Në shkrimet e hershme mbi bankimin islam, musharakah ishte menduar si mënyra themelore e financimit në modelin e bankimit pa interes. Megjithatë, në bankimin islam bashkëkohor, musharakah pothuajse nuk ekziston. Arsyeja për këtë është e qartë: kompleksiteti dhe një shkallë relativisht më e lartë e rreziqeve morale. Në sheriat, musharakah është një partneritet i thjeshtë, ku dy palë marrin pjesë në një sipërmarrje duke ofruar kapital. Shndërrimi i “partneritetit” në një mënyrë financimi bankar nuk është i lehtë. Së pari, ai duhet të jetë i përkohshëm, pasi banka nuk mund të përfshihet në pronësinë dhe funksionimin e kompanive aksionare. Së dyti, për shkak se musharakah është “përzierja” e dy kapitaleve, sa herë që një bankë islame hyn në musharakah duke ofruar kapital, ajo duhet të bëjë një vlerësim të “vlerës” së palës tjetër. Kjo ndodh sepse fitimi në fund të Musharakah përcaktohet nga ndryshimi i vlerës së investimit midis dy periudhave. Ky proces është jashtëzakonisht i ndërlikuar.
Disa aspekte të sheriatit mbi musharakah
Dy palët mund të investojnë në partneritet me shuma të ndryshme kapitali. Në rast humbjeje, pjesa e secilës palë përcaktohet bazuar në pjesën e saj të kapitalit. Ndërsa te rasti i fitimit është ndryshe, ai mund të ndahet ndryshe. Kjo është shumë e përshtatshme për bankat islame, pasi ato mund të marrin një pjesë të fitimit më të ulët se pjesa e tyre në kapital dhe kështu të konkurrojnë me bankat tradicionale. Në musharakah, dy partnerët mund të marrin ose jo pjesë në menaxhim. Megjithatë, është e lejuar që ai që menaxhon, nëse është një nga partnerët, të marrë një pagë ose një pjesë më të madhe të fitimeve.
Musharakah si zëvendësues për overdraftin e rregullt
Disa banka islame kanë arritur të zhvillojnë musharakah si një zëvendësues për overdraftin e rregullt. Në këtë rast, banka hap një llogari për klientin nga e cila mund të tërhiqet overdrafti. Një marrëveshje musharakah nënshkruhet me klientin, në të cilën banka bëhet partnere aktive me klientin në funksionimin e përgjithshëm të biznesit të tij. Sa herë që klienti ka tepricë të parave, ai mund t’i depozitojë në llogari, duke ulur kështu detyrimin. Në fund të periudhës, e cila zakonisht është një vit financiar, banka do të marrë një pjesë të fitimit në përpjesëtim me pjesën e saj të kapitalit dhe numrin e ditëve në të cilat llogaria ka qenë në overdraft. Marrëveshja për një transaksion të tillë është mjaft e ndërlikuar, pasi përfshin shumë masa për të parandaluar ndryshimin e natyrës, procedurave dhe menaxhimit të biznesit të klientit në një mënyrë që mund të dëmtojnë interesat e bankës.