Licenca e Kompanisë së Clark-ut Shkon në Kuvend

Licenca për shfrytëzimin e qymyrit nga kompania kanadeze “Envidity…”, bordi i së cilës drejtohet nga Wesley Clark kaloi në një komision.

Vendimi i qeverisë për lëshimin e licencës kompanisë “Envidity Energy Kosova LL. C.” u miratua në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri me 5 vota pro dhe dy abstenime.

Ky vendim sipas kryetarit të Komisionit Muhamet Kelmendi do të plotësohet me rekomandime dhe përmirësime, para se t’i shkojë Kuvendit për miratim.

Në mbledhjen e sotme të komisionit mori pjesë edhe kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri dhe përfaqësues e deputetë të partive tjera opozitare.

Ymeri tha në komision se propozimi për licencën e “Envidity” kështu si është nuk duhet të kalojë.

“Qysh mundet një individ apo grup njerëzish të vendosin për interes publik, kur kemi pak informata për këtë projekt,” tha Ymeri.

Kompania “Envidity Energy Kosova LLC”, bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark që drejtoi bombardimet 78 ditëshe të NATO-s ndaj forcave të ish-Federatës Serbi-Mali i Zi në vitin 1999 ka kërkuar nga Komisioni për miniera dhe Minerale hulumtimin dhe shfrytëzimin e rezervave të qymyrit në një të tretën e sipërfaqes së Kosovës në mënyrë që me anë të gazifikimit të thëngjillit të prodhojë naftë sintetike.

Gazeta Jeta në Kosovë në lidhje me licencën e kërkuar nga “Envidity…” publikoi një hulumtim këtë muaj.

Edhe kompania “Sharrcem” në bashkëpunim me “Titan America-n” ka kërkuar licencë për shfrytëzimin e qymyrit kosovar.

Këto dy kompani nuk duan të prodhojnë naftë nga qymyri, por duan ta terin dhe ta grimcojnë thëngjillin për ta shitur pastaj në gjendje të tillë për ngrohje.

Qeveria ka marrë vendim për lëshimin e licencave për “Envidity…” dhe “Sharrcem” e Titan America”, ndërsa këto vendime duhet të kalojnë nëpër komisione, për t’i shkuar pastaj Kuvendit për miratim.

Vendimet për licencat e qymyrit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik u shqyrtuan para një jave kur anëtarët e komisionit shtynë miratimin e tyre, pasi thanë se nuk kanë njohuri për kapitalin e kompanisë “Envidity”, ndërsa u ankuan se gazifikimi i qymyrit mund të jetë i dëmshëm për ambientin.

Javën e kaluar shqyrtimi i vendimeve të qeverisë për licencat e qymyrit u shty për sot, pasi u vendos që komisioni në fillim të pajtohet për disa rekomandime e më pas të vendosë për licencat.

Artikulli paraprakAKP në nguti për Trepçën, do të paguajë 600 mijë € për studimin e ndërmarrjes
Artikulli tjetërTurqia, së shpejti edhe qendër e sistemit bankar islamik