Vendet e Ballkanit synojnë që marrëdhëniet ekonomike me Turqinë ti ngrenë në nivelin e marrëdhënieve politike e kulturore dhe presin më shumë investime turke.
Ekonomia është një faktor relativisht i ri që shpjegon praninë e Turqisë në Ballkan. Me përfundimin e periudhës së Luftës së Ftohtë dhe me fillimin e procesit tranzitor, të kalimin të vendeve të Ballkanit në ekonominë e tregut të lirë, nisën të zhvillohen gjithashtu edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të Turqisë me vendet e këtij rajoni. Megjithëse marrëdhëniet ekonomike po shënojnë rritje dhe zhvillim nga viti në vit, ato ende nuk kanë arritur në nivelin e dëshiruar. Përveç kësaj, luftërat në gjeografinë e ish-Jugosllavisë bënë që biznesmenët turq të përqendrohen më shumë në Rumani dhe Bullgari se sa në vendet e Ballkanit. Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme për zhvillim dhe privatizim në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të ofrojnë mundësi ekonomike për biznesmenët turq.
Sot, Turqia ka marrëveshje të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me të gjitha vendet e Ballkanit. Midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit janë lidhur edhe marrëveshje për të parandaluar tatimin e dyfishtë, marrëveshje të tregtisë së lirë dhe marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë (TUIK-Turkstat), në vitin 2016, pjesa që zënë 10 vendet të Ballkanit të marra së bashku në eksportet totale të Turqisë ishte 5,2%, kurse në importet totale ishte 4,5%. Rumania, Bullgaria dhe Greqia zënë pjesën më të madhe në tregtinë e Turqisë me vendet e Ballkanit. Kurse vëllimi i tregtisë së jashtme të Turqisë me vendet e Ballkanit Perëndimor është shumë më i ulët.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte të Turqisë në 10 vende të Ballkanit, duke përfshirë edhe investimet turke që janë bërë përmes vendeve të treta, në vitin 2016 ishte rreth 5 miliardë dollarë. Për sa u përket investimeve, vendi ballkanik, ku firmat turke janë më aktive, është Rumania. Në vitin 2016 vlera e përgjithshme e kapitalit turk në këtë vend ishte rreth 1,2 miliardë dollarë. Përveç Rumanisë, vendet e tjera të rajonit që kanë thithur relativisht më shumë kapital turk janë Shqipëria me 982 milionë dollarë dhe Bullgaria me 864 milionë dollarë.
Sot kompanitë turke prodhojnë në vendet e Ballkanit një gamë të gjerë produktesh, duke filluar që nga prodhimi i letrës e kartonit e deri tek biskotat dhe artikujt elektro-shtëpiakë; si dhe ofrojnë shërbime në shumë sektorë, duke filluar nga telekomunikacioni e sistemi bankar e deri tek transmetimet televizive. Turqia është gjithashtu aktive në vendet e Ballkanit edhe në sektorin kontraktues. Në të vërtetë, kompanitë turke marrin përsipër projekte në një gamë të gjerë, që nga autostradat e deri tek banesat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, deri në vitin 2015 vlera totale e projekteve kontraktuese turke në 10 vende të Ballkanit ka qenë rreth 12 miliardë dollarë. Përafërsisht 57% e vlerës totale të shërbimeve kontraktuese turke në vendet e Ballkanit janë realizuar në Rumani dhe 13% në projektet e ndërmarra në Bullgari.
E parë në aspektin e Ballkanit Perëndimor, Turqia është një partner i rëndësishëm në fushën ekonomike. Pasi vendet e Ballkanit Perëndimor po synojnë të rigjallërojnë ekonomitë e tyre falë investimeve që do të vijnë nga vende si Turqia. Përveç kësaj, ekonomia vazhdon të jetë një zonë, ku Ankaraja dhe kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Edhe pse biznesmenët turq e kanë rritur interesin e tyre në Ballkanin Perëndimor, vitet e fundit, ata ende nuk i kanë rritur investimet e tyre në këto vende. Për këtë arsye, investimet e huaja direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten ende në një nivel simbolik. Vetëm Shqipëria me Kosovën kanë arritur të tërheqin kapital relativisht më shumë turk këto vitet e fundit.
Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, duhet të dihet se edhe nëse shifrat e investimeve të përgjithshme nuk janë në nivelet e dëshiruara, prania ekonomike e Turqisë në rajon ndjehet në forma të ndryshme. Për shembull, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte e Turqisë në Bosnjë-Hercegovinë është 256,3 milionë dollarë dhe vlera e përgjithshme e projekteve kontraktuese turke është 563,6 milionë dollarë. Bosnjë-Hercegovina, e cila i shikon të ulëta këto shifra, pret më shumë investime nga vendet mike si Turqia. Megjithatë, një analizë e thellë tregon se situata është shumë e ndryshme. Pasi sipas një llogaritjeje të bërë nga ambasada turke në Sarajevë, në periudhën pas vitit 1995, përmes institucioneve të ndryshme Turqia ka investuar gjithsej në Bosnjë-Hercegovinë 1,1 miliardë euro. Megjithatë, populli i Bosnjë-Hercegovinës nuk është i vetëdijshëm për këtë dhe është i prirur ta vlerësojë vlerën e burimeve të investuara në kuadër të fabrikave të hapura.
Nëse do të bëhej një vlerësim i përgjithshëm, mund të thuhet se marrëdhëniet ekonomike midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit nuk zhvillohen aq sa marrëdhëniet politike dhe kulturore që ka Turqia me po të njëjtat vende. Megjithatë, faktorë të tillë si: marrëveshjet e tregtisë së lirë që ka bërë Turqia me vendet e rajonit, proceset privatizuese në rajon, nxitja e investimeve, mundësitë e tregtisë me vendet e treta dhe qasja në fuqinë punëtore të kualifikuar në rajon do të vazhdojnë ta bëjnë Ballkanin një rajon tërheqës për biznesmenët turq.
Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR
Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ