Kompania e prodhimit të veturave dhe motorëve, Toyota, uli objektivin e saj vjetor të prodhimit me 300 mijë vetura më pak pasi rritja e infeksioneve me COVID-19 ngadalësoi prodhimin në fabrikat e pjesëve në Vietnam dhe Malajzi, duke shtuar një mungesë globale të çipave të veturave.
“Është një kombinim i koronavirusit dhe çipave, por për momentin është koronavirusi që ka ndikimin dërrmues”, deklaroi Kazunari Kumakura, një ekzekutiv në prodhuesin më të madh të veturave në botë, pasi kompania rishikoi objektivin e saj të prodhimit.
Ndryshe nga prodhuesit e tjerë të mëdhenj të veturave që u detyruan më herët të zvogëlojnë planet e prodhimit, Toyota kishte arritur të shmangte këtë sepse kishte grumbulluar përbërës kryesorë përgjatë një zinxhiri furnizimi të ngurtësuar kundër ndërprerjes pas tërmetit shkatërrues verilindor të Japonisë në vitin 2011.
Njoftimi i Toyotas është një shenjë e mëtejshme se asnjë pjesë e industrisë globale të veturave nuk i ka shpëtuar ndikimeve të një pandemie që ka ndërprerë shitjet dhe po pengon rimëkëmbjen për shkak të valëve të reja.
Toyota tani pret të ndërtojë 9 milionë veturë në vit deri më 31 mars, në vend se 9.3 milionë.
© KOHA.