Netflix, i cili u krijua në vitin 1997, si një kompani për marrjen me qira dhe dërgimin e DVD-ve me postë, arriti të martën një rekord të ri, duke u konsoliduar së fundi si një ndër shoqëritë më të fuqishme në Hollywood.
Shërbimi i streaming deklaroi se tashmë ka më shumë se 200 milionë abonentë në mbarë botën, me një rritje prej 8.5 milionë përdoruesish në tremujorin e katërt të 2020-s, duke kapërcyer pritshmëritë.
Fitimet e Netflix në tremujorin e katërt të 2020 ishin 542 milionë dollarë, në rënie krahasuar me 587 milionë dollarë në tremujorin e mëparshëm. Të ardhurat u rritën me 21% në 6.6 miliardë dollarë.
“2020 ka qenë një vit jashtëzakonisht i vështirë, me humbje të mëdha për kaq shumë familje, kufizime të reja me të cilat askush prej nesh nuk ishte mësuar të jetonte dhe paqartësi të mëdha” – deklaroi kompania të martën. “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës që në këto kohëra të vështira, kemi qenë në gjendje t’u sigurojmë përdoruesve tanë në botë një mundësi arratisje, lidhje dhe gëzim, duke vijuar zhvillimin e aktivitetit tonë”.
Ashtu si gjithë operatorët e stay-at-home economy, Netflix përfitoi nga pandemia, e cila vijon, dhe nga kufizimet që ndalojnë njerëzit të dalin nga shtëpia. Vetëm në tre muajt e parë të 2020, shoqëria regjistroi 15,8 milionë përdorues.
Netflix raportoi se në vitin 2020, shoqëria regjistroi 37 milionë përdorues të rinj, me një rritje prej 31% krahasuar me një vit më parë. Por një njoftim tjetër mund të ketë ndikuar në rritjen e aksioneve të Netflix të martën – shoqëria tha se është “shumë afër një norme të qëndrueshme pozitive financiare” [free cash flow].
“Për vitin 2021, parashikojmë që ‘free cash flow’ do të jenë në ekuilibër” – deklaroi shoqëria. “Mendojmë se nuk kemi më nevojë për të mbledhur financime të jashtme për aktivitetet e përditshme”. Ky është një lajm i mirë për investitorët që janë të shqetësuar për borxhin e kompanisë, shpenzimet për përmbajtjen dhe rritjes së përgjithshme në vazhdim”.
2020 ka qenë një vit me konkurrencë për Netflix. Në treg ka shumë operatorë të streaming: Peacock, HBO Max e mbi të gjitha Disney+, që në fillim të dhjetorit numëronte 86,8 milionë abonentë, pak më shumë se një vit nga dalja në treg.
“Është me të vërtetë mbresëlënëse puna e tyre – tha në një intervistë Reed Hastings, një nga themeluesit dhe drejtuesit e Netflix. – Suksesi i tyre na bën entuziastë të rrisim numrin e abonimeve dhe buxhetin për përmbajtjen tonë”.
Burimi: CNN