Kongresmenët i kërkojnë Bidenit të mos ia shesë Turqisë avionët luftarakë F-16

Disa kongresmenë demokratë dhe republikanë i kanë dërguar letër presidentit amerikan Joe Biden për t’i kërkuar atij mos-shitjen e avionëve luftarakë F-16 te Turqia, për shkak të qëndrimeve të presidentit Recep Tayyip Erdogan, shkruan CNN.

Me këtë letër, kongresmenët dalin kundër Turqisë dhe Bidenit që synojnë të arrijnë marrëveshjen për avionët luftarakë amerikanë F-16.

Në letrën e tyre drejtuar Shtëpisë së Bardhë, ligjvënësit amerikanë shprehin habinë e tyre me mbështetjen publike të Bidenit për kërkesën e Turqisë për blerjen avionëve luftarakë F-16.

Kongresmeni demokrat Frank Pallone po udhëheq përpjekjen. Letra e kongresmenëve shpreh shqetësimin për qëndrimin e Shtëpisë së Bardhë, duke vënë në dukje se një zhvillim i tillë do ta shpërblente presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, që sipas tyre, nuk ka respektuar angazhimet e Turqisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

“Erdogan zgjedh përfitimet personale mbi të mirën kolektive të aleatëve të tij. Zgjedhja e tij për të bllokuar Finlandën dhe Suedinë nga anëtarësimi në NATO derisa të marrë garanci absurde e bën të qartë se ai nuk ka bërë asgjë për të forcuar NATO-n që kur pushtimi rus në Ukrainë shkaktoi krizën më të madhe”, shprehen deputetët në letrën e tyre.

Në vijim, ata argumentojnë se këto praktika të presidentit turk, të cilat janë kundër të mirës së përbashkët të aleancës, nuk duhet të jenë befasuese, pasi Ankaraja ka kryer një sërë veprimesh destabilizuese, të cilat shtrihen nga Mesdheu Lindor në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Regjimi i tij (Erdogan) ka përdorur në mënyrë të përsëritur fuqinë e tij ushtarake për të destabilizuar Mesdheun Lindor, Lindjen e Mesme, Kaukazin e Jugut dhe Afrikën e Veriut. Forcat turke dhe të mbështetura nga Turqia kanë përdorur armë dhe komponentë të prodhuar nga SHBA-ja gjatë këtyre inkursioneve për të kryer krime lufte, duke përfshirë bombardimin e civilëve dhe objektivave si spitalet dhe shkollat ​​në Irak, Siri dhe Nagorno-Karabakh. Ato janë përdorur gjithashtu në mënyrë të përsëritur për të cenuar integritetin territorial të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, si Greqia dhe Qiproja. Këto nuk janë veprime të një aleati të përkushtuar dhe të besueshëm”, theksohet në letër.

Në këtë këndvështrim, ligjvënësit amerikanë argumentojnë se shitja e avionëve luftarakë të avancuar në Turqi nuk do të nxit Erdoganin që të ndryshojë sjelljen e tij dhe të bëhet një aleat i mirë. Në fakt, ata vlerësojnë se armët amerikane që do t’i jepen Turqisë mund të çojnë në më shumë vdekje dhe shkatërrime në rajonin e gjerë.

Së fundi, ata i kujtojnë Bidenit se Turqia vazhdon të përdorë sistemin e mbrojtjes raketore S-400, i cili potencialisht mund t’i ekspozojë Rusisë informacione të rëndësishme për armët dhe operacionet ushtarake amerikane.

Letra përfundon me ligjvënësit duke thënë: “Ndërsa administrata juaj kërkon të avancojë shitjen e F-16-ve të rinj në Turqi, ju lutemi dijeni se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur si anëtarë të Kongresit për ta parandaluar atë. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ofrojnë mbështetje të mëtejshme për ushtrinë turke derisa të ndërmerren hapa konkretë për t’i dhënë fund veprimeve destabilizuese dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit”./koha/

Artikulli paraprakPrezentohet foto e parë me ngjyra nga teleskopi hapësinor “James Webb”
Artikulli tjetërHistorike, Euron dhe Dollarin i ndan më pak se gjysmë centi nga barazimi