Mos i kemi haram për t’i ngrënë ato ushqime?

Pyetja:

Esselamu alejkum!
1. Një vëlla i yni musliman punon në një supermarket të madh, që përveç gjërave ushqimore ka edhe alkool dhe mish derri. Nëse ai vëllai e ka haram të punoj në atë vendpunim apo nuk e ka haram nuk e di. Pyetja është se nëse vëllai na sjell ushqime nga ai supermarket (ai ushqim në parim është hallall, pasi ai na sjell për shembull çokollata, kikirikë etj.), por pasi vëllai punon në atë supermarket, mos i kemi haram për t’i ngrënë ato ushqime?

2. Mixha im jeton në Gjermani dhe punon në fabrikë të birrave, gruaja dhe djali i tij punojnë në një firmë për pastrim. Nuk e vë në dyshim se puna në atë fabrikë është haram, por edhe në këtë rast pyes se nëse unë shkoj në vizitë tek ai dhe ushqehem, a e kam haram ushqimin që e ha tek ai?
E bëj këtë pyetje duke aluduar për rastin e Ebu Bekrit, i cili pas ngrënies e ka futur gishtin në gojë për ta kthyer atë që kishte ngrënë pasi e mori vesh se është haram. Allahu ju shpërbleftë me të mirat e tij në dynja dhe ahiret!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

1. Sa i përket çështjes se a lejohet të punojmë në supermarkete në të cilat shitet alkool dhe mish derri, dallon varësisht prej punës që bëjmë aty, pasi puna në këto supermarkete të mëdha është e shumëllojshme dhe është e ndarë në seksione. E ndaluar është të punojmë në seksionin ku shitet alkooli dhe mishi i derrit, pra të jemi në kontakt direkt me shitjen e këtyre gjërave. Kurse puna në seksionet e tjera nuk është e ndaluar. Allahu e di më së miri!

2. Nëse një musliman punon në këtë vend ku shitet alkooli dhe mishi i derrit, atëherë nëse ai sjell ushqime, a lejohet të hamë nga këto? Pasuria e këtij musliman në jurisprudencën e fikhut trajtohet si pasuri e përzier me haram dhe hallall. Lejohet të hamë nga pasuria e përzier e njeriut, nëse nuk dihet saktësisht se ai ushqim është blerë konkretisht nga pasuria e fituar me haram. Kjo është kështu për shkak se pasuritë e njerëzve në esencë janë të lejuara dhe vërtetohet se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka ngrënë kur është ftuar në shtëpi të çifutit, edhe pse ata njiheshin se punonin dhe pranonin kamatën. Pastaj vërtetohet se ai ka ngrënë dhe pirë nga Ehli Kitabët (të krishterët dhe çifutët) pa qartësuar esencën e pasurive të tyre se si i kanë fituar, etj..

3. Pyetja juaj rreth mixhës që punon në fabrikën e birrës dhe anëtarëve të tjerë të familjes që punojnë në vende të tjera është e njëjtë sikurse trajtimi mëhershëm. Edhe kjo pasuri është e përzier, prandaj lejohet të hash kur shkon për vizitë atje. Allahu e di më së miri!

Husejn Serraxh
25.4.2008
Pyetjet e fundit Informate
Nuk e di lutjen e Kunutit…
Pasimi i imamit…
Rreth krizave financiare, inflacionit dhe parasë së…
Prekja e veshëve gjatë tekbirit fillestar…
Si zbriten hatmet pas vdekjes?…
Si ta rikthej njeriun që e kam dashur shumë…
A lejohet përdorimi i kësaj shprehjeje…
A lejohet të bashkëjetoj me vajzën që kam bërë …
Rreth kazasë së namazeve…

Artikulli paraprakA është haram të punosh në bankë vetëm në sektorin e kredive apo edhe në sektorët e tjerë?
Artikulli tjetërÇfarë duhet të bësh kur dikush të le amanet paratë e tij, a mund të investosh p.sh.?