Shkatërrohet “tregu i zi” më i madh online

Prokurorët gjermanë në qytetet Koblenz dhe Oldenburg kanë deklaruar se kanë mbyllur atë që ishte ndoshta “tregu më i madh i paligjshëm në Darknet” i quajtur “DarkMarket” dhe arrestuan njeriun që besohej se e operonte atë, pranë kufirit të Gjermanisë me Danimarkën.

Autoritetet thonë se platforma darknet kishte një gjysmë milioni përdorues, ku tregtoheshin drogëra, para të falsifikuara, të dhëna të kartave të kreditit të vjedhura, si dhe karta SIM anonime. Sipas deklaratës së autoriteteve gjermane, të gjithë këto elementë të lartpërmendur tregtoheshin online dhe transaksionet e kryera në kriptovaluta janë ekuivalente me një vlerë prej 140 milionë eurosh.

Dark web (rrjeti i errët) është emri i një rrjeti “privat” që operon brenda internetit. Me t’u lidhur në ueb, arrin të kesh akses në një shumëllojshmëri përmbajtje dhe sitesh ku nuk mund të futesh me mjetet tradicionale të kërkimit si Google apo Bing. Është një lloj klubi privat gjysmë sekret ku lejohen të futen vetëm anëtarë të caktuar. Siç shpjegojnë ekspertët nuk kemi vetëm një “Dark Web” të vetëm, por shumë të tillë, disa kanë akses të lirë ndërsa disa të tjerë kërkojnë që të paguash për të hyrë.

Ndryshe nga interneti tradicional, ku të gjithë vizitojnë Facebook, Google bëjnë blerje online dhe lexojnë lajme. “Dark web” është komplet ndryshe. Kur bën një kërkim në “Dark Web” kërkimi kalon në një tjetër rrugë përmes gjithë përdoruesve të tjerë, në vend që të kalojë direkt nga kompjuteri juaj përmes router-it që keni. Kjo e bën të vështirë për autoritetet apo kompaninë e internetit që të përcaktojnë se nga vjen kërkimi. Mbase është pikërisht kjo shkallë e lartë anonimiteti që e bën “Dark Web”, vendin ideal për përmbajtje ilegale si psh: pornografia me të mitur, shitja e lëndëve narkotike apo çdo gjë tjetër që mund të imagjinosh në tregun e zi, deri tek tregu i vrasësve me pagesë. Websitet në Dark Web përdorin domainin (.onion) ndryshe nga domaine që njohim si: .com, .net, .gov, .al, .org, etj)

Ekziston dhe “Deep Web” por ndryshe nga “Dark Web” që është i kufizuar dhe nuk mund të vizitohet nga gjithkush, “Deep Web” përmban materiale që nuk mund të dalin në kërkimet në motorët e kërkimit në internet por mund të vizitohen vetëm nëse keni një link direkt.

DW

Artikulli paraprakNgritja dhe rënia e aplikacionit Parler
Artikulli tjetërLajmet e rreme – Çfarë janë në fakt dhe si mund t`i dalloni ato?