Sarajevë, filloi Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor

Kjo ngjarje mblodhi në një vend përfaqësues të nivelit të lartë të qeverive dhe ekonomive nga Ballkani Perëndimor dhe Komisioni Evropian

Samiti i gjashtë Digjital i Ballkanit Perëndimor, ngjarja më e madhe digjitale në rajon, filloi sot në Sarajevë, raporton Anadolu.

Ministria e Komunikacioneve dhe Transportit e Bosnje e Hercegovinës është nikoqire e Samitit të Gjashtë Digjital dyditor të Ballkanit Perëndimor.

Kjo ngjarje mblodhi në një vend përfaqësues të nivelit të lartë të qeverive dhe ekonomive nga Ballkani Perëndimor dhe Komisioni Evropian.

Përmes diskutimeve të ndryshme të paneleve dhe sesioneve të konferencave, gjatë samitit dyditor do të sigurohet një pasqyrë më e thellë e tendencave dhe sfidave më të fundit të botës digjitale.

Borjana Krishto, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, në fjalën e saj hapëse theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj ngjarjeje.

“Ky tubim është mundësia më e mirë që do të na lejojë të eksplorojmë dhe të formësojmë të ardhmen e rajonit tonë së bashku, pikërisht përmes teknologjive digjitale dhe transformimit të përshpejtuar të shoqërisë. Bosnje e Hercegovina dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë potencial të madh. Për ta realizuar, duhet të punojmë së bashku, duhet të ndajmë idetë, përvojat dhe praktikat më të mira. Duhet të bashkëpunojmë për të tejkaluar me sukses të gjitha sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë që na sjell epoka digjitale”, tha Krishto.

Ajo shtoi se teknologjitë digjitale kanë potencialin të sjellin ndryshime në shoqëri dhe se ato ofrojnë mundësi për të përmirësuar arsimin, kujdesin shëndetësor, komunikimin dhe infrastrukturën.

Krishto shtoi se për të realizuar potencialin e plotë që ofron digjitalizimi, duhet të punohet më aktivisht për të arritur një mjedis të favorshëm për zhvillimin dhe zbatimin e arritjeve në këtë fushë.

/aa/

Artikulli paraprakKëshillë e vyer për atë që kërkon bereqet në kohën e tij!
Artikulli tjetërNJË URDHËR PREJ ALLAHUT PËR ROBËRIT E TIJ, NJË URDHËR QË SJELL BEGATI DHE RREGULLON PLOTËSISHT GJËNDJEN E TYRE