Ndikimet evidente shumëdimensionale në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe varfërisë së Kosovës nga konteksti historik… Kosova ka arritur që të renditet ndër vendet me të ardhura mesatare në renditjen e fundit të shteteve të pasura në botë sipas kritereve të Bankës Botërore, dhe ta reduktojë varfërinë për rreth 50% në krahasim me vitet e para të pasluftës. Megjithatë, ende është diku tek 70%-shi i mesatares së zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, në krahasim me mesataren e BE-së, 10-15%, ose ngjashëm me nivelin që kishte në krahasim me Slloveninë në ish – Jugosllavi. Sipas Muhamet Mustafës, gabimi më i rëndë në vitet e pasluftës është mugesa e fillozofisë zhvillimore dhe strategjisë për të zhvilluar ofertën vendore në sektorë industrial dhe të tjerë. Por, cilat janë gjasat për zbutjen e varfërisë në Kosovë?
Kosova është realisht e varfër. Është më e varfëra në rajon. Vetëm Shqipëria është shumë pranë, madje thuaja ngjitas, për nga varfëria.
Më konkretisht, sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në javën e parë të këtij muaji, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.
Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, Prill 2022”.
Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2022, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë në 17,383 dollarë.
Matja e vendeve të pasura dhe të varfëra bëhet referuar PBB-së për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse. Produkti i brendshëm bruto është i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse. Sipas renditjes, Kosova dhe Shqipëria janë ndër vendet më të varfëra në rajon, duke u radhitur në vendet 105, përkatësisht 90. Mali i Zi kryeson në rajon si vendi më i pasur me PBB-në më të lartë për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse, ku renditet në vend të 69-të në botë me 24,878 dollarë.
Më pas vjen Serbia dhe Maqedonia e Veriut të renditura në vend të 72 dhe 78 respektivisht. Kurse Bosnje Hercegovina në këtë renditje qëndron në vend të 88-të me 17,471 dollarë për frymë.
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë. Përkundër këtyre fakteve që flasin për varfërinë e madhe në Kosovë, çmimet e të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, vezët, sheqeri etj), përditë shënojnë ngritje të reja. Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës. Si pasojë e ngritjes së egër të çmimeve, inflacioni aktualish ka arritur diku rreth 15 për qind.
Pse është kaq e varfër Kosova dhe pse vazhdon të mbetet ndër shtetet më të vobekëta në rajon dhe a ka gjasë reale për zbutjen e varfërisë në vendin tonë?
Rreth këtyre interesimeve të Buletinit Ekonomik flet Muhamet Mustafa, njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike të vendit, themelues e këshilltar Senior në Institutin Riinvest.
Duke u përgjigjur në pyetjen e Buletinit Ekonomik se “cilat janë shkaqet reale pse Kosova sot renditet ndër shtetet më të varfëra në Europë, nga trashëgimia e vobektësisë së Kosovës nga ish-Jugosllavia, kur Kosova ngeci ndjeshëm në zhvillimin ekonomik krahasuar me njësitë e tjera të Federatës Jugosllave, apo stërzgjatja e tranzicionit me vite të tëra pas luftës dhe pas kalimit në sistemin e ri shoqëror e shtetëror?”, professor Mustafa tha se “shkaqet janë disi të ndërthurura edhe në pyetjen tuaj”.
Sipas tij, aspekti historik lidhet me prapambeturinë e trashëguar qëkur Serbia e ripushtoi Kosovën pas luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Ato 20 vjet të Jugosllavisë së parë, shpjegon profesor Mustafa, karakterizohen me një regjim kolonial të egër e primitiv të përziera me elemente aparteidi e gjenocidi, pa asnjë shenjë industrializimi.
“Pas Luftës së Dytë botërore, nën regjimin e ri brenda Jugosllavisë së II-të (Federatës Jugosllave, Kosova mbeti gjatë e diskriminuar dhe filloi me vonesë gati një dekadë e gjysmë industrializimin në krahasim me republikat tjera. Pastaj pati një periudhë 15 vjeçare transformimesh që përputhen me avansimin e pozitës politike në atë Federatë, ndërtoi një infrastrukturë dhe industri me disa grupacione të suksesshme eksporti”, shpjegon profesor Mustafa.
Mirëpo, siç thotë ai, struktura e ndërtuar industriale dhe ekonomike në Kosovë, kishte dy defekte qenësore: krijonte pak vende pune dhe kalonte keq në tregun unik jugosllav në rishpërndarjen e të ardhurave nën ndikimin e fenomenit të ashtuquajtur “gërshërë çmimesh” (shit më lirë e blej më shtrenjtë se sa në tregun botëror) që pak a shumë godiste të gjitha republikat dhe krahinat e pazhvilluara atëkohë.
Kështu që Kosova, përkundër disa përparimeve në transfomimin ekonomik e social, sipas Mustafës, në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar arrinte rreth 30% të mesatares së zhvillimit të ish-Federatës Jugosllave.
Në vazhdim, profesor Mustafa vuri në dukje se në vitet 80-ta, Kosova ishte edhe nën një presion të madh politik (pas demostratave të vitit 1981) dhe me probleme të mëdha se si të mbrojë atë që kishte arritur.
Pastaj në vitet e 90-ta e okupuar nga regjimi millosheviqian, vendi ynë kishte pësuar një dezindustrializim të egër, ku niveli i zhvillimit brenda një dekade ishte përgjysmuar, mbijetesa bëhej në saje të iniciativës së lirë private, solidaritetit, mbështetjes nga diaspora, ndihmave humanitare dhe sistemit të rezitencës aktive paqësore kundër okupimit që kishte sajuar një buxhet vullnetar që servisonte edhe shërbimet bazike sociale (arsim, shëndetësi, kulturë, dhe shërbimet e administratës shtetërore të instutucioneve të Republikës, të shumtën në ekzil).
Mustafa thotë tutje se lufta e fundit pastaj kishte sjellur dëme të mëdha sidomos në sektorin privat, ku diku rreth 8 miliardë dollarë ishin dëmet e shkaktuara nga lufta (vlerësime nga viti 1999 sipas një hulumtimi të Institutit Riinvest menjëherë pas luftës), e që bashkë me dëmet e pësuara gjatë viteve të 90-ta, pas instalimit të regjimit kolonial, dëmet e përgjithshme arrijnë në mbi 20 miliardë dollarë.
I gjithë ky kontekst historik padyshim se ka ndikimet veta shumëdimensionale në nivelin e zhvillimit ekonomik dhe varfërisë së Kosovës. Përkundër politikave ekonomike joadekuate për nivelin e zhvillimit të Kosovës, gjatë këtyre 20 vjetëve pas çlirimit, Kosova ka arritur që të renditet ndër vendet me të ardhura mesatare në renditjen e fundit të shteteve sipas kritereve të Bankës Botërore, dhe ta reduktojë varfërinë për rreth 50% në krahasim me vitet e para të pasluftës. Megjithatë ende është diku tek 70%-shi i mesatares së zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa në krahasim me mesataren e BE-së, 10-15%, ngjashëm me nivelin që kishte në krahasim me Slloveninë në ish – Jugosllavi.
“Mendoj se nuk duhet të jemi tërësisht nihilist ndaj asaj që kemi arritur, por mundësitë kanë qenë dukshëm më të mëdha”, shprehet Mustafa.
Sipas Muhamet Mustafës, gabimi më i rëndë që ka pasur ndikim vendimtar në varfërinë e Kosovës sot, ka qenë mungesa e filozofisë zhvillimore dhe strategjisë për të zhvilluar ofertën vendore në sektorë industrial dhe të tjerë. Kjo pasi qeveritë vazhdimisht e kishin lënë këtë në dorë të donatorëve dhe organizatve ndërkombëtare, të cilat zbatonin një model zhvillimi të mbështetur në faktorët e jashtëm (diaspora, donacionet, huatë e kreditë), pa një mjedis që nxit invetimet për të sajuar një ofertë vendore konkurruese.
Ky koncept i kishte bërë investimet në sektorët prodhues dhe të tjerë, të shtrenjta, duke i nënshtruar gjithçka stabilitetit fiskal, por jo edhe rritjes ekonomike.
“Kjo nuk ishte adekuate dhe nixtëse për një ekonomi që kishte një histori çfarë e përshkruam më lartë. Ne në Institutin Riinvest kishim një mospajtim me këtë koncept që e kishin imponuar organizatata dhe konsulentë ndërkombëtar edhe me qeveritë tona që ishin jo të preokupura dhe pa filozofi ekonomike në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtar. Kjo arriti të korrigjohet deri në një masë me pakot fiskale 1 dhe 2 në vitin 2016, por ende ka dobësi të mëdha në qeverisjen makroekonomike dhe krijmin e një shteti që mbështet inciativën e lirë private, ndërmarrësit dhe krijuesit e vlerave në gjithë sektorët”, thotë ndër tjerash profesor Mustafa.
A ka gjasa që të zbutet varfëria në Kosovë, dhe cilat masa, apo veprime do të duhej ndërmarrë, sipas jush, për ta zbutur më shpejtë sadopak vobektësinë ndër kosovarët?
Ndërkohë, rreth faktit se a ka gjasa që të zbutet kjo varfëri në të ardhmen dhe cilat janë masat apo veprimet që duhen ndërmarrë nga qeveritë për ta adresuar këtë çështje, Mustafa përgjigjet se “Po, patjetër që ka gjasa, duke shtuar se madje ka edhe modele të sprovuara që kanë dhënë rezultate në shumë vende të botës e që mund të mësojmë prej tyre.
Esenciale sipas tij, është që të përmirësohet qeverisja ekonomike, polikat ekonomike dhe ligjet të nxirren në bazë të evdiencës, të pëmirësohet dhe lehtësohet pozita e prodhuesve dhe ndërmarrësve që ende vuajnë nga burokarcia dhe joefikasiteti i admnistratës qëndrore e komunale.
Mustafa vlerëson tutje se shteti ligjor duhet të mbrojë barazinë në treg dhe zbatimin e kontratave, të dënojë arbitraritetin dhe sjelljet korruptive. Kurse, sistemi i taksave duhet të sigurojë stabilitet buxhetor, shtet racional dhe efektiv, shëndetësi dhe edukim të standardeve për shoqërinë që aspirojmë.
“A mund të arrihen këto, patjetër që munden, por duhet të ekzitojë një llogaridhënie në vepër në institucione, në qeverisjen korporative. Për këtë duhet të evitohet lufta primitive poltike e artikuluar nga interesat grupore e partiake mbi ato shtetërore dhe kombëtare”, ka përfunduar Muhamet Mustafa./buletiniekonomik/