Murabaha – hyrje

Shumica e bankave islame dhe institucioneve financiare përdorin murabahanë si një mënyrë islame financimi, dhe pjesa më e madhe e operacioneve të tyre financiare bazohet në murabaha. Për këtë arsye, ky term është marrë sot në qarqet ekonomike si një metodë e operacioneve bankare, ndërkohë që koncepti origjinal i murabahasë është i ndryshëm nga ky supozim.

Murabaha është, në fakt, një term i Fikhut Islam dhe i referohet një lloji të veçantë të shitjes që nuk ka asnjë lidhje me financimin në kuptimin e tij origjinal. Nëse një shitës bie dakord me blerësin e tij t’i sigurojë një mall të caktuar me një fitim të shtuar mbi koston e tij, kjo quhet një transaksion murabaha. Përbërësi bazë i murabahasë është që shitësi e bën të ditur koston reale që ka pasur për të siguruar mallin dhe më pas i shton një fitim. Ky fitim mund të jetë një shumë e caktuar ose mund të bazohet në një përqindje.

Pagesa në rastin e murabahasë mund të bëhet menjëherë ose në një datë të mëvonshme të rënë dakord mes palëve. Prandaj, murabaha nuk nënkupton domosdoshmërisht konceptin e pagesës së shtyrë, siç besohet në përgjithësi nga disa që nuk janë të njohur me jurisprudencën islame dhe që kanë dëgjuar për murabahanë vetëm në lidhje me transaksionet bankare.

Murabaha, në kuptimin e saj origjinal islam, është thjesht një shitje. E vetmja veçori që e dallon atë nga llojet e tjera të shitjes është se në murabaha, shitësi i tregon shprehimisht blerësit sa ka qenë kostoja e tij dhe sa fitim do të marrë mbi të.

Nëse një person shet një mall për një çmim të caktuar pa përmendur koston, kjo nuk konsiderohet murabaha, edhe nëse ai përfiton mbi koston e tij, sepse shitja nuk bazohet në konceptin “kosto plus”. Në këtë rast, kjo lloj shitjeje quhet musavvama.

Ky është kuptimi i vërtetë i termit murabaha, i cili është një formë e pastër shitjeje. Megjithatë, kjo lloj shitjeje po përdoret nga bankat islame dhe institucionet financiare duke i shtuar disa koncepte të tjera si një mënyrë financimi. Por vlefshmëria e këtyre transaksioneve varet nga disa kushte që duhet të respektohen në mënyrë që ato të jenë të pranueshme sipas Sheriatit.

Për të kuptuar saktë këto kushte, duhet që në fillim të kuptohet se murabaha është një shitje me të gjitha pasojat e saj dhe se të gjithë përbërësit themelorë të një shitjeje të vlefshme duhet të jenë të pranishëm edhe në murabaha. Prandaj, ky diskutim do të fillojë me disa rregulla themelore të shitjes, pa të cilat një shitje nuk mund të konsiderohet e vlefshme sipas Sheriatit. Më pas, do të shqyrtojmë disa rregulla të veçanta që rregullojnë shitjen me murabaha në veçanti dhe në fund do të shpjegojmë procedurën e saktë për përdorimin e murabahasë si një mënyrë e pranueshme financimi.

Është bërë përpjekje që parimet e detajuara të përmblidhen në shënime të shkurtra me fjali sa më të shkurtra, në mënyrë që pikat kryesore të temës të kuptohen me një vështrim të vetëm dhe të mbahen lehtësisht si referencë.

Artikulli paraprakMudarabah si mënyrë e financimit 
Artikulli tjetërMusharakah si zëvendësues për overdraftin e rregullt