PENGU dhe DEPOZITIMI (AMANETI)

Ç’është pengu? Pengu në kuptimin gjuhësor është izolimi .

Allahu i Madhëruar thotë: “Secili është peng për atë që ai ka fituar.”Mudethir:38

Në kuptimin legjislativ, pengu është të lësh një plaçkë (peng) të lidhur me borxhin, në mënyrë që borxhdhënësi të marrë prej asaj plaçkeje të drejtën (hakun) e tij, nëse borxhliu nuk e shlyen dot borxhin.

Gjykimi për pengun

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nëse jeni në udhëtim dhe nuk mundeni të gjeni dot shkrues (të borxhit), atëherë merrni ose lini peng diçka!” Bekare:283

Përkufizimi i lënies së pengut me udhëtimin në këtë ajet është përmendur se në udhëtim ndodh më shpesh kjo gjë, por kjo nuk do të thotë që në raste normale dhe joudhëtimi, kjo gjë (pengu) të jetë e ndaluar, sepse hadithet e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tregojnë lejueshmërinë e saj.

Tregon Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se:

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) bleu ca drithë te një çifut, me qëllim që t’ja paguajë në një afat të caktuar dhe i la atij peng mburojën e tij të luftës.”.Mutefekun alejhi

A lejohet përdorimi i pengut

Nuk i lejohet atij që e merr pengun ta përdorë dhe të përfitojë prej tij, për arsyen që thamë tek borxhi: çdo borxh që sjell fitim është kamatë.

Në rast se pengu është kafshë ngarkese apo kafshë që i merret qumështi, atëherë i lejohet pengmbajtësit që t’i hipë asaj apo ta mjelë atë, nëse ai i ushqen ato.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kafsha e ngarkesës mund të përdoret për t’i hipur nëse është lënë peng dhe nëse shpenzohet për të. Qumështi i kafshës mund të pihet nëse është lënë peng dhe nëse shpenzohet për të. Ai që i hipën asaj apo i merr qumështin ka për detyrë ta ushqejë atë.”  Buhariu, Ebu Daudi, Tirmidhiu, ibën Maxheh.

DEPOZITIMI (AMANETI)

Ç’është depozitimi? Depozitimi apo amaneti është lënia e diçkaje për ta ruajtur tek dikush tjetër.

Gjykimi për të

Nëse dikush i lë vëllait të tij për të ruajtur një plaçkë (amanet), atëherë është epëlqyeshme që ai ta pranojë atë nëse është i sigurt te vetja se mund ta ruajë atë amanet.Shkaku i të qënurit e pëlqyeshme pranimi i amanetit, është duke u nisur nga rregulli indihmës së njëri-tjetrin në punë të mira e të devotshme.

Eshtë detyrë për mbajtësin e amanetit që t’ja kthejë atë të zotit të tij, kur ai ta kërkojë atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht që Allahu ju urdhëron që t’jua ktheni prapë atyre që u takojnë gjërat e dhëna juve amanet për ruajtje në besim.” Nisa:58

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Ktheja amanetin atij që ta ka lënë atë në besim!” Tirmidhiu, Ebu Daudi (sahih)

Kompensimi i amanetit nëse prishet në dorën e mbajtësit

Nuk kompenson gjë mbajtësi i amanetit vetëm në rast se nuk kujdeset ashtu siç duhet për të.Tregon Amër bin Shuajb nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Atij që i lihet një amanet, nuk kompenson gjë nëse ai prishet tek ai.” Ibën Maxheh (hasen)

Tregon gjithashtu (Amri) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka kompensim mbi atë që i është besuar diçka.”

Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Umer bin Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ngarkoi atij që të kompensonte një plaçkë që u vodh dhe që i ishte lënë atij amanet.”Darakutni, Bejhakiu (hasen)

Bejhakiu thotë: “Kjo ka ndodhur se ai nuk është kujdesur për të ashtu siç duhet, kështu që e kompensoi atë për shkak të moskujdesit” Bejhakiu:vëll. VI, f.289

 

LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes.

 

 

Artikulli paraprakGjatë këtij viti janë lëshuar 1.8 miliardë euro kredi të reja në Kosovë
Artikulli tjetërPërgjigjia brilante e CEO-s së Google, që e ndihmoi të punësohej menjëherë