Kushtet për detyrimin e Zekatit

1- Pronësia e plotë Pronësia e plotë materializohet kur askush tjetër nuk ka asnjë të drejtë mbi asetin në fjalë; pronari mund ta disponojë asetin ashtu siç dëshiron dhe është poseduesi i vetëm i të ardhurave të krijuara nga aseti. Në këtë rast, pronësia është e plotë pa marrë parasysh nëse aseti ndahet për ndonjë qëllim të veçantë përveç shlyerjes së borxheve (pa marrë parasysh nëse është ndarë për nevoja të caktuara ose për realizimin e projekteve investive).

2- Nisabi (vlera minimale që i detyrohet Zekatit): Nisabi për arin, pavarësisht nga forma e tij, është 85 gram ari i pastër ose ekuivalenti i tij në para (letër monedhë ose metalmonedhë). I njëjti Nisab është gjithashtu i zbatueshëm për artikujt e tregtisë pas vlerësimit të tyre, si dhe për mineralet e nxjerra. Për argjendin, Nisabi është 595 gram argjend i pastër. Nisabi i marrë në konsideratë gjerësisht si i zbatueshëm për artikujt e tregtisë, është ai i arit. Nisabi për Zekatin në bagëti vijon në postimet vijuese.

3- Viti i Zekatit (El-Haul): Viti i zekatit për mjetet monetare, tregtare dhe blegtorale është viti hënor prej 354 ditësh. Në rast se viti diellor merret për bazë për paratë e gatshme dhe asetet komerciale, norma/përqindja e Zekatit bëhet 2,577%. Sa i përket të mbjellave dhe frutave, nuk merret parasysh viti i Zekatit (El-Haul), sepse ajo që ka rëndësi është korrja. Po kështu, sa i përket mineraleve dhe thesareve (Rikaz), ajo që ka rëndësi është nxjerrja e tyre, jo viti kalendarik.

4- Sasia e obligueshme e Zekatit: Sasia e Zekatit për arin, argjendin, paratë dhe artikujt tregtar është 2.5%. Sasia e obliguar për të mbjellat dhe frutat është një e dhjeta (10%) e prodhimit të tokës pa ujitje me makineri të siguruar nga pronari (psh. ujitje natyrore me shi), gjysma e së dhjetës (5%) për prodhimin e tokës së ujitur me makineri, dhe tre të katërtat e së dhjetës (7.5%) për prodhimin e tokave të ujitura pjesërisht me makineri. Sasitë e obliguara të Zekatit për bagëtinë qartësohen në vijim.

(vazhdon)

Burimi: El-Meajir esh-Sherijje (Standardet Sheriatike)

Përshtatje nga arabishtja: Rijad Misini

Artikulli paraprakFyerja e idhujve – Gerdi Demneri
Artikulli tjetërPUSHTETARI