Inflacioni në Amerikë ka arritur nivelin më të lartë të 40 viteve, ndërsa të ardhurat reale të konsumatorëve familjarë po bien me ritmin më të shpejtë që kur qeveria filloi mbledhjen e të dhënave në vitin 1959.
Kjo situatë ka ardhur kryesisht për shkak se kostoja e ushqimeve, e karburantit dhe e strehimit është rritur në mënyrë drastike. Çmimi i mallrave të ndryshëm nuk tregon asnjë sinjal se do të bjerë në të ardhmen e afërt, si rezultat i luftës në Ukrainë, ndërkohë që tregu i kufizuar i banesave në SHBA mund të vazhdojë t’i mbajë çmimet më të larta se normalisht përgjatë viteve në vazhdim, pavarësisht rritjes së normave të interesit.
Por çfarë po ndodh me produktet që nuk kanë rëndësi jetike? Këtu mund të shihet fillimi i një korrigjimi të tregut, i cili mund të sjellë ndikime befasuese si për bizneset, ashtu edhe për tregjet. Një raport i fundit nga Currency Research Associates, një firmë për strategjitë financiare me qendër në SHBA, identifikoi disa prova të forta se po shfaqet një “grevë e blerjeve” në rang global, pasi konsumatorët në mbarë botën kanë filluar të reduktojnë shpenzimet e tyre për çdo gjë që nuk e kanë absolutisht të domosdoshme.
Provat për këtë fenomen janë më të dukshme në vendet në zhvillim, ku rritja e çmimeve të produkteve bazë (të cilat bëhen akoma më të shtrenjta kur i vendosen ҫmimet në monedhat e zhvlerësuara) ka sjellë ndërprerje të furnizimeve me energji elektrike, pasiguri ushqimore, si dhe atë që mund të quhet si “largimi” i qindra milionë njerëzve nga ekonomia globale e konsumit.
Tashmë, edhe vendet e pasura mund të përballen me të njëjtën situatë. Banorët e Nju Jorkut dhe të Nju Xhersit, për shembull, u detyrohen më shumë se 2.4 miliardë dollarë kompanive të furnizimeve me energji elektrike (në nivel kombëtar, kjo shifër është 22 miliardë dollarë) dhe disa qytete po paralajmërojnë për ndërprerje të energjisë elektrike nëse nuk paguhen faturat.
Bizneset kanë filluar të përshtasin pritshmëritë e tyre për shpenzimet. Në SHBA, makinat e përdorura janë duke u shitur më shumë se të rejat. Në fund të marsit, Apple njoftoi planet për të zvogëluar prodhimin e iPhone SE me 20 për qind, sepse lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit po ulnin shpenzimet e konsumatorëve në mbarë botën. Kjo solli gjithashtu edhe uljen e porosive për kufjet AirPods. Javën e kaluar, Netflix njoftoi se pati një humbje më të madhe të klientëve sesa numri i atyre që u regjistruan në tremujorin e parë. Ishte hera e parë që ndodhte diҫka e tillë në gati një dekadë. Rënia e çmimit të aksioneve prej 35 për qind pas këtij njoftimi solli rënie në të gjithë indeksin S&P.
Shqetësimi kryesor tani është se çdo aspekt ku njerëzit mund të zvogëlojnë shpenzimet e tyre – nga të ngrënit në restorante, te pushimet verore, rrobat e reja, elektroshtëpiaket, makinat – mund të marrë një goditje të rëndë nëse kostot e ushqimit, të karburantit dhe të shtëpive vazhdojnë të mbeten të larta. Megjithëse kjo situatë është kthyer tashmë në realitet për 60 për qind të amerikanëve që jetojnë me pagat e tyre mujore, ka disa indikatorë që tregojnë se edhe njerëzit më të pasur po bëhen të kujdesshëm me shpenzimet e tepërta. Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se më shumë se gjysma e atyre që fitonin 100,000 dollarë ose më shumë po konsumonin më pak ushqime, dhe afërsisht një e treta po reduktonin përdorimin e makinave, udhëtimet dhe abonimet mujore.
Cili mund të jenë efekti domino nëse shpenzimeve të reduktuara të konsumatorëve, rritjes së kostove për inputet e papërpunuara dhe rënies së çmimeve të aksioneve u shtohen edhe normat më të larta të interesit dhe korporatat që kanë rritur sasinë e borxhit në nivele më të larta se kurrë më parë? Ulf Lindahl, shefi ekzekutiv i Currency Research Associates, thotë se investitorët do të duhet të shikojnë se çfarë ndodhi në një periudhë tjetër ku pati një rënie të të ardhurave dhe rritje të prodhimit, midis shtatorit të vitit 1937 dhe qershorit të vitit 1938.
Në atë kohë, pasi arritën majat, çmimet e aksioneve ranë me 40 për qind në vetëm tre muaj. Kjo është një periudhë që ekonomisti Kenneth D Roose e shqyrtoi më në detaje në librin e tij të vitit 1954, “The Economics of Recession and Revival”. Megjithëse shkaqet e sakta të kësaj rënieje janë të vështira për t’u zbuluar, çmimet e shitjeve me shumicë ishin rritur së tepërmi në një kohë kur njerëzit vazhdonin të ishin shumë të ndërgjegjshëm për periudhën e Depresionit dhe gjithnjë e më shumë nervozë për situatën gjeopolitike.
E gjithë kjo situatë u nxit edhe nga reduktimi i ndihmave federale që ishin dhënë si pjesë e Marrëveshjes së Re (New Deal), ndërsa bankat qendrore kishin filluar të rrisnin normat e interesit. Kostoja e kapitalit për biznesin u rrit, edhe pse shpenzimet u reduktuan, dhe kështu ranë edhe çmimet e aksioneve.
Ky rast nga historia ka padyshim disa ngjashmëri shqetësuese me tablonë e sotme ekonomike dhe me situatën gjeopolitike globale. Sot kemi gjithashtu konsumatorë tepër të kujdesshëm me shpenzimet e tyre, paga më të larta në shumë vende, inflacion të lartë në të gjithë botën, një luftë në Ukrainë dhe bankat qendrore që përpiqen të rrisin normat e interesit. Yield-et reale 10-vjeçare të obligacioneve të Thesarit të SHBA janë gati duke u kthyer në shifra pozitive për herë të parë që nga periudha e pandemisë, duke u dhënë konsumatorëve një arsye tjetër për të kursyer akoma më shumë dhe për të shpenzuar më pak. Kjo gjithashtu do të shtrenjtojë borxhin e korporatave, si dhe do t’i bëjë kompanitë më vulnerabël.
Duket sikur po i afrohemi një pike kthese të rëndësishme në tregje. Zinxhirët e furnizimit po ndryshojnë, konflikti po rritet dhe sistemet e monedhave janë duke ndryshuar. E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur politika monetare është gati të kalojë një pikë nga ku nuk do të ketë më kthim pas, me rritje të normave të interesit dhe masat për reduktim të ofertës së parasë. Historia përsërit vetveten. Le të shpresojmë që ky të mos jetë rasti. /Financial Times/