Pesë pasojat e kamatës

1- Çmenduria nga prekja e djallit: Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngrihen ndryshe vetëm se si ngrihet ai i çmenduri nga të prekurit e djallit.” (Bekare, 275)

2- Zhdukja e përfitimit: Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ia zhduk çdo përfitim kamatës.” (Bekare, 276) Me këtë nënkuptohet shkatërrimi dhe asgjësimi i pasurisë. Gjithashtu është thënë se me këtë nënkuptohet ikja e begatisë dhe e kënaqësisë derisa të mos kënaqet me atë pasuri e as fëmija pas tij.

3- Lufta: Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë u është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.” (Bekare, 279)

4- Mosbesimi: Allahu i Lartësuar thotë: “…dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Bekare, 278) Gjithashtu Allahu i Lartësuar pas përmendjes së kamatës ka thënë: “Allahu nuk i do ata që janë mohues-gjynahqarë.” (Bekare, 276) Mohues për shkak të lejimit të kamatës, ndërsa gjynahqarë për shkak të ngrënies së kamatës.

5- Përjetësia në zjarr: Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Bekare, 275) Gjithashtu Ai thotë: “O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni.” (Ali Imran, 130) Fjala e Allahut të Lartësuar: “kamatë të shumëfishtë mbi kamatë” nuk nënkupton kufizimin e vetëm kësaj ndalese, por ka për qëllim atë që kanë pasur traditë të vepronin, me këtë i qorton ata. Ngase njeriu jepte kamatë për një periudhë të caktuar, kur vinte koha, ai i thoshte borxhliut: më shto pasurinë, do të të shtyj afatin dhe ai e bënte këtë. Kësisoj vepronin kur vinte çdo afat dhe brenda një periudhe të shkurtër e rikthente tërë pasurinë e vet. U ndaluan të vepronin kështu dhe zbriti ajeti kuranor.
Almedin Ejupi
8.2.2009

Artikulli paraprakRreziku i kamatës
Artikulli tjetërÇfarë është sigurimi i jetës?