë

Shqipëria renditet ndër 6 vendet në Europë që ka shënuar një rritje më të ulët të çmimeve, sipas një publikimi të fundit të Indeksit të harmonizuar të INSTAT.

INSTAT njoftoi se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shtator 2022 është 7,9 %. Mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtën periudhë është 10.9%, më e larta historike. Në 12 shtete të BE-së, inflacioni ka arritur në nivele dy shifrore, duke i kaluar 10% (Estoni, Lituani, Letoni, Hungari, Çeki, Holandë, Poloni, Bullgari, Sllovaki, Rumani, Kroaci, Belgjikë).

Shteti me rritjen më të ulët ët çmimeve është Zvicra (më pak se 4%), Islanda (6%), Franca (6%), Malta (gati 8%), Norvegjia (gati 8%) dhe më pas Shqipëria (gati 8%).

Rritja më e ulët e çmimeve në Shqipëri mund të lidhet me faktin se Europa është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë, ndërsa në vend energjia ka mbetur e pandryshuar për familjarët. (shënim i Monitor).

Për Shqipërinë, sipas INSTAT, rritja më e madhe e çmimeve prej 13,4 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,1 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,8 % secila, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 5,4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 4,2 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,9 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,8 %, “Shërbimi arsimor” me 2,4 %, “Shëndeti” me 2,2 % dhe “Komunikimi” me 0,8 %.

Në muajin Shtator 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,6 %.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Veshje dhe këpucë” me 1,8 %, pasuar nga grupet “Shërbimi arsimor” me 1,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,0 % secila, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,8 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,7 %, “Shëndeti” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 % secili dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,8 %.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar./monitor/


Burimi: INSTAT

Artikulli paraprakTruss ishte në pushtet për 45 ditë në Britani – ajo do të marrë 132 mijë euro në vit për pjesën tjetër të jetës
Artikulli tjetërKroacia me nivel të lartë të pagës minimale dhe të pagës mesatare