Korporatat multinacionale janë kompani të mëdha që zhvillojnë operacionet e tyre të biznesit në shtete të ndryshme. Edhe pse korporatat transnacionale shpesh mendohet se janë sinonime me, ato multinacionale në fakt janë të ndryshme në disa aspekte. Faktori kryesor që i ndan është se ato mbajnë selinë e tyre financiare jashtë shtetit për t’i mbrojtur ato nga taksat. Kështu, ato nuk kanë llogaridhënie financiare ndaj shteteve ku zhvillojnë operacionet e tyre kryesore. Në mënyrë ideale, korporatat multinacionale do të ishin vërtet globale; duke operuar përtej kufijve pa një theks të vetëm kombëtar. Megjithatë, kjo është rrallë herë e vërtetë. Zakonisht, këto korporata dominohen nga një kompani amë, zakonisht në botën e zhvilluar, përmes së cilës ato kryejnë shumicën e kërkimit të tyre dhe në të cilën shpesh i kthejnë fitimet. Pra, me fjalë të thjeshta, një korporatë multinacionale ose një ndërmarrje multinacionale ose korporatë transnacionale ose organizatë multinacionale është një korporatë/ndërmarrje që menaxhon fabrika prodhimi ose ofron shërbime në më shumë se një shtet.
Megjithatë, kjo nuk është një dukuri e re. Aktivitetet e tregtisë mes popujve dhe kombëve kanë ndodhur që nga koha e lashtë. Një cikël prodhimi, shkëmbimi mallrash dhe tregti përtej kufijve për çdo gjëje që ka nevojë njëriu është aq i vjetër sa vetë ai. Korporata multinacionale bashkëkohore ka rrënjët e saj te tregtarët e Lindjes dhe Perëndimit të Indisë gjatë periudhës merkantiliste të shekullit të 16-18. Këto shpesh nuk ishin multinacionale, dhe shpesh ishin instrumente të kolonializmit. Me epokën e zbulimeve dhe zhvillimin e navigimit të saktë të distancave të mëdha në det, këta tregtarë megjithatë udhëhoqën zgjerimin e tregtisë.
Ky proces është zhvilluar dhe evoluar me mënyrat dhe mjetet moderne që kanë shtuar rëndësinë, shpejtësinë, shtrirjen dhe shkallën e tij.
Më vonë, revolucioni industrial dhe prodhimi në shkallë të madhe krijuan nevojën dhe mundësinë për të kapur tregje për një prodhim që po zgjerohej. Zhvillimet në mjetet e komunikacionit dhe transportit dhe theksi i shtuar në tregtinë e lirë si një element i lirisë politike dhe ekonomike, gjithashtu luajtën një rol të rëndësishëm në dhënien e një roli më të madh për korporatat multinacionale. Deri në fund të shekullit të 20-të, dhe me shumë ish-monopole shtetërore në telekomunikacion, gjenerimin e energjisë dhe transportin që u zgjeruan në tregje ndërkombëtare, korporatat multinacionale dominonin tregtinë botërore të mallrave dhe shërbimeve. Lindja e gjigantëve të medias me fuqinë dhe ndikimin në rritje mbi mendjet e njerëzve dhe bashkëpunimi i tyre me korporatat multinacionale të tjera, të shtyra nga interesi i përbashkët i të dyjave, ka shumëfishuar këtë fenomen në të kaluarën e afërt. AOL Time Warner, Disney, General Electric, News Corporation, Viacom, Vivendi, Sony Bertelsmann janë disa nga korporatat multinacionale të cilat drejtojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi mendjet e njerëzve të botës. Ata publikojnë gazeta, revista dhe libra; zotërojnë rrjete televizive dhe kabllore; prodhojnë filma dhe filma të animuar, kanë kontroll mbi shërbimet IT dhe ato online, rrjetet satelitore dhe sportet; zotërojnë parqe argëtuese dhe madje janë të përfshirë në shitjet me pakicë. Nga politika, ekonomia, kultura dhe letërsia, ata kanë ndikim.
Duke pas parasysh kontekstin historik dhe faktorët motivues pas shfaqjes dhe zhvillimit të korporatave multinacionale, nuk ka nevojë të theksohet se maksimizimi i fitimit është forca shtytëse për korporatat multinacionale, pasi ato përfitojnë nga ekonomitë e prodhimit në shkallë të madhe. Ato mund të negociojnë sipas kushteve të tyre për materialet e nevojshme të papërpunuara nga e gjithë bota, mund të përdorin teknologjitë më të fundit të disponueshme dhe mund të investojnë shuma të mëdha kapitalesh për të krijuar infrastrukturën e nevojshme. Pasi kanë siguruar prodhimin, ato kërkojnë tregje më të mëdha për të shitur produktet e tyre, gjë që nuk është e vështirë për shkak të burimeve të shumta që zotërojnë. Megjithatë, me kufijtë gjeografikë që kufizojnë lëvizjen dhe aksesin e tyre dhe me barrierat tarifore dhe jo-tarifore që kufizojnë lëvizjen e mallrave, ata kanë nevojë për një sistem global që lejon lëvizjen e lirë të produkteve të tyre.
Është e rëndësishme të theksohet se si korporatat multinacionale po përdorin fuqinë e tyre ekonomike për të shtyrë rregullat tregtare që i ndihmojnë ato të rrisin biznesin e tyre dhe jo të ndihmojnë vendet e varfra. Me burime të jashtëzakonshme, ato mund të angazhojnë lobistë me ekspertizën dhe ndikimin më të lartë. Pothuajse 15,000 lobistë janë të bazuar në Bruksel, ose rreth një lobist për çdo anëtar të stafit të Komisionit Evropian, organi ekzekutiv që negociaton në emër të BE-së në Organizatën Botërore të Tregtisë (WTO). Shtatëdhjetë për qind e këtyre lobistëve përfaqësojnë interesat e biznesit, dhe shpenzimet për lobim vetëm në Bruksel vlerësohen të jenë ndërmjet 750 milionë deri në një miliard euro. Po ashtu, në Washington DC, ku thuhet se punojnë rreth 17,000 lobistë. Vetëm industria farmaceutike shpenzoi një miliard dollarë për këtë qëllim në SHBA në vitin 2004.
Vendet e fuqishme të veriut, të influencuara nga ky lobim dhe me një prani të fortë në selinë e OBT-së në Gjenevë, mund të arrijnë çfarëdo që është në favor të tyre ose ta ndalojnë atë që nuk është në favor të tyre, pa marrë parasysh pasojat ekonomike, shoqërore ose kulturore për të varfrit e botës. Lëvizjet për të lehtësuar kufizimet e tregtisë ndërkombëtare (në OBT dhe forume të tjera) duhet gjithashtu të shihen në këtë kontekst.
Në një nivel tjetër, korporatat multinacionale duhet të negociojnë me vendet pritëse për të hyrë në tregjet e tyre. Por, sërish, ato nuk hasin vështirësi të mëdha. Pasi vendet pritëse kanë infrastrukturë ekonomike të dobët, mungesë kapitali dhe kërkojnë burime për investime, qeveritë e këtyre vendeve nuk kanë shumë mundësi tjetër përveçse të lejojnë korporatat multinacionale të veprojnë mjaft lirshëm. Prodhimi i artikujve pa licencë dhe prodhimi i tepruar i artikujve me licencë, përveç shkeljeve të rregulloreve të importit dhe eksportit nga këto korporata, janë fenomene që janë provuar dekada më parë. Ka çështje si legjislacioni i favorshëm, lehtësimi i infrastrukturës, nxitjet fiskale, shfrytëzimi i punës, rreziku për mjedisin dhe madje korrupsioni, të cilat shpesh injorohen nga qeveritë e vendeve pritëse për të shmangur çdo kërcënim nga largimi i kompanive multinacionale nga vendi. Nxitja për privatizim në mbarë botën duhet të shikohet gjithashtu në këtë kontekst; pyetjet se kush po shtyn për privatizimin dhe liberalizimin dhe kush po i blen pasuritë e privatizuara, bëhen më të lehta për t’u kuptuar.
Prodhuesit vendas të çdo produkti kudo në botë kanë disa avantazhe mbi konkurrentët e huaj në shumë projekte. Korporatat multinacionale nuk kanë problem t’i trajtojnë ato duke i blerë ose thjesht duke i shtyrë ato jashtë tregjeve duke mbajtur një humbje të kalkuluar për një kohë. Ato konkurrojnë më tej me këta prodhues vendas duke përdorur kapitalin e tyre përmes prezantimit më të mirë dhe marketingut agresiv. Kjo është e orientuar për të kapur tregjet duke rritur kërkesën dhe konsumimin sa më shumë të jetë e mundur, duke kërkuar çmimin më të lartë. Gjatë kësaj periudhe kalimtare, ata mund të ofrojnë produktet e tyre falas për të krijuar një zakon të përdorimit të produkteve të tyre mes publikut. Kjo siguron objektivat e korporatave për të marrë fitimet maksimale nga vendi pritës. Ndërkohë që bëhen përpjekje të vazhdueshme për të ulur kostot e prodhimit, përfitimi shpesh nuk kalon te konsumatori përmes uljes së çmimit të shitjes.
Për të nxitur blerësit të blejnë produktet e tyre, korporatat multinacionale kanë një gamë strategjish dhe mjetesh. Këto përfshijnë kërkimin social dhe të tregut, ndërtimin e opinionit, zhvillimin e grupeve të interesit, lobimin, sponsorizimin dhe kështu me radhë. Qëllimi arrin në fund duke bërë një transformim në mënyrat e të menduarit dhe përfundimisht duke ndryshuar zakonet që çojnë në ndryshime në stilin e përgjithshëm të jetesës në shoqëri. Ata e paraqesin produktin që po shesin si një nevojë për njerëzit, ndërsa produktet që përdoren tashmë paraqiten si të panevojshme dhe/ose të një standarti më të ulët dhe jo tërheqës.
Mënyrat e lartpërmendura për të kapur një treg kërkojnë shumë kapital. Ky kapital është në bollëk për korporatat multinacionale. Fushatat e marketingut realizohen përmes ndihmës së medias. Me fuqinë gjithnjë në rritje të medias, ndryshimet e nevojshme në shoqëri synohen dhe arrihen në një numër mënyrash. Ky është dhe shkaku pse shohim që një kulturë globale po promovojë zakone dhe stile jetese të njëjta kudo në botë. E gjitha kjo nuk mund të imagjinohet pa mjete të shpejta dhe efektive komunikimi për shkëmbimin dhe shpërndarjen e informacionit, kapitalit dhe ekspertizës. Vetëm korporatat e mëdha mund t’i përballojnë këto burime në atë nivel më të lartë.
Ndërkohë që prodhuesit vendas të një produkti mund të jenë të pafuqishëm kundër tyre, korporatat e mëdha kanë konkurrencë mes vetes. Shumicën e kohës kjo konkurrencë menaxhohet megjithatë ose përmes bashkimeve, ose duke pranuar një pjesë të tregjeve. Megjithatë, kjo i jep nxitje inovacionit dhe krijimtarisë dhe çon në iniciativa për zhvillimin e teknologjive të reja, mënyrave të reja prodhimi dhe, në disa raste, kostos më të ulët për blerësit e fundit. Konkurrenca gjithashtu ka çuar në lindjen e korporatave multinacionale të specializuara për fusha të ndryshme. Prandaj, ne gjejmë korporata në të gjitha fushat e jetës njerëzore, duke përfshirë media, IT, transport, banka dhe financa, automjete, telekomunikacion, mallra shtëpiake, turizëm, transport dhe hotele, farmaci, ushqim, veshje, kozmetikë, ndërtim, naftë dhe gaz, burime natyrore dhe minerale, botim, shpërndarje dhe madje edhe arsim dhe shëndetësi.
Prodhimi i disa markave të një produkti të vetëm nga e njëjta kompani është një tjetër element i rëndësishëm i strategjisë së korporatave multinacionale. Ndërsa kjo kënaq psikologjinë njerëzore për të pasur mundësi zgjedhjeje për të marrë një vendim, tregu mbetet nën kontrollin e korporatave. Sukesi i këtyre korporatave varet nga një ndërveprim i ngushtë dhe bashkëpunim dhe nga zvogëlimi më tej i botës në terma distancash dhe kufizimesh.
Nëse mendojmë për këtë skenar, procesi i globalizimit fillon nga dhe mbaron tek korporatat multinacionale. Korporatat e mëdha përfaqësojnë globalizimin ekonomik në vazhdim, e mbrojnë dhe e promovojnë atë. Nëse imagjinojmë një skenar ku nuk ka korporata multinacionale ose korporata të mëdha, do të thotë që procesi aktual i globalizimit do të humbiste aktorin kryesor dhe më të rëndësishëm dhe gjithashtu do të humbiste shpejtësinë dhe shtrirjen që po tregon tani.
Khalid Rahman











