Një çështje tjetër e rëndësishme në financimin murabahah, e cila ka qenë objekt debati midis dijetarëve bashkëkohorë të shariatit, është se banka/financuesi nuk mund të hyjë në një shitje të vërtetë në momentin kur klienti kërkon financimin murabahah prej tij, sepse malli i kërkuar ende nuk është në pronësi të bankës në këtë fazë dhe, siç u shpjegua më herët, askush nuk mund të shesë një mall që nuk e zotëron, e as të kryejë një shitje të ardhshme. Prandaj, banka është e detyruar të blejë mallin nga furnizuesi dhe vetëm pasi ta ketë marrë në zotërim fizik ose konstruktiv, mund ta shesë te klienti.
Nga ana tjetër, nëse klienti nuk është i detyruar të blejë mallin pasi financuesi ta ketë blerë nga furnizuesi, ai mund të përballet me një situatë ku ka shpenzuar shumë për të siguruar mallin, por klienti refuzon ta blejë atë. Malli mund të jetë i tillë që nuk ka një kërkesë të zakonshme në treg dhe është shumë i vështirë për t’u shitur. Në këtë rast, financuesi mund të pësojë humbje të mëdha.
Zgjidhja e këtij problemi kërkohet në marrëveshjen murabahah duke i kërkuar klientit të nënshkruajë një premtim për blerjen e mallit sapo të merret nga financuesi. Në vend që të jetë një kontratë dypalëshe e shitjes së ardhshme, ky është një premtim i njëanshëm nga klienti, i cili e detyron vetëm atë dhe jo financuesin. Duke qenë një premtim i njëanshëm, ai dallohet nga një kontratë dypalëshe e shitjes së ardhshme.
Kjo zgjidhje i nënshtrohet kundërshtimit se një premtim i njëanshëm krijon një detyrim moral, por nuk mund të zbatohet ligjërisht nga gjykatat sipas shariatit. Kjo na çon te pyetja nëse një premtim i njëanshëm është i zbatueshëm në shariat apo jo. Përshtypja e përgjithshme është se një premtim i till nuk është i zbatueshëm, por përpara se ta pranojmë këtë përshtypje në vlerën e saj nominale, duhet ta shqyrtojmë atë në dritën e burimeve origjinale të shariatit.
Një studim i thelluar i materialeve përkatëse në librat e jurisprudencës islame do të tregonte se juristët myslimanë kanë pikëpamje të ndryshme mbi këtë temë. Pikëpamjet e tyre mund të përmblidhen si më poshtë:
- Shumë prej tyre janë të mendimit se përmbushja e një premtimi është një cilësi fisnike dhe është e këshillueshme që premtuesi ta respektojë atë, dhe shkelja e tijështë e qortueshme, por nuk është as e detyrueshme (vaxhib dhe as e zbatueshme nga gjykatat. Kjo pikëpamje i atribuohet Imam Ebu Hanifes, Imam Shafiut, Imam Ahmedit dhe disa juristëve maliki. Megjithatë, siç do të shihet më vonë, shumë juristë hanefi, maliki dhe disa shafi nuk pajtohen me këtë mendim.
- Një numër juristësh myslimanë janë të mendimit se përmbushja e një premtimi është e detyrueshme dhe premtuesi është i detyruar si moralisht ashtu edhe ligjërisht ta përmbushë premtimin e tij. Sipas tyre, premtimi mund të zbatohet nga gjykatat. Ky mendim i atribuohet Semure ibn Xhundub, shokut të njohur të Profetit (paqja qoftë mbi të), Umer ibn Abdulazizit, Hasan el-Basriut, Said ibn el-Ashva, Ishak ibn Rahvejh dhe Imam Buhariut. Ky është gjithashtu mendimi i disa juristëve maliki dhe është preferuar nga Ibn el Arabi dhe Ibn el Shat, si dhe është mbështetur nga imam Gazaliu, juristi i njohur shafi, i cili thotë se premtimi është i detyrueshëm nëse është bërë në terma absolutë. Të njëjtin mendim ndan edhe Ibn Shubrumah.
Pikëpamja e tretë paraqitet nga disa juristë maliki. Ata thonë se në kushte normale, premtimi nuk është i detyrueshëm, por nëse premtuesi ka shkaktuar që pala tjetër të ketë shpenzime ose të marrë përsipër ndonjë punë apo përgjegjësi mbi bazën e premtimit, atëherë ai është i detyruar ta përmbushë atë dhe mund të detyrohet nga gjykatat.
Disa dijetarë bashkëkohorë kanë pohuar se juristët që kanë pranuar detyrueshmërinë e një premtimi e kanë bërë këtë vetëm në lidhje me dhuratat e njëanshme ose pagesat vullnetare, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar detyrueshmërinë e një premtimi për të kryer një transaksion dypalësh tregtar ose monetar. Megjithatë, bazuar në një studim të afërt, kjo ide nuk duket të jetë e saktë, sepse juristët maliki dhe hanefi kanë lejuar “Bai bil vefa’” mbi bazën e një premtimi detyrues.
Bai bil vefa është një lloj i veçantë i shitjes, ku blerësi i një prone të paluajtshme merr përsipër që, sa herë që shitësi do t’i kthejë çmimin e blerjes, ai do t’ia rishesë shtëpinë. Çështja e vlefshmërisë së “Bai bil vefa’” është diskutuar tashmë në detaje në kapitullin e parë, duke shpjeguar konceptin e financimit të shtëpisë mbi bazën e “musharakah-e zvogëluar”. Thelbi i diskutimit është se, nëse riblerja nga shitësi është vendosur si kusht për shitjen fillestare, atëherë transaksioni nuk është i vlefshëm. Por nëse palët kanë hyrë në marrëveshjen fillestare pa kushte, dhe shitësi ka nënshkruar një premtim të veçantë dhe të pavarur për ta riblerë pronën e shitur, atëherë ky premtim është i detyrueshëm për premtuesin dhe i zbatueshëm nga gjykatat.
Detyrueshmëria e premtimit në këtë rast është pranuar si nga juristët maliki ashtu edhe nga ata hanefi.
Është e qartë se ky premtim nuk lidhet me një dhuratë. Ai është një premtim për të realizuar një shitje në të ardhmen. Megjithatë, juristët maliki dhe hanefi e kanë pranuar atë si të detyrueshëm për premtuesin dhe të zbatueshëm nga gjykatat. Kjo është një provë e qartë se juristët që mbështesin detyrueshmërinë e premtimeve nuk e kufizojnë atë vetëm te premtimet për dhurata etj. Sipas tyre, i njëjti parim vlen edhe për premtimet me anë të të cilave premtuesi merr përsipër të hyjë në një kontratë dypalëshe në të ardhmen.
Në fakt, Kurani i Shenjtë dhe suneti i Profetit (paqja qoftë mbi të) janë shumë të përpiktë në përmbushjen e premtimeve. Allahu në Kuran thotë:
“Dhe përmbusheni zotimet. Me të vërtetë, për zotimet do të jeni përgjegjës.” (el-Isra: 34)
“O ju që besoni! Pse thoni atë që nuk e bëni? Është e urryer tek Allahu që të thoni atë që nuk e bëni.” (es-Saf: 2-3)
Imam Ebu Bekr el-Xhessas ka thënë se ky ajet i Kuranit të Shenjtë tregon se nëse dikush merr përsipër të bëjë diçka, qoftë ajo adhurim apo kontratë, është e detyrueshme për të që ta përmbushë atë.
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë:
Janë tri cilësi dalluese të një hipokriti: kur flet gënjen, kur premton nuk e mban fjalën dhe kur i besohet diçka tradhton.
Ky është vetëm një shembull. Ka një numër të madh urdhëresash në hadithet e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ku urdhërohet përmbushja e premtimeve dhe ndalohet qartë tërheqja nga ato, përveçse për një arsye të vlefshme.
Prandaj, është e qartë nga këto urdhëresa se përmbushja e premtimeve është e detyrueshme. Megjithatë, çështja nëse një premtim mund të zbatohet ligjërisht në gjykata varet nga natyra e premtimit. Sigurisht, ka disa lloje premtimesh që nuk mund të zbatohen nëpërmjet gjykatave. Për shembull, në kohën e fejesës, palët premtojnë se do të martohen. Këto premtime krijojnë një detyrim moral, por në mënyrë të qartë nuk mund të detyrohen nga ligji. Por, në marrëdhëniet tregtare, kur një palë ka dhënë një premtim absolut për të shitur ose blerë diçka dhe pala tjetër ka marrë përsipër përgjegjësi financiare mbi këtë bazë, nuk ka asnjë arsye pse një premtim i tillë nuk duhet të zbatohet. Prandaj, mbi bazën e urdhëresave të qarta të Islamit, nëse palët bien dakord që një premtim i caktuar do të jetë i detyrueshëm për premtuesin, ai do të jetë i zbatueshëm.
Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me murabahah. Nëse premtimet nuk janë të zbatueshme në transaksionet tregtare, kjo mund të rrezikojë seriozisht veprimtarinë tregtare. Nëse dikush i kërkon një tregtari që t’i sjellë një mall të caktuar dhe i premton se do ta blejë prej tij, dhe mbi këtë bazë tregtari e importon atë nga jashtë duke shpenzuar shumë, si mund të lejohet që ky person të refuzojë ta blejë? Nuk ka asgjë në Kuranin e Shenjtë ose në Sunetin e Profetit që ndalon detyrimin e premtimeve të tilla.
Mbi këto baza, Akademia e Fikhut Islam në Xhide ka vendosur që premtimet në marrëdhëniet tregtare janë të detyrueshme për premtuesin me kushtet e mëposhtme:
(a) Duhet të jetë një premtim i njëanshëm.
(b) Premtimi duhet ta ketë çuar të premtuarin të marrë përsipër disa përgjegjësi financiare.
(c) Nëse premtimi është për të blerë diçka, shitja e vërtetë duhet të ndodhë në kohën e caktuar përmes shkëmbimit të ofertës dhe pranimit. Vetë premtimi nuk duhet të konsiderohet si shitje e përfunduar.
(d) Nëse premtuesi tërhiqet nga premtimi i tij, gjykata mund ta detyrojë atë ose të blejë mallin ose të paguajë dëmet reale të shitësit. Dëmet reale përfshijnë humbjet monetare të pësuara nga ai, por nuk përfshijnë koston e mundësive të humbura.
Në këtë bazë, klienti mund t’i premtojë financuesit se do ta blejë mallin pasi ky i fundit ta ketë marrë atë nga furnizuesi. Ky premtim do të jetë i detyrueshëm për të dhe mund të zbatohet në gjykatë në mënyrën e shpjeguar më sipër. Ky premtim nuk përbën një shitje të vërtetë. Do të jetë thjesht një premtim, dhe shitja e vërtetë do të ndodhë pasi financuesi ta ketë marrë mallin, për të cilin do të jetë e nevojshme shkëmbimi i ofertës dhe pranimit.