Lira turke riktheu pothuajse 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit që nga mbrëmë
Ankara
Lira turke riktheu vlerën gjatë natës pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi mekanizmin e ri financiar për të mbështetur valutën kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Masat e reja vijnë pas rritjes së çmimeve dhe kursit të këmbimit, përderisa qeveria turke ndjek “modelin e ri ekonomik” i cili thekson kundërshtimin ndaj interesit të lartë.
Presidenti Erdoğan tha se instrumenti i ri do t’u mundësojë investitorëve të mundshëm në valutat e huaja që të marrin rezultatin e njëjtë nëse i qëndrojnë besnik lirës turke.
Këtë mëngjes, kursi i këmbimit lira/dollar ra në 11,2248 në ora 9:30 sipas kohës lokale, duke rikthyer pothuajse 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit që nga mbrëmë.
“Ditë e çmendur”
Timothy Ash, një strateg i tregjeve në zhvillim nga “BlueBay Asset Management” me seli në Londër, komentoi gjithashtu rikthimin “e çmendur”.
“Ditë absolutisht e çmendur në këmbimin valutor turk sot. A ka ende kohë për të arritur vlerën e drejtë 9,50 të Robin Brooks? Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një paqëndrueshmëri të tillë brenda ditës në këmbimin valutor në karrierën time mbi 30-vjeçare”, tha Ash.
Mekanizmi i ri
Qeveria ka argumentuar se rritja e kursit të këmbimit injoroi bazat e forta ekonomike të Turqisë dhe fajin për çmimet e larta e adresoi te grumbulluesit dhe faktorët globalë. Presidenti Erdoğan tha se përfitimet e qasjes së re të Turqisë do të bëhen të qarta në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm.
Ekonomia turke shpesh herë ka befasuar me dinamikat e saj të ndryshme, ndërsa zhvillimet e fundit të jashtëzakonshme po ndodhin që nga e hëna. /AA/