Kosova, pa atashe ekonomikë

Njohës të çështjeve ekonomike dhe prodhues vendorë kanë shprehur shqetësimet e tyre për mospërfaqësim të duhur të diplomacisë ekonomike të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe më gjerë.

Ata kanë thënë se Kosova nuk ka atashe ekonomikë, siç i kanë vendet e zhvilluara dhe siç i ka Shqipëria. Sipas tyre, kjo u kushton mjaft prodhuesve vendorë, pasi po ua pamundëson shtrirjen e gjerë në tregjet e BE-së dhe më larg. Ata kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se pikërisht kjo është arsyeja e disbalancës së lartë tregtare në mes të eksportit dhe importit. Ata kanë apeluar te Qeveria e Kosovës dhe te njerëzit kompetentë të ambasadave që ta kenë prioritet diplomacinë ekonomike dhe të shërbejnë si urë lidhëse në mes të tregjeve të Kosovës dhe vendeve në të cilat ata veprojnë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se përderisa Kosova nuk i plotëson ambasadat me atashe ekonomikë nuk mund të flitet se diplomacia ekonomike po avancohet karshi diplomacive ekonomike të shteteve të tjera. “Shembull e kemi Shqipërinë, e cila ka një protokoll diplomatik edhe në aspektin ekonomik. Kjo ia jep një shtytje tjetër për plotësimin e kapaciteteve nëpër ambasada me njerëz ekspertë të fushave ekonomike, në mënyrë që atje, ku nuk mund të mbërrijnë asociacionet, bizneset, të mbërrijë diplomacia ekonomike. Ndërsa në Kosovë më të avancuar janë bizneset dhe asociacionet se vetë diplomacia shtetërore. Kjo fushë është e pazhvilluar dhe ne nuk do të mund të gjejmë tregje të reja përderisa nuk kemi në Kosovë, një prioritet të zhvillimit të diplomacisë ndërkombëtare, atje ku synojmë ta marrin atë treg”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës (ShEK), Nexhat Hasani, është shprehur i pakënaqur për moszhvillim të diplomacisë ekonomike nga ana e shtetit të Kosovës.

“Mendoj se diplomacia ekonomike është ajo që i lidh bizneset në mes të shteteve, andaj ambasadorët tanë në rend të parë duhet ta kenë prioritet lidhjen ekonomike në vendet përkatëse ku veprojnë me ato të vendit nga vijnë. Ata janë urë lidhëse në mes të bizneseve”, ka deklaruar Hasani, duke shtuar se roli kryesor i ambasadave dhe ambasadorëve tanë duhet të jenë ekonomia dhe biznesi. “Në qoftë se ne me një shtet kemi marrëdhënie të mira ekonomike, gjithsesi do të kemi edhe marrëdhënie të mira politike”, ka theksuar ai. Ai ka shtuar se disa herë e ka ngritur këtë çështje por, sipas tij, ka hasur në vesh të shurdhër.

“Ne disa takime të komuniteteve të biznesit unë e kam ngritur çështjen se ambasadat duhet ta kenë në fokus ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve përkatëse dhe ambasadave të atyre shteteve në të cilat ata jetojnë”, ka deklaruar Hasani. Sipas tij, mospërfaqësimi i Kosovës nga atashe ekonomikë përbën një kosto të lartë për prodhuesit vendës. “Kjo u kushton bizneseve mjaft shumë dhe mu për këtë eksportet janë të vogla dhe kemi deficit tregtar jashtëzakonisht të lartë. Kjo është arsyeja kryesore se pse ambasadat tona nuk i kushtojnë rëndësi dhe nuk e dinë se as cilat biznese tona mund të bashkëpunojnë. Ata duhet të jenë shumë më afër komunitetit të biznesit në mënyrë që ta dinë se ku mund t’i plasojnë produktet tona në vendet në të cilat ata janë”, është shprehur Hasani.

Drejtori gjeneral i “Laberioni”-t, Bashkim Osmani, ka thënë se është më se e domosdoshme që ambasadat tona të angazhojnë atashe ekonomikë në mënyrë që, sipas tij, t’u mundësohet eksportimi i mallrave dhe të jenë konkurrentë në tregjet e BE-së.

“Mendoj se nuk ka asnjë informacion të nivelit të duhur dhe ishte dashur që së paku, njerëzit që paguhen me taksat tona në kuadër të ambasadave që ne i kemi në Bashkësinë Evropiane, por edhe në vendet e tjera, ishte dashur që aspektin ekonomik shumë më tepër ta promovojnë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se është më se e domosdoshme që Kosova të bëjë më shumë në këtë aspekt në mënyrë që bizneset të kenë hapësirë për të eksportuar në tregjet e BE-së dhe më gjerë.

“Biznese dhe prodhues në Kosovë tashmë ka mjaft. Jam i bindur se pjesa dërrmuese e tyre kanë teknologji moderne, i plotësojnë standardet ndërkombëtare mbi cilësinë dhe sigurinë e ushqimit dhe të gjitha kushtet e mundshme i kanë për të eksportuar në këto vende, por neve na mungojnë informacionet, sepse mungesa e tyre rezulton që ne s’mund ta krijojmë një treg sadopak të vogël në ato vende, në të cilat veprojnë e punojnë ata”, ka thënë Osmani, duke shtuar se ata paguhen me taksat tona dhe janë të thirrur të lobojnë edhe për ekonominë e vendit. Sipas tij, në mungesë të atasheve ekonomike, urë lidhëse janë bashkatdhetarët tanë.

Ai ka deklaruar se kompanitë, marrë parasysh nivelin e ulët të standardit jetësor që e kemi, është e pamundur të zhvillohen më tepër sepse nuk ka hapësirë të mjaftueshme brenda Kosovës si konkurrent njëri me tjetrin. “I vetmi shans është të eksportojmë, e për të eksportuar duhet të na mundësojnë institucionet tona të brendshme, por edhe ambasadat të cilat duhet të bëjnë shumë më shumë që produktet tona të depërtojnë në tregjet e Bashkimit Evropian, por edhe në tregjet e tjera, sepse jam i bindur se për ta bërë këtë ka mundësi”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Artikulli paraprakPas diplomimit në shtëpi, s’ka punë
Artikulli tjetërBujqësia në Kosovë me produktivitet të dobët