Incidenti i Çernobilit në vitin 1986 është më i rëndi që ka ndodhur në një central bërthamor, duke e klasifikuar si katastrofë e nivelit 7
Më 15 dhjetor 2000 u fik reaktori 3 i centralit bërthamor të Çernobilit, që mbylli zyrtarisht funksionin, në harkun kohor të 14 vjetëve nga incidenti tragjik bërthamor në mëngjesin e 26 prillit 1986. Atë ditë, reaktori numër 4 i centralit shpërtheu gjatë një testi sigurie. Ky është incidenti më i madh në një central bërthamor, i klasifikuar si katrastrofik, në nivelin 7 dhe më i madhi në shkallën INES të IAEA (International Atomic Energy Agency), së bashku me atë që ndodhi në centralin Fukushima Dai-ichi pas tërmetit dhe cunamit në vitin 2011, por dhjetë herë më i rëndë.
Një katastrofë që – sipas disa ekspertëve – mund “të harrohet” përfundimisht, në lidhje me pasojat vetëm në vitin 2065. Në atë zonë jetonin 8 milionë persona, 2 milionë prej të cilëve fëmijë. Shumë nuk ishin menjëherë të vetëdijshëm për atë çfarë kishte ndodhur. Madje, nuk u anulua as parada e 1 Majit, dhe mijëra njerëz dolën në rrugët e Kievit, pak më shumë se 100 km larg, me portrete të udhëheqësve nëpër duar, kurora me lule dhe muzikë. Ndërkohë një re e lehtë tymi përhapej në qiejt e Europës.
Kaluan ditë para se qeveria të zbulonte çfarë kishte ndodhur dhe të lejonte shtypin të hynte në zonë për të dokumentuar incidentin. Reaktori u dogj për dhjetë ditë, duke përhapur në atmosferë elemente radioaktive që ndotën tre të katërtën e Europës. Autoritetet – në atë kohë Ukraina ishte pjesë e republikave federale sovjetike nën kontrollin e Moskës – u përpoqën ta mbulonin incidentin.
Suedia ishte e para që dha alarmin pasi shkencëtarët zbuluan një rritje të niveleve të rrezatimit, më 28 prill. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe, Mikhail Gorbaciov, nuk bëri deklarata publike deri më 14 maj.
Thuajse 350 mijë njerëz, të cilët jetonin në një rreze prej 30 km nga centrali u evakuuan. Rreth 600,000 qytetarë sovjetikë që u bënë të njohur si “likuiduesit” – kryesisht punëtorë të emergjencës dhe nëpunës civilë – u dërguan me pak ose aspak pajisje mbrojtëse për të ndihmuar në pastrimin dhe ndërtimin e një sarkofagu prej betoni mbi reaktorin e dëmtuar. Reaktori i dytë u mbyll në tetor 1991 pas një zjarri. Në nëntor 1996 u ndal përgjithmonë i pari.
Mbetej në funksion i treti, të cilin Ukraina donte ta mbante aktiv, përkundër shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar. Presidenti ukrainas, Leonid Kuchma, kërkoi atëherë që vendet e tjera të ndihmonin financiarisht në operacionin e ngritjes së strukturave për të varrosur mbeturinat.
SHBA, për shembull, kontribuuan me 78 milionë dollarë. Reaktori i tretë i “përbindëshit” u mbyll në orën 13:17 (me orën lokale), të 15 dhjetorit të vitit 2000, me një ceremoni solemne duke u bërë homazh viktimave dhe “për të mirën dhe të ardhmen e të gjallëve” – tha Kuchma, duke mbyllur përgjithnjë centralin bërthamor me historinë më të trishtë në botë, në prani të udhëheqësve të qeverisë, ministra dhe përfaqësues të vendeve perëndimore dhe nga republikat ish-sovjetike. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në TV.
Ministri i ri i Kulturës në Ukrainë, Oleksandre Tkatchenko, në detyrë prej 6 muajsh, ka propozuar përfshirjen e Çernobilit, skena e katastrofës më të rëndë bërthamore në histori, si pasuri botërore e UNESCO-s. Synimi është që “zona e përjashtimit” të Çernobilit të mbrohet nga kushtet e motit dhe fluksi i madh i turistëve që po përjeton prej disa kohësh. “Ishte një nga territoret më emblematike të Ukrainës” dhe duhet të ‘ruhet për njerëzimin’”, nënvizoi Tkatchenko.
Zgjerimi i aktivitetit turistik
Njohja nga Agjencia e Trashëgimisë Kulturore të Kombeve të Bashkuara mund të ndihmojë qeverinë ukrainase të zhvillojë më tej aktivitetin e turizmit në vend dhe të ruajë integritetin e ndërtesave të saj.
“Zona e Çernobilit është sot një atraksion i famshëm në të gjithë botën, turistët vijnë në Ukrainë për këtë. Për fat të keq, ky vend nuk ka një status zyrtar – nëse do të bëhej një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, kjo do të ishte vetëm pozitive” – shpjegoi për Euronews, Maksym Polivko, guidë turistike e zonës së përjashtimit.
Në vitin 2019, Çernobilin e vizituan një numër rekord turistësh – rreth 124 mijë turistë, nga të cilët të paktën 100 mijë të huaj, shkuan për të vizituar sitin. Në 2018, numri i turistëve ishte 72 mijë.
Çfarë do të thotë “zona e përjashtimit”?
Ky term i referohet pjesës së territorit, e madhe përafërsisht sa Luksemburgu, që rrethon për 30 kilometra termocentralin e Çernobilit pas shpërthimit të reaktorit 4 në fund të prillit 1986. Përveç vendit, ende i rrezikshëm, zona të tëra në Ukrainë dhe në Bjellorusinë fqinje u ndotën rëndë nga rrezatimi.
Për këtë arsye, ministri i Kulturës, Tkachenko, këmbëngul mbi nevojën që turistët të kuptojnë se Çernobili nuk është “një aventurë e thjeshtë në një territor të ndaluar”. Me ndihmën e ekspertëve, Ministria e Kulturës do të përgatisë programe udhëtimi që synojnë “perceptimin e territorit si një vend i kujtesës që duhet të na mësojë gjëra”, sidomos sot kur gjendemi në mes të një krize globale mjedisore.
Ukraina po përgatit një dosje me propozimin që do t’i paraqitet UNESCO-s deri në fund të marsit 2021 dhe një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara duhet të vizitojnë vendin bërthamor verën e ardhshme. Vendimi përfundimtar pritet jo më parë se viti 2023.