Parimet themeluese të Bashkimit Evropian për dinjitetin njerëzor dhe barazinë bien në thelb, sidomos kur ajo vazhdon të mbajë larg vendet e Ballkanit me shumicë muslimane.
Më 23 qershor, Këshilli Evropian mori një vendim historik për dhënien e statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Ky hap i afron të dyja vendet me BE-në dhe shihet si një vendim strategjik përballë inkursionit rus në Ukrainë. Në fakt, Ukraina aplikoi menjëherë pas sulmit të 24 shkurtit dhe përgjigja e Këshillit Evropian ishte jashtëzakonisht e shpejtë. Përveç formave të ndryshme të mbështetjes së ofruar për Ukrainën deri më tani, kjo shënon një moment historik të rëndësishëm.
Samiti i muajit të kaluar i liderëve evropianë ishte po ashtu i rëndësishëm për një vendim që nuk e mori. Që nga samiti i Selanikut i vitit 2003, i cili premtonte një perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor, vendet e rajonit i kanë pasë sytë drejt Brukselit. Tashmë prej gati dy dekadash, procesi i integrimit evropian të Bosnjë-Hercegovinës ka dominuar diskursin publik në vendin ballkanik. Zyrtarët qeverisës të Bosnjës shpallën në fillim dhe deri në mesin e viteve 2000 se vendi ynë do të anëtarësohej në BE deri në fund të asaj dekade.
Anëtarësimi në BE u përcaktua si prioritet kryesor dhe pranimi shihej si ilaç për të gjitha sfidat e pasluftës. Mantra e integrimit evropian ishte aq e përhapur sa Bosnja nuk ka një parti politike kundër BE-së apo ndonjë OJQ të veçantë që i kundërvihet BE-së. Nga komunistët e dikurshëm, e deri te udhëheqësit fetarë, shumica dërrmuese e personazheve publikë kanë ndjeku linjën e BE-së. Nuk ka asnjë edicion lajmesh në mbrëmje pa përmendur rrugën e Bosnjës drejt BE-së. Publiku boshnjak ishte përshtatur aq shumë me idenë se vendi do të bashkohej me BE-në dhe do të zgjidhte problemet e tij, saqë pakkush mendonte për të ardhmen e Bosnjës pa BE-në.
Më shumë se gjashtë vjet më parë, Bosnja aplikoi për anëtarësim në BE dhe që atëherë ka shpresuar për statusin e kandidatit. Shumë qytetarë boshnjakë prisnin që kjo të realizohej në fund të qershorit. Megjithatë, vendimi i Këshillit Evropian për të anashkaluar Bosnjën ishte një surprizë për shumë njerëz. BE kishte të drejtë që i dha statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, por pse jo edhe Bosnjës?
Në fund të fundit, Bosnja ka ndjekur integrimin evropian për një periudhë më të gjatë kohore dhe është relativisht e qëndrueshme. Krahasuar me luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe separatizmin në Transnistrinë e Moldavisë, situata në Bosnje – me të gjitha sfidat e saj – e bën këtë vend shumë më të besueshëm për statusin e kandidatit në BE sipas meritave të tij. Nëse do të ishte një vendim strategjik, Ballkani nuk është më pak i rëndësishëm për sigurinë e Evropës sesa Ukraina apo Moldavia.
Prej disa kohësh, para vendimit të 23 qershorit dhe sigurisht pas tij, një tjetër argument ka filluar të fitojë peshë. Ajo që analistët dhe laikët në Bosnjë e Ballkan po vënë re është elefanti në dhomë.
Në samitin e fundit të BE-së, Bosnja është anashkaluar për statusin e kandidatit. Kosovës nuk i është lejuar udhëtimi pa viza në BE. Bisedimet e pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u bllokuan nga Franca në vitin 2019 dhe tani nga Bullgaria. A është rastësi që këto katër vende pengohen vazhdimisht në rrugën drejt BE-së, ndërsa të tjerat përparojnë?
E përbashkëta e këtyre katër vendeve është popullsia e konsiderueshme myslimane. Një numër në rritje njerëzish kanë filluar të besojnë se kjo është arsyeja e harresës së katër shteteve të Evropës Juglindore. Në Bosnje, ky argument është shprehur më shpesh nga ish-ministri i Energjisë, Reuf Bajroviç. Kohët e fundit, një gazetar hulumtues i njohur boshnjak Avdo Avdic ka shprehur një qëndrim të ngjashëm. Kam vënë re se gjithnjë e më shumë qytetarë të zakonshëm boshnjakë kanë filluar të ndajnë pikëpamjet e artikuluara nga Bajroviç dhe Avdiç.
Çështja nuk është thjesht demografia dhe numrat. Popullsi të konsiderueshme myslimane jetojnë në disa shtete anëtare të BE-së. Problemi kryesor, sipas këtij argumenti, është pushteti politik. Ndryshe nga popullsitë myslimane në Evropën Perëndimore, muslimanët e Ballkanit ushtrojnë pushtet politik në të katër vendet. Kjo i veçon ata nga komunitetet demografikisht më të mëdha, por politikisht të margjinalizuara në BE.
Vetoja franceze dhe tani ajo bullgare si dhe anashkalimi i Bosnjës dhe Kosovës i mban këto vende në vakuum. Edhe pa pengesat aktuale, procesi i integrimit evropian të katër vendeve ka të ngjarë të zvarritet për vite, nëse jo dekada. E thënë më troç, qasja e BE-së duket se sugjeron se anëtarësimi i plotë i këtyre shteteve nuk është në tryezë në vitet në vijim. Anëtarësimi i plotë ndoshta do të mbetet një ideal i largët.
Kjo në mënyrë efektive do të thotë se vendet e Evropës Juglindore me popullsi të rëndësishme dhe politike të rëndësishme myslimane do të mbahen larg. Nëse këto katër shtete po përballen me këto pengesa në këtë fazë fillestare, çfarë duhet pritur nëse do t’i afroheshin anëtarësimit të plotë? Ky përfundim i dhimbshëm nuk është rezultat i teorive të pabaza, por i një leximi real të synimeve të Brukselit ose mungesës së tyre.
Pavarësisht nga ky argument, është ende e mundur që një nga samitet e ardhshme të Këshillit Evropian mund t’i japë Bosnjës statusin e kandidatit, të heqë regjimin e vizave për Kosovën dhe të bëjë presion ndaj Bullgarisë për të hequr veton e saj. Ndërkohë që këto do të ishin hapa të mirëpritur, por të vonuar, statusi i kandidatit dhe negociatat e pranimit mund të zvarriten me vite. Nuk do të kishte ende asnjë garanci që procesi i integrimit evropian të çojë në përfitimet e anëtarësimit të plotë.
Tani do të jetë sfiduese për politikanët e Ballkanit që t’ia thonë këtë të vërtetë njerëzve. Në Bosnje, pasi kanë kaluar dy dekada duke folur për integrimin evropian, politikanët dhe liderët duhet të fillojnë ta përshtatin publikun me realitetin e ri. Mesazhi bazë se anëtarësimi i plotë në BE nuk është as i realizueshëm në të ardhmen e parashikueshme dhe as një ilaç, do të ishte jo shumë popullor. /tesheshi/
Nga Hamza Karçiç*
*Hamza Karçiç është profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.