Marrëveshje bashkëpunimi Shqipëri-Turqi në fushën e bujqësisë

Ministri Panariti u shpreh se grupet e përbashkëta të dy ministrive kanë punuar prej kohësh për përcaktimin e prioriteteve në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit

TIRANË (AA) – Midis Shqipërisë dhe Turqisë është nënshkruar sot marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e Bujqësisë dhe një plan veprimi dyvjeçar, ndërsa ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik dhe homologu i tij shqiptar, Edmond Panariti, kanë mbajtur një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Panariti i cili nënshkroi marrëveshjen me homologun turk në fjalën e tij u shpreh se grupet e përbashkëta të dy ministrive kanë punuar prej kohësh për përcaktimin e prioriteteve në fushën e bujqësisë dhe agrobiznesit dhe sipas tij kjo marrëveshje do të sjellë ndikime direkte në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në këtë fushë.

“Ndërtimi i një platforme të përbashkët ku produktet respektive të kenë një prezencë të përbashkët do të na japë mundësinë e rritjes së hapësirës së tregjeve në vendet e treta. Diskutuam gjithashtu edhe për fushën e peshkimit ku kërkuam tërheqjen e investitorëve turq për zhvillimin e këtij sektori i cili është strategjik për Shqipërinë. Diskutuam për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes të kafshëve ku kohët e fundit kemi patur probleme me sëmundje të ndryshme që lehtësisht kalojnë kufijtë përmes përhapjes së viruseve. Sigurisht biseduam edhe për sigurinë ushqimore si dhe trajnimin e personelit dhe shtimin e kapaciteteve në këtë drejtim”, u shpreh Panariti.

Sipas tij, Turqia ka një përvojë të gjatë në sistemin vaditjes dhe sistemin e kullimit të tokave.

Ministri turk i Bujqësisë, Ushqimit dhe Blegtorisë, Faruk Çelik, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në vëllazëri.

“Në dhjetor dy presidentët tanë u takuan në Ankara dhe na dhanë direktivë dy ministrave të bujqësisë për të zhvilluar marrëdhëniet tona në këtë fushë. Jemi në prag të një referendumi në Turqi dhe edhe pse në një gjendje të tillë ne nuk ja kthyem dot kërkesën për vizitë miqve tanë dhe erdhëm në këtë vizitë njëditore. Jemi duke zhvilluar bisedime dhe takime të shumta. Erdhëm këtu për të folur se çfarë mund të bëjmë në mënyrë aktive. Erdhëm bashkë me një ekip prej 70 biznesmenëshnga Turqia. Ata do të takohen me partnerët e tyre të biznesit në Shqipëri duke vlerësuar potencialet e mundshme të bashkëpunimit. Turqia ka përvoja të shumta në fushën e bujqësisë”, theksoi në fjalën e tij ministri Çelik.

Duke vënë në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve duke parë shifrat janë shumë të ulta, Çelik ka thënë se janë mirëkuptuar që prodhimet bujqësore të Turqisë dhe Shqipërisë të transportohen në vende të treta.

Ministri turk ka shtuar se është biseduar edhe për çështjen e Bursës së Bujqësisë në Shqipëri, që sipas tij, do të jetë pjesë e marrëveshjes e cila parashikon planin dy vjeçar të veprimit.

Evropa nuk është e sinqertë dhe përdor standarde të dyfishta

“Terrori nuk ka përcaktim perëndim, jug, apo lindje. Terroristi është terrorist. Miqtë tanë çfarë bëjnë? Bëjnë dallime mes terroristëve. DAESH është terroriste. Por sipas kujt? Sipas SHBA-së, sipas BE-së, sipas gjithë botës. Po dje PKK nuk është terroriste që ka vrarë mijëra ushtarë të Turqisë? Ajo është një organizatë terroriste që ka objektiva ndaj Turqisë. Evropa thotë se ajo nuk më dëmton mua dhe si rrjedhojë nuk është terroriste. Atëherë edhe Turqia duhet të thotë që nuk është terrorist ajo organizatë që ju dëmton juve dhe nuk na dëmton neve? Ne nuk themi ashtu, por themi që terrori është terror dhe duhet të jemi të gjithë bashkë kundër terrorit. Ka një ndotje mediatike shumë të madhe ku kamuflohen dhe manipulohen terroristët e vërtetë. Turqia ka nxjerrë dhe dëbuar nga shumë vende të Sirisë DEASH-in. Evropa nuk është e sinqertë dhe përdor standarde të dyfishta. BE-ja duhet të jetë një fuqi globale sepse vlerat që mbrojnë janë globale. Por ajo që shohim është se kanë hequr dorë nga veprat globale dhe kjo do të sjellë copëtim”, theksoi ndër të tjera ministri Çelik.

Artikulli paraprakFunta forcohet kundrejt dollarit pas aktivizimit të Brexit
Artikulli tjetërLindja e mendimit Ekonomik Islam dhe karakteristikat e tij