Sekuritizimi i ixharah

Marrëveshja e ixharah ka një potencial të mirë për sekuritizim, i cili mund të ndihmojë në krijimin e një tregu dytësor për financuesit në bazë të ixharah. Meqenëse qiradhënësi në ixharah është pronar i aseteve të dhëna me qira, ai mund ta shesë asetet, tërësisht ose pjesërisht, te një palë e tretë, e cila mund t’i blejë ato dhe të zëvendësojë shitësin në të drejtat dhe detyrimet e qiradhënësit lidhur me pjesën e blerë të asetit.

Prandaj, nëse qiradhënësi, pas lidhjes së ixharah, dëshiron të rikuperojë koston e blerjes së asetit me një fitim mbi të, ai mund të shesë asetet e dhëna me qira tërësisht ose pjesërisht, qoftë një pale të vetme ose disa individëve. Në rastin e fundit, blerja e një pjese proporcionale të asetit nga secili individ mund të vërtetohet me një çertifikatë që mund të quhet ‘çertifikatë ixharah’. Kjo çertifikatë do të përfaqësojë pronësinë proporcionale të mbajtësit në asetet e dhëna me qira dhe ai do të marrë përsipër të drejtat dhe detyrimet e pronarit/qiradhënësit në atë masë. Meqenëse aseti është tashmë i dhënë me qira qiramarrësit, qiraja do të vazhdojë me pronarët e rinj, dhe secili nga mbajtësit e kësaj çertifikate do të ketë të drejtën të përfitojë një pjesë të qirasë në përputhje me përqindjen e tij të pronësisë në aset. Po kështu, ai do të marrë përsipër edhe detyrimet e qiradhënësit sipas masës së pronësisë së tij. Prandaj, në rastin e shkatërrimit të plotë të asetit, ai do të pësojë humbjen sipas pjesës së tij të pronësisë. Këto çertifikata, duke qenë një dëshmi e pronësisë proporcionale në një aset të prekshëm, mund të negociohen dhe të tregtohen lirshëm në treg dhe mund të shërbejnë si një instrument i lehtë për t’u konvertuar në para. Kështu, ato mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të menaxhimit të likuiditetit me të cilat përballen bankat dhe institucionet financiare islame.

Megjithatë, duhet mbajtur mend se çertifikata duhet të përfaqësojë pronësinë e një pjese të pandarë të asetit me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin prej saj. Duke keqkuptuar këtë koncept bazë, disa palë kanë tentuar të lëshojnë çertifikata ixharah që përfaqësojnë vetëm të drejtën e mbajtësit për të kërkuar një shumë të caktuar të qirasë, pa i caktuar atij asnjë lloj pronësie mbi asetet. Kjo do të thotë se mbajtësi i një certifikate të tillë nuk ka asnjë lidhje me asetet e dhëna me qira. E drejta e tij e vetme është të ndajë qiratë e marra nga qiramarrësi. Ky lloj sekuritizimi nuk lejohet në shariat. Siç është shpjeguar më parë në këtë kapitull, qiraja, pasi të jetë bërë e detyrueshme, është një borxh i pagueshëm nga qiramarrësi. Borxhi ose çdo lloj garancioni që përfaqëson vetëm borxhin nuk është një instrument i tregtueshëm në shariat, sepse tregtimi i një instrumenti të tillë barazohet me tregti në para ose në obligime monetare, e cila nuk lejohet, përveçse mbi bazën e barazisë, dhe nëse vlera e barazisë respektohet gjatë tregtimit të këtyre instrumenteve, atëherë vetë qëllimi i sekuritizimit bie poshtë. Prandaj, ky lloj i çertifikatave ixharah nuk mund të shërbejën për krijimin e një tregu dytësor. Për këtë arsye, është e nevojshme që çertifikatat ixharah të jenë të dizajnuara për të përfaqësuar pronësinë reale të aseteve të dhëna me qira, dhe jo vetëm një të drejtë për të marrë qira.

Artikulli paraprakAseti i dhënë me qira – vlera reziduale
Artikulli tjetërQiraja fleksibile